Djali që vuri në lojë Edi Ramën me hajdutin

redaktor

Quhet Arbër Rrapi, është 24 vjeç. Ka përfunduar studimet për informatikë dhe aktualisht punon në një studio programimi ku është themelues. Këto ditë fama e tij është përhapur si ‘virus’ pasi emri i ka dalë në faqe të ndryshme në internet. Shumë portale kanë informuar se djaloshi nga Tirana, ka krijuar një lojë kompjuterike ku protagonist është kryeministri i vendit dhe… hajduti. Kërkuam ta njihnim nga afër Arbërin për të kuptuar më shumë për lojën që ai ka krijuar dhe pasionin e tij për teknologjinë.

Arbër, keni realizuar një lojë “Edi Rama dhe hajduti”. Pse keni zgjedhur që kryeministrin ta vendosni përballë hajdutit?

Vjedhja e energjisë elektrike ishte kthyer tashmë në një problem të madh ekonomik dhe shoqëror dhe ishte pikërisht Kryeministri Edi Rama që mori një rol mjaft aktiv në luftën e madhe kundrejt këtij fenomeni. Zgjedhja ishte krejt e natyrshme dhe mendoj mëse e goditur, për të arritur që loja të kishte vizibilitetin dhe suksesin e duhur.

Si e ndërtuat fabulën dhe kush fiton në fund?

Realiteti jonë i përditshëm na jep dhe më jep shumë spunto për fabula të tilla dhe të ngjashme. Loja është e ideuar në Tiranë dhe në arkitekturën e saj mund të dalloni lehtë ndërtesat e njohura që përbëjnë peizazhin tonë të përditshëm. Është qyteti jonë i mbushur me drita dhe shkëlqim, por në të cilin kemi dhe shumë individë që mundohen në forma të ndryshme, shpesh herë jo korrekte të përfitojnë. Personazhi i parë është “hajduti” i cili kërkon të vjedhë energjinë elektrike dhe personazhi tjetër kryesor është figura e Kryeministrit Rama, i cili përpiqet të kapë “hajdutin” në rrugëtimin e tij drejt burimit të energjisë. Me këtë rast dua të falënderoj stafin e punës dhe Klajdi Dinellari për ndihmën dhe mbështetjen. Se kush fiton në fund, varet nga aftësitë e çdo përdoruesi dhe lojtari.

Arber Rrapi
Arber Rrapi

Është më i fortë Rama apo hajduti në lojë?

Qëllimi im nuk ishte përcaktimi se kush humb e kush fiton apo kush është më i fortë, por mesazhi që përcjell. Gjatë lojës do ta kuptoni që nëse Kryeministri nuk arrin dot të kapë hajdutin, dritat e gjithë qytetit fiken. Në këtë rast do të ishte mirë që Kryeministri të dilte më i fortë, sepse nëse energjia vidhet humbasim të gjithë.

Arbër, kjo është hera e parë që ju krijoni një lojë të tillë?

Një lojë të tillë është hera e parë sepse loja “Edi Rama dhe hajduti” është unike në llojin e saj, por unë kam punuar dhe me aplikacione të tjera dhe jam krijuesi i disa faqeve të internet për kompani të ndryshme. Puna ime kryesore është fokusuar në një faqe e cila ka të bëj me mjekësinë dhe këshillat mbi shëndetin ku secili mund të gjejë informacionet e nevojshme për shëndetin, gjithçka në gjuhën shqipe.

Na thatë që keni përfunduar studimet për shkenca kompjuterike, pse keni zgjedhur këtë degë?

Informatika ka një impakt më të madh në jetën tonë të përditshme. Njëkohësisht të ofron mundësira të pafundme për të përmbushur ambiciet, por edhe për të dhënë kontributin në fusha të ndryshme në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe efektive.

Çfarë ju ka mësuar shkolla në lidhje me teknologjinë?

Studimet në Universitet më kanë mundësuar që të kem një arsimin të plotë dhe njohuri solide në fushën e informatikës, por dhe më kanë dhënë akses në literaturë dhe programime bashkëkohore si dhe një ambient komod dhe mbështetës për të realizuar projektet e mia.

loja-edi-rama-5Në fakt kjo që keni bërë është diçka argëtuese, por a mund ta përdorim teknologjinë në forma të dobishme për veten tonë?

Kjo ishte mënyra që unë zgjodha për të adresuar në një formë më të re e më të drejtpërdrejtë sensibilizimin për një problem kaq social, siç është ai i mospagesës së energjisë elektrike. Teknologjia na lejon të jemi më afër problemeve, zgjidhjeve, përdoruesve si dhe vendimmarrëse. Teknologjia na jep zgjedhje dhe zgjidhje për problem të ndryshme që ne hasim dhe mbetet detyra jonë kryesore që ta përdorim atë si një mjet i jashtëzakonshëm për përmirësimin e kushteve jetësore vetjake dhe të komunitetit.

