Riorganizohen programet e studimit në fushën e mësuesisë

redaktor

Projektligji i arsimit të lartë riorganizon programet e studimit në fushën e mësuesisë. Sipas ndryshimeve të propozuara nga komisioni i ekspertëve për të ushtruar profesionin e mësuesit ndjekja e studimeve në dy nivele universitare do të jetë e detyrueshme, si në rastet kur kandidati do të punojë si mësues në arsimin parashkollor e fillor, ashtu dhe pranë shkollave të mesme. Në nenin 85 të projektligjit thuhet se programet e studimit në fushën e mësuesisë organizohen në dy cikle studimi dhe formojnë mësues sipas përcaktimeve të ligjit për arsimin parauniversitar. Në këto kushte, programi i ciklit të parë “Bachelor” organizohet në tre vite studimi me 180 kredite dhe studimet e ciklit të dytë organizohen në një ose dy vite me 60 ose 120 kredite, respektivisht në programet “Master profesional”, ose “Master i shkencave”. Po sipas përcaktimeve të bëra, programet e studimit që formojnë studentët në profesionet e rregulluara, duhet të kenë përmbajtje të ngjashme në nivel jo më të ulët se 80 për qind, me përjashtim të rasteve të programeve të përbashkëta të studimeve me institucione të huaja të arsimit të lartë.

Studimet për mësuesit e fillores

Programet e studimit në fushën e mësuesisë për arsim parashkollor dhe arsimin fillor do organizohen në dy cikle. Program i ciklit të parë “Bachelor”, në varësi të drejtimit të zgjedhur. Ndjekja e këtij programi u jep të drejtën të diplomuarve që të mund të punësohen si ndihmës-mësues. Ndërsa programi i ciklit të dytë “Master profesional”, në varësi të drejtimit të zgjedhur, u jep të drejtën kandidatëve që të mund të punësohen si mësues të arsimit parashkollor ose fillor. Sigurisht që në këtë rast pas mbylljes së studimeve duhet të shlyejnë edhe detyrimet përkatëse që rrjedhin nga ndjekja e praktikës profesionale si dhe procesi i licencimit.

Studimet për mësuesit e gjimnazeve

Për kandidatët që duan të punësohen në shkollat e mesme pas ciklit tre vjeçar nuk do të vlejë ndjekja e Masterit profesional, por kërkohet ndjekja e studimeve të nivelit të dytë shkencor. Edhe në këtë rast programet e studimit në fushën e mësuesisë në arsimin e mesëm organizohen në dy cikle të njëpasnjëshme, respektivisht program i ciklit të parë “Bachelor” dhe program i ciklit të dytë të studimeve “Master i shkencave” në disiplinën përkatëse në përfundim të të cilëve përgatiten mësues të arsimit të mesëm të ulët dhe të lartë. Organizimi i programeve të ciklit të dytë të studimeve për përgatitjen e mësuesve duhet të jetë i ngjashëm së paku në masën 80 për qind në nivel kombëtar.

Praktika mësimore

Një tjetër ndryshim i parashikuar në projektligj është edhe njohja e praktikës mësimore si eksperiencë pune. Konkretisht, bëhet fjalë për praktikën që mësuesit duhet të zhvillojnë para dhënies së provimit final të licencimit. “Praktika mësimore pranë institucioneve te arsimit parauniversitar para provimit të licencimit konsiderohet si vit pune”, detajohet në projektligj.

Transferimi i studimeve

Institucionet e arsimit të lartë ofrojnë mundësi për transferimin e studimeve dhe njohjen e krediteve midis programeve të të njëjtit cikël studimi, brenda të njëjtit institucion apo institucioneve të ndryshme të arsimit të lartë. Ndërkohë që do të jenë rregulloret e institucioneve dhe të njësive bazë, të cilat do të përcaktojnë kriteret dhe procedurat e njohjes së krediteve për transferimin e studimeve. Vendimi për njohjen e plotë ose të pjesshme të krediteve të grumbulluara nga një student, me qëllim vazhdimin e studimeve, i takon njësisë bazë të institucionit të arsimit të lartë, që pranon studentin.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *