“Kur të rritesh e madhohesh, të marrësh penën dhe këto kujtime të mia dhe tue pyetur të gjithë njerëzinë dhe të afërt, të shkruash një libër me titullin “Vrasja mizore e një
atdhetari”. Në këtë libër duhet të shpjegosh gjithë jetën time që unë shkurtimisht po ta lë në këtë librezë (e ka fjalën për kujtimet me shkrim që ka lënë) tue fillue qysh nga lindja
ime deri në vdekjen time; tue shtyrë brenda dhe lindjen tënde. Për ta bërë këtë punë duhet të mësosh shumë dhe të jesh e zonja e penës. Po ta lë si amanet që ta bësh medoemos”.
Këto janë shënime të ish-oficerit të Rojes Mbretërore që ia dërgon së bijës së vetme, atëhere fare fëmijë, Liliana Kores. Por Lilaiana dhe Shadia, edhe pse u përpoqën për të njohur me imtësi jetën e Niaziut, nuk arriën dot, pasi Liliana vdiq, ndërsa Shadia e shoqja, për arsye moshe, nuk arriti të botonte kujtimet e burrit të saj. Në këto kushte e mora unë përsipër të botoja diçka mbi jetën e dhe veprimtarinë e patriotit, të pa cilësuar ende kështu nga organet kompetente, për shkak të mosnjohjes të gjirokastritit trim Niazi Kore.
Kush ishte Njazi Kore
Niazi Kore lindi më 26 dhjetor 1912, në lagjen Cfakë të Gjirokastrës. Gjatë vazhdimit të Liceut në Gjirokastër, në tetor 1928 shkojnë në një shëtitje mësimi në Italinë e Jugut 20 studentë e 7 mësues nga të gjitha shkollat e mbretërisë. Nga Gjirokastra ishte Njaziu. Udhëtimi u krye në Bari, Barleta, Taranto, Cosenca, S.D. Korone, Napoli, Foggia, Pompei dhe Romë. Mbas disa ditëve si ishinkthyer nga Italia, Njazinë e kërkojnë për studime ushtarake në Akademinë Ushtarake të Rojës Mbretërore të Kufirit në Romë.
ishte një fitore e madhe. Pas tre vjetësh, kthehet në Atdhe me detytën e kryetarit të zyrës së shërbimit në Komandën e Përgjithshme të Rojës Mbretërore të Kufirit. Në prill të vitit 1939, kur Italia fashiste sulmoi Shqipërinë, e çojnë në në Shtabin Madhor të Ushtrisë Mbretërore në Zyrën e Informacionit. Ja si shkruan vetë ai: “Plasi lufta me Italinë. Unë u thirra në shtabin madhor të ushtrisë në zyrën e informacionit. U largova prej shtëpisë duke puthur të gjithë. Lotët më duall prej syve dhe thashë: “a do të kthehem përsëri?”. Zoti desh të mos vritesha në luftë dhe së bashku me Mbretin dhe shokët e mi u hodhëm në Greq”.. Në Greqi ai u nda me shumë shqiptarë të tjerë u nda nga familja mbretërore. Shkon në Legatën shqiptare në Selanik për ndihmë, por aty ndësesh në rezistencën e punonjësve teë Legatës, të cilët ishin kthyer në fashistë. Ndeshja në fillim me fjalë, pastaj edhe fizikisht më konsullin, është edhe akti i fundit i Njaziut që e çojnë në burgjet greke, ku vazhdon edhe kalvari i gjatë i vuajtjeve e tortura deri në eliminimin fizik të tij me helm.
Ngjarja kthesë
Megjithëse nuk ishte pjesë e shpurës që shoqëronte mbretin, pasi ishte në një detyrë tjetër, në zyrën e informacionit, më 7 prill 1939, e thërresin për t’u bërë pjesë e trupës që do të shoqëronte mbretin në arratinë e tij. Situata ishte konfuze, megjithatë, ai ishte oficer dhe do të zbatonte urdhrat. U nis me kokën mbrapa. Pas disa ditësh, pasi mbreti grek nuk e pranoi ta mbante në territorin e tij Mbretin Zog, një pjesë e shoqëruesve të mbretit u ndanë nga mbreti dhe u lanë të lirë të zgjidhnin fatin e tyre. Një ndër ta ishte edhe Niaziu, i cili shkoi në Selanik në legatën shqiptare për të marrë një vizë për në Francë. Por aty u prit me këmbët e para nga konsulli Vasfi Çomo, i cili e priti me këmbët e para. Takimi qe shumë i tensionuar. Konsulli refuzoi t’i jepte ndihmë. Kaluan disa ditë dhe më 11 prill i vitit 1939 konsulli e thirri përsëri. Këtë radhë për ta çgraduar dhe shpallur tradhtar. Sa hyn në oborrin e konsullatës, i ra në sy flamuri i fashizmit që valëvitej mbi çatinë e saj. Konsulli kish hequr flamurin shqiptar dhe kish vendosur flamurin me sopatat e Liktorit. Njaziut i hipi gjaku në kokë. Kaloi rojen greke dhe dhe u përball me konsullin, i cili bashkë me një oficer grek e fyenë dhe e shanë me fjalët nga më të ndyra. “Iu fola dy-tri herë të ndalonin fyerjen, shkruan Niaziu, por ata vazhduan në të tyren, bile më egër, sa që në fund u detyrova dhe i vrava…Konsulli ishte një dallkauk që nuk punonte për atdhe e për nder, por vetëm për interes e para…”
Pas kësaj Niaziu u fut në burg. Merret me mend se çfarë pësoi ay ty! Vëllai i tij, Nesheti, kur mori vesh ngjarjen nuk pyeti për rrezikun, shkoi nga Gjirokastra në Greqi, u takua me të vëllanë e burgosur, bisedoi dhe pagoi avokat për mbrojtjen e të vëllait. Mori shumë plagë dhe thika nga ata që kishin paravendosur pa gjykim vdekjen e Niazi Kores.