Çfarë keni ndërmend të bëni pas kësaj loje, keni projekte të tjera?

Jam i bindur që ka shumë të rinj me talent dhe me ide jo vetëm për lojëra, por dhe për aplikacione, dhe të cilëve u mungon mbështetja. Suksesi i kësaj loje ka bërë që të kem shumë mbështetës dhe të kontaktohem prej tyre. Dua që këtë mbështetje të mund t’jua transmetoj dhe të tjerëve, prandaj i ftoj të gjithë të rinjtë që kanë një ide e dëshirojnë të kenë një mbështetje të aplikojnë të faqja www.aplikacioni.com. Idetë më të mira do të përfitojnë mbështetjen time personale teknike si dhe mbështetjen ekonomike që loja të dalë në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar.

Ju na thatë që keni një faqe në internet për mjekësinë, çfarë e lidh një djalë që ka studiuar informatikë me shëndetësinë dhe problemet e saj?

Këto tri vitet e fundit gati e gjithë puna ime është fokusuar të shëndetësia dhe problemet që lidhen me të. Projekti im më i rëndësishëm dhe me të cilin ndihem me krenar, është faqja që kam hapur në këtë fushë (doktoriim.com), e cila sot është platforma mjekësore më e rëndësishme në treg. Kjo platformë jep informacionin më të plotë dhe më të fundit mjekësor nga burime të certifikuara e gjitha ne gjuhën shqipe. Në këtë faqe ofrohet ndihme në aspektin e informimit për çdo problem shëndetësor që mund të keni në mënyrën më të shpejtë dhe më interaktive duke siguruar një komunikim te drejtpërdrejtë me dhjetëra doktorë të regjistruar në faqe. Kjo platformë është një mënyrë tërësisht e re për t’u ardhur në ndihmë pacientëve.

Kjo platformë merr një rëndësi të veçantë sepse çdo klikim është një shqetësim që ka të bëjë me gjënë më të rëndësishme, shëndetin, prandaj përpiqemi që aty të pasqyrojmë gjithçka që lidhet me shëndetin që nga kujdesi gjatë shtatzënisë deri tek fjalori i parë mjekësor elektronik në shqip, të cilin mund ta shkarkoni falas në celularin tuaj.

adfdfCili është aplikacioni i radhës që do të krijoni në këtë fushë?

Nuk dëshiroj të flas për projektet që akoma nuk kam arritur t’i materializoj, por ju siguroj që do të jetë po kaq sensacional sa ky. Do të jetë diçka komplet ndryshe. Dëshiroj që puna ime të jetë sa më e dobishme për çdo njeri.

Ju thoni që ne e përdorim pak teknologjinë, ndërkohë shumë ankohen se kanë krijuar varësi ndaj saj, mos vallë ne e përdorim në mënyrë të gabuar atë?

Çdo brez ka mundësitë e veta për të kontribuar. Unë mendoj që mundësitë e brezit tim janë tek teknologjia e që të rinjtë sot kanë mundësitë dhe aftësitë ta përdorin teknologjinë në shërbim të zgjidhjes së problemeve. Ka shumë probleme në Shqipëri, e besoj se me një klikim mund të zgjidhim shumë prej tyre.

Ju vetë sa kohë harxhoni përballë një kompjuteri?

Aq kohë sa është e nevojshme për të krijuar diçka të mirë.

******

Skema

Energjia duhet paguar

“Loja nuk ishte diçka për të cilën u punua shumë. Gjithçka u bë për 4 ose 5 ditë. Një lojë që ka tri elemente: idenë, grafikën dhe zhvillimin e programit. Më shumë kohë në këtë lojë na ka marrë grafika dhe sidomos personazhi i Edi Ramës. Ne dëshironim që ta shfaqnim sa më real. Mirëpo ai si person ka shumë mimika, edhe ne duhet të zgjidhnim atë të duhurën. Kjo na i vështirësonte pak punën. Kemi bërë shumë skica derisa arritëm në skicën finale. Punuam gjithashtu edhe për të sjellë idenë e Tiranës në sfond, duke ndërtuar pallatin shumëkatësh në qendër, kullën e sahatit dhe xhaminë”, tregon Arbëri në një bisedë me gazetën Dita.

“Figura e kryeministrit është shumë karizmatike. Prandaj e kam vendosur në qendër të lojës, si me figurë, ashtu edhe me audio”, shprehet autori i lojës. Me anë të vështrimeve dhe zërit, personazhi i Edi Ramës i ushtron presion lojtarit, që është në rolin e hajdutit të energjisë elektrike. Pjesa audio është shkëputur nga një fjalim i kryeministrit mbi energjinë. Kjo audio vazhdon të përsëritet gjatë gjithë lojës me zërin origjinal të Ramës.

