Kur socialistët tradhëtojnë

redaktor

Pas fitores së Syriza-s në Greqi dhe pas rritjes konfirmuese të Podemos në Spanjë, radikalët e majtë kanë shpërthyer edhe në Portugali. “Tempo de Avancar” është lëvizja e majtë radikale, që po formësohet në ndjekje të modelit grek dhe spanjoll. Ndonëse në hapat e parë të krijimit të saj, duket se suksesi i Syriza-s dhe fuqizimi i Podemos, po shkaktojnë një organizim të mëtejshëm të së majtës radikale. Por, ç’po ndodh realisht me të majtën në disa prej vendeve evropiane dhe a mund të flasim për një krizë identiteti dhe rrëshqitje ideologjike?

Majtas apo djathtas 

Skena politike në Portugali mbase mund të shpjegojë më mirë fenomenin e konfuzioneve ideologjike. Një nga partitë kryesore, që ka qëndruar më gjatë në pushtet, partia Social-Demokrate, në bazë të këtij emërtimi ideologjik, në parim të paktën mund të mendohet se i përket të majtës, apo qendrës së majtë.

Por, jo, është tërësisht e kundërta.

Ajo është një parti e djathtë dhe në Parlamentin Europian militon në radhët e PPE-së, pra frontit të djathtë. Si ideologji, kjo parti mban linjën e liberalizmit në ekonomi dhe ka një fokus konservator social me një tendencë frymëzuese nga roli i kishës. Por, kjo nuk është e vetmja parti, pasi edhe partia tjetër Demokrat-Socialistët e qendrës, në Portugali janë gjithashtu anëtarë të PPE-së, në PE.

Në vijimësi të fenomenit të mësipërm, ajo që po vërehet prej kohësh në spektrin e majtë të disa prej vendeve kryesore të BE-së, është rrëshqitja ideologjike nga programi i së majtës. Nga njëra anë kriza ekonomike dhe efektet e saj në Greqi, Spanjë dhe së fundmi në Portugali po konfirmon rrëshqitjen ideologjike të së majtës, tërësisht në funksion të pushtetit dhe politikave, që imponohen nga e djathta në nivel evropian.

Por, përtej vendeve të krizës, ajo që po vërehet në vende të tjera si Britani e Madhe apo Francë, është se e majta ka përthithur gradualisht elementë, që gjithashtu bien ndesh tërësisht me ideologjinë e saj dhe kjo thjesht në favor të rritjes apo fuqizimit të votave.

Britania e Madhe

Britania e Madhe mund të shërbejë ndoshta si një model për të kuptuar se si ideja partiake për të fuqizuar votën, për më shumë pushtet, shpërfill edhe vetë bërthamën ideologjike, si vlerë primare ekzistenciale.

Fuqizimi i UKIP dhe retorika e tij anti-BE dhe anti-imigracion, ka bërë që përveç të djathtës, pra Konservatorëve edhe të majtët, Laburistët të rrëshqasin nga boshti ideologjik partiak.

Ekstremi i djathtë në Britani dhe jo vetëm në Britani por edhe në Holandë, Austri apo Hungari, është në fuqizim me një kombinim perfekt të ksenofobisë, autoritarizmit, konservatorizmit social dhe mohimit të shumë formave të barazisë sociale dhe kolektive.

Por, teksa vlerat e së majtës, identifikohen ndër të tjera me tolerancën, barazinë, gjithëpërfshirjen dhe mosdiskriminimin ato kanë “humbur” të paktën nga retorika publike partiake. Nëse ekstremi i djathtë, UKIP po triumfon duke propaganduar shkatërrimin e vlerave të mësipërme, dhe konservatorët për arsye mbijetese kanë rrëshqitur drejt përthithjes së kësaj propagande, kush do të jetë garanti i ruajtjes së këtyre vlerave? Nëse e majta, nuk garanton më mbrojtjen e principeve të saj bazë ideologjike, a kemi të bëjmë me një krizë të fortë identiteti? A mund të justifikojë dëshira për pushtet apo zgjerimin e votës, mohimin e vlerës ekzistenciale ideologjike ?

