Sfida e javës së 21-të të Kategorisë Superiore, Laçi-Kukësi do të vijojë më tek se 90-minutëshi i fushës. Goditja e mbrojtësit të kampionëve të dimrit Dritan Smajli nga ana e publikut vendas pritet të çojë çështjen në Komisionin e Disiplinës që bazuar në Kodin e Disiplinës Sportive do të japë vendimet mbi gjithçka ndodhi në atë ndeshje. Kukësi pretendon të marrë tre pikët në tavolinë pasi sipas tyre dëmtimi i Smajlit ndikoi në gjendjen psikologjike të skuadrës dhe për rrjedhojë edhe në rezultatin e ndeshjes. Megjithatë Neni 66 i Kodit të Disiplinës Sportive flet qartë se në një rast të tillë është vështirë të ndryshojë rezultati teknik i ndeshjes. Më saktë pika 3 e këtij neni dhe paragrafi b tregojnë dënimin që mund të marrë skuadra e Laçit për këtë ngjarje.
“Në rastin e hedhjes së mjeteve ndezëse, hedhjes së fishekzjarrëve, hedhjes së gurëve ose sendeve të tjera brenda rrethimit të fushës së lojës, duke shkaktuar akte të dhunës ose ndërprerje të përkohshme të lojës, sanksionohen me ndalimin e zhvillimit të ndeshjes në stadiumin përkatës për jo më pak se 4 (katër) ndeshje pa spektatorë”, shkruhet në rregullore.
Bazuar në këtë pikë të nenit 66 të Kodit të Disiplinës Sportive, pritet që fusha e Laçit të dënohet me zhvillimin e ndeshjeve në shtëpi pa spektatorë për të paktën 4 sfidat e ardhshme.
