I nderuar lexues! Mali i Skënderbeut ndodhet në kufirin midis rrethit të Krujës dhe atij të Matit me lartësinë më të madhe 1724 m (Maja e Liqenit). Shtrihet nga lugina e lumit të Matit në veri dhe deri te Qafa e Shtamës në jug, me gjatësi 22 km e gjerësi 2-5 km. Bën pjesë në Vargmalet Perëndimore. Relievi është shumë i copëtuar nga përrenjtë, degë të lumit të Matit dhe të Ishmit. Shpatet janë të rrëpirëta, kurse relievi i valëzuar, vende-vende me forma akullnajore e karstike. Në anën verilindore, rreth 200 m poshtë majës më të lartë gjenden dy liqene të vogla akullnajore, që i kanë dhënë emrin edhe majës. Mali është i veshur me bimësi të dendur.