Me ndërgjegje të pastër e devocion të lartë
Shënimet e tij të fundit janë ato të 2 nëntor 1939 të Selanikut. Ato janë shënime të ndjera dhe të vërteta që tregojnë vuajtjen e një atdhetari që nuk e ndihmon asnjë njeri, që nuk e di asnjeri se ç’bën ai në atë vend të largët, të shurdhët dhe mosmirënjohës. Këto refleksione janë një burim informacioni për të njohur edhe më mirë Niazi Koren. Ai me objektivitet e si dëshmitar okular i luftës “vizaton” e përshkruan ngjarjet, por jep edhe vlerësimet dhe mendimet e tij për arsyet pse rrodhën ashtu ato ngjarje. Bën, si të themi, një analizë të shkaqeve dhe jep edhe vlerësime për rolin e disa njerëzve, përfshi edhe Mbretin, që pati rastin t’i njihte edhe më mirë në rrethanat e asaj lufte. Thirrja e komandës për t’u paraqitur në detyrë e gjeti në këmbë, në gadishmëri nr.1; të veshur e të armatosur që në orët e para të ditës 5 prill 1939. Në komandë shkoi me një frymë. Zyra e informimit ku u caktua Niazi Kore ishte e rëndësishme dhe me përgjegjësi. Niazi Kore nga ai post ndoqi për 3-4 ditë, me dhimbje, zemërim dhe revoltë marshimin e forcave fashiste në trojet e atdheut të tij. S’e mbante vendi. Donte të shkonte në istikamin e parë të rezistencës në Durrës. Nuk shkoi dot dhe kjo jo për fajin e tij. Si ushtarak e vuante edhe më shumë gjendjen dhe e parashihte edhe më të errët të ardhmen e Atdheut e të popullit të tij nën pushtimit fashist.
Ai bëri më shumë se detyra
Ai bëri detyrën, ishte pjesë e shpurës së Mbretit. Pastaj duhet t’i marrim gjërat në kontekstin dhe kohën kur kanë ndodhur. Njaziu nuk mund të vepronte ndryshe. Në vlerësimin ushtarak në kohë lufte, ata që duheshin të evakuoheshin e të mbroheshin
të parët ishin pleqtë, fëmijët dhe të sëmurët. Pastaj, kur mori vesh se largimi ishte i përkohshëm – siç thuhej dhe pritej nga ora në orë që ta lajmëronin të kthehej suitën që
shoqëronte mbretëreshën, u bind edhe më shumë për drejtësinë e vendimit të marrë dhe krijoi edhe një farë ndjesie se ndoshta shpresat për humbjen e lirisë së Atdheut e të popullit të tij nuk ishin venitur.
Mbretëresha Geraldinë për Niazi Koren
Mbretëresha Geraldinë ishte e para që motivoi dhe vlerësoi aktin atdhetar të oficerit gjirokastrit, Niazi Kore. “Oficerët tanë u çuditën kur panë se flamuri i fashizmit ia kishte zënë vendin flamurit kuq e zi të Shqipërisë dhe kur panë konsullin, nxorën revolet t’i binin…(Mbretëresha Gerarlinë, gazeta “Athdheu”, 1955). Koloneli Hysen Selmani, një nga shoqëruesit kryesorë të Mbretit Zog, shkruan në ditarin e tij të datës 17 prill të vitit 1939: “Dy oficerët tanë shkuan në Selanik në Konsullatën Mbretërore. Aty panë të ulur flamurin shqiptar dhe në vend të tij ishte ngritur flamuri italian. I thanë konsullit ta ulte e ta shklete atë flamur dhe të ngrinte flamurin shqiptar, por ai s’pranoi. Atëherë ata e vranë konsullin. Një nga këta oficerë ka qenë edhe Niazi Kore nga Gjirokastra”.
Letër nga burgu
Të bëhesh krenare, moj Liljanë!…
Mbas 6 muaj martese (1938) më lindi vajza, emrin e së cilës e zgjodha vetë, Liljanë…Sa fatmirë ishte kur lindi, aq zi dhe aq keq për tash, që po shkruaj këto kujtime nga burgu grek. Nuk pata fatin ta rritja me gjithë kujdesjen…
Të bëhesh krenare, moj Liljanë, dhe e urtë shumë, të vesh në shkollë e të mësosh mirë, të rrish me shoqë të zgjedhura dhe me nder…
Një tjetër këshillë po të jep babai i shkretë nga burgu dhe nga mërgimi. Kur të rritesh e të vish në moshën e martesës, zgjidh mirë shoqin tënd, mos u rre nga dukja, por shiko karakterin dhe ta duash me shpirt…
Selanik, 2 nëntor 1939
Shënim:
Liljana, e bija e Niazi Kores, e mbetur jetime pas vrasjes së të atit në burgjet greke, edhe pse e vogël ndjeu përgjegjësinë e porosive të të atit. Ndoqi hapa pas hapi shkollat, deri sa iu dha bursë për studimet e larta në Hungari. S’vazhdoi gjatë dhe studimet aty iu ndërprenë për shkak të ngjarjeve politike të kohës. Në këto kushte ajo shkon në Plovdiv të Bullgarisë, ku përfundon institutin e lartë të Teknologjisë Ushqimore. Në vitin 1961 filloi punë si pedagoge në Institutin Bujqësor të Kamzës dhe njëkohësisht si spikere ne Radio Tirana për gjuhën Bullgare. Vdiq nq një moshë relativisht të re.
Rroga e fundit, lamtumirë Mbret!…
Shpenzimet për akomodimin dhe ushqimin e të gjithëve u përballuan nga fondet e shtetit shqiptar. Në Larisa të Greqisë qeveria në mërgim bëri aprovimin dhe ndarjen e fondeve financiare. U likuiduan rrogat (pagesat) e prapambetura për të gjithë funksionarët, oficerët si dhe për përfaqësitë shqiptare. (legatat mbretërore) në Paris, Turqi, Egjypt. Fondet ishin tërhequr nga arka e shtetit në 7 prill 1939, për këtë veprim financiar (tërheqjen e fondeve dhe shpërndarjen e tyre u krijua një komision i përbërë nga Kryeministri Koço Kote, kryetari i parlamentit Hyqmet Delvina, Ministri i drejtësisë Faik Shatka, Ministri i jashtëm Ekrem Libohova, Ministri i Financës Kolë Thaçi, Ministri i Brendshëm Musa Juka, Ministri i Bujqësisë Rok Gera, Ministri i Arsimit Abdurrahman Dibra, Kryetari i Këshillit të shtetit Mirash Jovaneu, Sekretari i Këshillit Ministror Stavro Stavri. Ajo masë e konsiderueshme të mërguarish shqiptarë më kreun e Mbretërisë, Qeverinë, parlamentarët në krye, në pamje të parë të dukej kompakte. Ende ruhej hierarkia funksionale, por nuk do të vononte që grupe dhe individë do të mendonin secili për vete. Mbreti me më të afërtit dhe të besuarit e tij do të bënte përçapje të shumta politike e diplomatike për t’u larguar sa më parë nga Greqia.
Gjak që duhet vlerësuar
Është fatkeqësi që historianët tanë janë kaq të pavëmendshëm dhe mosmirënjohës, do të thosha, për figura të tilla si ajo e Niazi Kores. Megjithëse ai vdiq për interesa të larta të atdheut, duke grisur flamurin fashist në legatën shqiptare të Selanikut, nuk është cilësuar ende dëshmor i Atdheut. Megjithëse ai la një vepër modeste të shkruar, ku pasqyrohej aktiviteti i tij i shkurtër, por shumë atdhetar, askush nuk u mor me to. Autoritetet e kohës (periudha e mbretërisë) panë dhe vlerësuan te Niazi Kore kapacitetin intelektual që premtonte shumë. Kishte ndjekur studimet e larta në Itali. Ishte një ushtarak i kompletuar, idealist e besnik në Rojën Mbretërore Kufitare. Kanë shkuar mbi 70 vjet nga 8 gushti i vitit 1940, kur Niazi Koren e vranë me helm vdekjeprurës në burgjet greke. Por ai kaloi në heshtje vetëm në dhimbjen familjare të Vuvazit, Shados (të të shoqes) dhe Lilianës (të së bijës), të cilat për arsye të ndryshme nuk mundën të botonin disa fletë të shkruara (kujtime e porosira) që i dashuri i tyre kishte shkruar në burgun e Selanikut më 2 nëntor 1939 (nëntë muaj e 6 ditë para se ta helmonin). Këto kujtime dhe fotografi ishin të vetmet dëshmi origjinale nga i dashuri i tyre i zemrës. Qindra e mijëra herë për dekada të tëra i shfletuan dhe i lagën me lot ato kujtime. Mundoheshin të mësonin më shumë nga sa shkruante Niaziu. Në të shkuarën as mund të bëhej fjalë pale të gjente zgjidhje çështja e tij, por edhe tani i njëjti qëndrim e heshtje. Të shpresojmë që koha do ta korrigjojë këtë padrejtësi, dhe Niaziu të shpallet të paktën, dëshmor i Atdheut.