Kryeministri në lojë thotë: “Pasi janë rreth 150 milionë euro çdo vit që vidhen, humbasin, shpërdorohen, janë 80 deri 100 kilometra rrugë, që në vend që të ndërtohen vit pas viti mbeten të pa ndërtuara. Për këtë arsye hajdutët e energjisë elektrike janë armik i përbashkët i popullit shqiptar, i Shqipërisë sot, i së ardhmes së fëmijëve tanë. Për këtë arsye ne do të jemi në një luftë, që nuk është bërë deri më sot, me çdo hajdut të energjisë elektrike, edhe me çdo gjykatës, që do të guxoj t’i trajtojë hajdutët e energjisë si kalimtarë përpara trupit gjykues, edhe do të mjaftohet me gjoba qesharake, nga 2 mijë lekë të vjetra për hajdutët që i vjedhin këtij populli 150 milionë euro”.

Suksesi i lojës ka qenë një surprizë edhe për vetë 24-vjeçarin. “Jam i entuziazmuar që ka një impakt pozitiv ndaj lojës. Shpresoj që loja t’i pëlqejë kryeministrit, që edhe ai të ketë mundësinë të luajë me të. Jam i bindur që mund të bëhen më shumë përpjekje në zhvillimin e programeve dhe lojërave, pasi ka të rinj të talentuar, që nuk shfrytëzohen sa duhet për shkak të mungesës së mbështetjes”, shton ai.

Arbri është themelues dhe drejtues i një faqeje dedikuar shëndetit e cila quhet “doktoriim.com”, faqe mbi të cilën ka punuar më shumë se tri vite, si edhe të një studioje programimi. Ideja për të bërë një lojë me temën e vjedhjes së energjisë ka ardhur si një mënyrë për të ndërgjegjësuar njerëzit që të paguajnë energjinë.

*******

Si luhet?

Që të kesh sukses në lojë duhet të jesh një “hajdut” i kujdesshëm. Loja nis me një hajdut, i cili zbret nga shtylla e energjisë elektrike me një kabull në dorë. Duke prekur ekranin, lojtari bën që hajduti të lëvizë. Ai duhet të jetë i fokusuar me sytë e kryeministrit Rama, pasi nëse ai (kryeministri) kthen kokën, hajdutin e zë korrenti. Duhet ta heqësh dorën nga ekrani i celularit, nëse kryeministri kthen kokën. Nëse arrin ta çosh hajdutin deri te shtëpia e vet, ku ai vendos kabullin në prizë shtëpia e tij ndriçohet, por qyteti zhytet në errësirë. Kjo lojë ka vetëm një nivel, por sfida për çdo lojtar është të vendosë një rekord të ri kohe.

Share This Article
11 Comments
    • Duket se nje dite ky djale do te behet i famshem ne krijimin e shume lojrave kompjuterike shqipetare. Jam kurioz te di se ku ka studiuar, ne UT apo ndonje fakultet privat?

  • Edhe “DITA” që mendohej se ishte e pavarur, qënka levë e pushtetit…I thoni këtij filmaxhiut që të bëjë edhe një filëm se si vjedh shteti nëpërmjet OSSHE…dhe pastaj ato që vjedh, thotë se ja fal popullit…

  • O Patriot, ku e sheh lidhjen me pushtetin ti se nuk e marr vesh. A ju jeni te pjerdhur, cdo gje e lidhni me pushtetin se ndoshta nuk beni vete dot pa te. Lere Dita-n ne punen e saj fisnike, mos fut fitila kot se nuk eshte vendi

  • Mesa pashe lojen, eshte krijuar ne flash, me skripte gati nga loje origjinale ku vetem jane edituar teksten dhe imazhi rames. Ndersa per faqe interneti ka me qindra te rinja shqiptare qe po krijojne te tilla me cms, wp,apo te tjera, skuptoj ku eshte lajmi te ky artikull !?apo u tha nga permbytjet jugu

  • Me shume se sa loje, mendoj se eshte nje mesazh ndergjegjesues qe jepet ne forma te tjera, edhe nepermjet lojes. Te gjithe duhet ta kuptojme qe energjia duhet paguar, pavarsisht kushteve dhe mundesive ekonomike.

  • Komplimenti per invensionin.shqiperia ka shume nevoje per njerez si ju.por si e priti km kete aplikacion? Duke ju falenderuar dhe pergezuar per punen tuaj te dobishme per te gjithe , ju uroj pune te mbare.dhe shpresojme qe te kemi sa me shume njerez te dobishem qe shqiperia ka shume nevoje, pasi na mbyten parazitet, te paaftet dhe injorantet te cilet edhe na drejtojne!!!!!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *