E nderuar DITA! Duke hulumtuar historinë e Shqipërisë në 100 vjetorin e ekzistencës si shtet, rezulton se pikërisht këtë vit kur ne duhet të mburremi për bijtë dhe bijat e kombit që sakrifikuan jetën për këtë vend – realiteti me ta është fatkeq. U janë shkatërruar banesat e përjteshme ,varret. Dëmtime kanë varret e heronjve të kombit, Mic Sokolit, Bajram Currit, Isa Boletinit,në Tropojë, Hasan Prishtinës në Kukës e Shote Galicës, në Krujë, apo Cerciz Topullit e Mihal Gramenos, ne jug,etj.
Heroina Shota Galica (Qerimja) është lënë në harresë. E kanë mbuluar plehërat ne një cep të Fushë Krujës. Është gruaja e Azem Galicës, e cila ndërmori rreth 40 aksione luftarake kundër shkaut në Dukagjin, Drenicë, e mbarë Kosovën.
Varri i Isa Boletinit ndonëse pa eshtra, por ndodhet i copëtuar dhe i thyer . Isa Boletini është patriot dhe atdhetar i shquar, strateg popullor, organizator dhe udheheqës i levizjeve per çlirime bashkim kombëtar. Që në moshën 17 vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ne betejen e Slivovës ndaj forcave osmane, kunder ndërhyrjes se Serbisë,Malit te Zi,Rusisë dhe Austro-Hungarisë në Shqipëri. Ai në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqesuesve të Kosovës, u ndodh përkrah Ismail Qemalit.
Këto që ndodhin me varret e heronjve tek ne i tejkalojnë elementet e kulturës së një kombi në botën e qytetëruar. Bile edhe ne vendet ku kanë sunduar diktatorët me të egër, bustet dhe eshtrat i dorëzojnë në muze që historia e kombit të mos harrohet nga brezat e ardhshëm.
Po kështu edhe varri i Mic Sokolit që perballoi grykën e topit, është thyer dhe dëmtuar në varrezat e dëshmorëve në Tropojë. Mic Sokoli, ishte luftëtar i shquar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Luftoi kunder Mehmet Ali Pashës, Dervish Pashës.
E mund të vazhdojmë me varrin e Asim Vokshit, të Hasan Prishtinës i thyer dhe i dëmtuar disa herë. Ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare, sidomos me rolin e tij në Kongresin e Lushnjës. E duhet theksuar se gjithë pasurinë e tij ia dhuroi atdheut.
Shtrohet një pyetje e thjeshtë dhe logjike: A e meritojnë keta patriotë këtë qëndrim që mbajmë të gjithë ne, shoqëria në përgjithësi ndaj tyre në këtë 100 vjetor të shtetit shqiptar? Kësaj pyetjeje duhet t’i jepet një përgjigje konkrete.
Letër e nënshkruar: Gjon Neçaj, Tropojë