Kur pragmatizmi shkatërron ideologjinë

Logjika argumentuese të çon drejt reflektimit se pikërisht kriza e fortë e identitetit, që po vërehet në spektrin e së majtës, po ndikon në fuqizimin si të radikalizmit të majtë, por edhe atë të djathtë. Nëse e majta do të pozicionohej fuqishëm në mbrojtje të vlerave kryesore ideologjike, nuk do të ishte e mundur për ekstremin e majtë të fuqizohej në këtë shkallë në Greqi, Spanjë dhe në këto momente në Portugali. Nëse, kundërshtimi i masave shtrënguese ekonomike në këto vende do të ishte i fuqishëm nga spektri i majtë, terreni për zhvillimin e radikalizmit të majtë, do të ishte thuajse i pamundur.

Nga ana tjetër, pikërisht kundërshtimi i këtyre masave, që duhet të mbrohej nga e majta, është “rrëmbyer” si projekt nga e djathta ekstreme. Në retorikën e së djathtës ekstreme, po bën pjesë pikërisht kriza ekonomike dhe kundërshtimi i masave shtrënguese. Nën një ideologji fashiste dhe për të thithur një elektorat sa më të gjerë e djathta ekstreme, po akuzon gjithnjë e më shumë për një aparteid financiar, duke lundruar në ujëra, që tashmë duhet të ishin objektiv i së majtës. Por, e majta siç duket mes një kompromisi për mbajtje apo mbështetje në heshtje të pushtetit, ka braktisur bërthamën bazë ideologjike. Dhe në këtë përhumbje identiteti, po lundron edhe në ujërat e së djathtës, me synim thithjen e elektoratit. Pra, kemi të bëjmë me një moment ku pragmatizmi i tejskajshëm, po shpërfill dhe shkatërron edhe vetë ideologjinë.

Elektorati i majtë, që aktualisht pret jo vetëm reagim ndaj masave shtrënguese financiare, por edhe një përgjigje ndaj çështjeve të ndjeshme si toleranca, imigracioni, të drejtat e njeriut dhe barazinë sociale, nuk po i shikon aspak këto të fokusuara tek spektri i majtë. Çka ka zhvendosur vëmendjen tërësisht drejt ekstremit të majtë, që ofron një platformë rregulluese si ekonomike por edhe sociale, apo edhe ekstremit të djathtë aty ku radikalizmi i majtë është i paralizuar. Kjo është edhe arsyeja pse fitorja e Syriza-s u prit çuditërisht me hare nga nacionalistët e Le Pen në Francë. 

Lëvizjet e fundit në Portugali nga ekstremi i majtë, sipas vlerësimeve, duket se më shumë po krijohen nën efektin e fitoreve të fundit, të Syriza-s në Greqi, por edhe rritjes së Podemos në Spanjë. E majta në Portugali ka dështuar tërësisht si në humbjen e fundit elektorale, por edhe në ringritjen e saj përgjatë kësaj kohe. Çfarë po krijon hapësirën e duhur për veprim të radikalizmit të majtë. Por, nëse Greqia dhe Spanja njohin mobilizime të mëdha sociale, si në protesta por edhe në veprime lokale sociale, nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për Portugalinë.

Gjithsesi tendenca që po vërehet me vendet e Jugut, konfirmon si dështimin e politikave të djathta në nivel evropian mbi karakterin e masave shtrënguese, por edhe dështimin e së majtës tradicionale në mbrojtjen e boshtit të saj ideologjik. Kriza e identitetit e së majtës, që po luhatet mes kompromisit qeveritar dhe rrëshqitjes drejt politikave të djathta, nuk shërben veçse për fuqizimin e ekstremeve si majtas, por edhe djathtas. Nëse, nuk do të ketë reflektime të nevojshme politike si në nivel evropian por edhe kombëtar përgjatë viteve në vijim, zgjedhjet e ardhshme evropiane mund të përballen edhe me një fenomen të ri zgjerimi të spektrit euroskeptik, ndoshta në nivele ende të paimagjinueshme. Në fund të fundit logjika popullore ka konfirmuar se kush tradhton, edhe tradhtohet. Thjesht është çështje kohe. /im.ta/

Share This Article