Partizani, vendimtar për titullin e 5-të të Skënderbeut në Superligën shqiptare

Dita

Trajneri Josa dhe drejtuesit e Skënderbeut e shohin Partizanin si një ndeshje radhe, por ajo është më shumë se kaq. Kampionati është shumë i gjatë dhe duhen edhe 16 javë deri në fund, që do të thotë se janë edhe 48 pikë në lojë, por përplasjet direkte me rivalët janë ato që vendosin për titullin kampion. Në këtë kontekst, Skënderbeu është përpara një ndeshjeje që vendos shumë në lidhje me fatet e sezonit. Korçarët janë 4 pikë larg Kukësit kryesues, 1 pikë larg Tiranës dhe me pikë të barabarta me Partizanin, kështu që humbja është e papranueshme në sfidën e së hënës. Laçi-Kukësi dhe Vllaznia-Tirana janë dy ndeshje, që do të përfundojnë një ditë përpara asaj të kampionëve, por në çdo rast këta të fundit duhet të fitojnë. Dy pikët e lëna javën që shkoi ndaj Laçit duhen rikuperuar dhe ndeshja me Partizanin, që luhet në Durrës, në fushë asnjanëse, është një mundësi e mirë për ta bërë këtë gjë. Do të jetë vërtet një duel titulli, sepse edhe të kuqtë kanë të njëjtin objektiv. Skënderbeu, pas dy barazimeve, me Laçin në kampionat dhe me Flamurtarin në Kupë, e ka detyrim fitoren. Shansi i madh i Skënderbeut është që ndeshja luhet në “Niko Dovana”, ku kampionët duhet ta tregojnë se e meritojnë edhe titullin e 5-të radhazi. Gjithçka është në dorë të futbollistëve, ndërkohë që në qytetin juglindor e cilësojnë një ndeshje jetike, raporton sportekspres.

TAKAJ – Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, ka vendosur të heshtë për mediet. Ai ka folur shumë kohët e fundit dhe sigurisht që ka qenë edhe i tensionuar nga pezullimi i Peterit dhe më pas nga barazimi i papritur në shtëpi me Laçin. Pas këtij rezultati pati ankesa për gjykimin, që rrallë ka ndodhur gjatë këtij sezoni me drejtuesit e klubit korçar. Edhe dje, pas tentativave të gazetës për t’i marrë një mendim për ndeshjen me Partizanin, presidenti Takaj nuk ka dashur të flasë. Ai dhe stafi teknik duan që skuadra të jetë së më e qetë.

KORÇA – Në qytetin e Korçës e cilësojnë ndeshjen e kësaj jave shumë të rëndësishme dhe shpresojnë shumë që ekipi e ka potencialin e duhur për titullin e 5-të radhazi. Ndoshta edhe fati ka rolin e vet, siç ndodhi ndaj Laçit, ku korçarët zhvilluan një ndeshje të bukur, por morën vetëm një pikë. Në Korçë tifozët duan vetëm fitoren. Ata besojnë se Skënderbeu këtë herë do t’ia dalë dhe po bëhen gati për të qenë sa më të shumtë në Durrës.

RIVALËT – “Që të shpallemi kampionë, duhet të fitojmë ndeshjet me rivalët direkt”, – deklaronte presidenti Takaj përpara se të niste faza e tretë. Dhe është normale, aq më tepër kur skuadra është prapa vendit të parë. Pas 20 javëve të para, kampionët nuk kanë mundur të tregohen superiorë në ndeshjet direkte ndaj tre rivalëve, Kukësit, Tiranës dhe Partizanit. Nga 18 pikë të mundshme në ndeshjet me ta, Skënderbeu ka marrë vetëm 7 pikë dhe të gjitha në stadiumin e Korçës, pas dy fitoreve me Kukësin dhe Partizanin, si dhe barazimit ndaj Tiranës. Në transfertë korçarët kanë gabuar deri tani, por janë në kohë të korrigjojnë gjithçka. Prova e parë është Partizani.

 

Duelet e Skënderbeut me 3 rivalët

11.09.2014  Partizani-Skënderbeu     1-0

19.09.2014  Skënderbeu-Kukësi   2-0

04.10.2014  Skënderbeu-Tirana   0-0

08.11.2014  Skënderbeu-Partizani 3-0

30.11.2014  Kukësi-Skënderbeu    1-0

13.12.2014  Tirana-Skënderbeu    2-0

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *