Vllaznia, Raineri: Derbi i Shqipërisë dhuron vetëm spektakël

Dita

Përplasja mes tifozëve të Tiranës dhe Vllaznisë në sfidën e fazës së parë në “Loro Boriçi” është ndoshta episodi më i hidhur që Baldo Raineri ka përjetuar në stolin e kuqebluve. Rreth 5 muaj pas këtyre ngjarjeve të shëmtuara italiani shprehet se në derbin e Shqipërisë është e papranueshme që të ketë dhunë mes dy tifozërive. Në një përballje të tillë të traditës, sipas Rainerit ka vend vetëm për spektakël.

“Mbi të gjitha shpresoj të mos ndodhin më ngjarje të tilla në të ardhmen, sepse nuk do të ishte e mirë për sportin, për të gjithë ne dhe për ju gazetarët, që keni bërë një punë të shkëlqyer. Shpresoj që të jetë një takim interesant, entuziazmues dhe dëfryes, ku në fund të fitojë Vllaznia”. Në fakt tifozët bardheblu, të cilët nuk do të jenë të pranishëm në “Loro Boriçi” për shkak të dënimit të dhënë nga komisionet juridike në FSHF, në sytë e Rainerit janë më të organizuar sepse kanë mbështetje më të madhe ekonomike nga klubi. “Unë kam parë që tifozët e Tiranës janë të organizuar, por edhe mbështetësit tanë nuk janë më pak të organizuar. Ndoshta ata kanë më shumë mundësi ekonomike, por po e përsëris, e rëndësishme është të mos kemi ngjarje të tilla sikurse ndodhi në fazën e parë”.

Para një ndeshjeje të tillë Raineri e pranon se nuk kërkohet shumë impenjim për të karikuar futbollistët, sepse është vetë emri i kundërshtarit që i nxit lojtarët të japin maksimumin në fushë. “Kjo është një ndeshje ku të duhet pak punë për ta përgatitur, sepse futbollistët karikohen vetë. Të gjithë e ndjejnë kur afrohen përballje të tilla. Shpresojmë që të jenë sa më shumë tifozë nga ana jonë. E dimë që do ta kemi shumë të vështirë dhe se nuk mund ta fitojmë kampionatin, por duhet të dalim sa më parë nga ky tunel, sepse nuk duam të pësojmë humbje të tjera”. Dhe në fund një koment i italianit për Kupën e Shqipërisë, ku Vllaznia është me një këmbë jashtë pas humbjes 2-0 me Kukësin në “Loro Boriçi”. “Janë dy ndeshje në Kupë, ku i dihet ndoshta në sfidën e kthimit Kukësi do të ketë probleme e ne mund të fitojmë. Ndeshjet e Kupës janë interesante, sepse do të luash në dy ditë të ndryshme”.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *