Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, në prag të ndeshjes me Kukësin në “Zeqir Ymeri”, kërkon t’u vërë kapak polemikave të sfidës me Skënderbeun, me drejtuesit korçarë që vazhdojnë të pretendojnë për një 11-metërsh të pa dhënë. Për trajnerin e të kuqve nuk ka vend për debat, pasi Kridens Meta vërshëlleu para se topi të goditej nga futbollisti i Skënderbeut.
“Më vjen keq që thuhet se Skënderbeut iu anulua një gol, kur në fakt, Kredens Meta ka vërshëllyer për faull në dëm të Racicit para se topi të goditej nga futbollisti i Skënderbeut. Ai ishte faull i rëndë apo i lehtë ky vendim i përket gjyqtarit”.
Më pas Duro kthen sytë nga transferta me Kukësin, ku nuk do të ketë në dispozicion dy lojtarë të formacionit bazë, Mentor Mazrekajn dhe Stevan Racic. “Unë kam shumë besim te futbollistët e mi, pavarësisht se kush do të luajë titullar. Sigurisht që Racic dhe Mazrekaj janë mungesa të rëndësishme, por nuk do të thotë se Partizani nuk do të fitojë sërish”.
Trajneri i të kuqve kërkon të heqë presionin nga futbollistët e tij, duke kujtuar se edhe në rast humbjeje Partizani do të vazhdojë të jetë pretendent për titull. “Unë jam krenar për këtë skuadër, sepse jemi superiore në përballjet me rivalët tanë. Kjo do të thotë shumë. Edhe nëse humbasim, sërish do të jemi pretendentë për titull”.
Mbrojtja e kuqe, deri tani më e mira e kampionatit, përballë Pero Pejicit, golashënuesit më të mirë të Superiores, por statistikat e sulmuesit kroat nuk do të thonë asgjë për Duron. “Pejic është sulmues i mirë po me sa di unë nuk u ka shënuar skuadrave pretendente”.
