Letër e nënshkruar
Pjetër Buba, Rubik
Megjithëse Zalo Bubën e kisha njohur nëpërmjet gazetës “Zëri i popullit” 1976-1980, personalisht më ka rënë rasti ta njoh po në këto vite në një udhëtim që bënte ai për në Mirditë. Nuk e kam në kujtesë datën, por isha i angazhuar në kontrollin e qarkullimit rrugor dhe më koinçidoi rasti të kontrolloja një autobus të linjës Laç-Rrëshen. Në sediljen e parë, aty afër derës, së pari u takova me dy persona. Si rregull i mirësjelljes, i përshëndeta të gjithë udhëtarët dhe fillova kontrollin së pari me letërnjoftimet. Këtu, menjëherë u ballafaqova me mbiemrin tim! U habita! Asgjë tjetër më tej. E përqafova të shtrenjtin Zalo dhe i thashë: “Qenkemi të një gjaku, pasi edhe unë kam të njëjtin mbiemër.” Fjalët e të madhit Agolli, janë fjalë të mëdha dhe të arta, kur thotë se të gjithë shqiptarët janë kushërinj! E sot, kur nëpërmjet DITA-s lexoj për ndarjen nga jeta të këtij njeriu, mërzitem pa masë, qoftë dhe pa i njohur asnjë nga të afërmit e tij, por nuk ka gjë! Unë jam një nga të afërmit e tij dhe ndjej hidhërim shumë të thellë. Me këtë rast ngushëlloj nga thellësitë e zemrës time të gjithë njerëzit e tij duke i këshilluar të mbahen të fortë, pasi Zalo i ka përfaqësuar me dinjitet në jetën e tyre.
