Çani: Nuk u mendova dy herë për ofertën e Leeds

redaktor

Edgar Çani po shijon në maksimum transferimin e tij në Angli te Leeds United. Sulmuesi shqiptar disa ditë më parë la përfundimisht Catanian për të firmosur një kontratë me një nga klubet që ka bërë historinë në futbollin anglez duke fituar tre herë kampionatin një herë Fa Cup, ndërkohë që Leeds-i regjistron edhe dy finale të humbura një në Champions League dhe 1 në Kupën e Kupave.

Aktualisht skuadra nga Elland Road nuk po kalon momentin saj më të mirë pasi luan në Championship dhe pozicionohet pas 30 javëve të para pozicionohet në vendin e 17-të në kuotën e 35 pikëve. Por pavarësisht gjëndjes aktuale në të cilën ndodhet Leeds-i transferimi i Çanit në Angli mund të konsiderohet një hap shumë cilësor për karrierën e tij. Futbollisti shqiptar i cili debutoi me verdheblutë në ndeshjen ndaj Brentford në një intervistë theksoi se e dëshironte jashtëzakonisht shumë këtë transferim.

“Prej kohësh e dëshiroja të kisha një eksperiencë të tillë, në kampionatin anglez. Të transferohesha këtu ishte një ide që më tërhiqte shumë dhe jam i lumtur për këtë. Bilanci i parë për kalimin tim te Leeds United? Sigurisht që është shumë pozitiv”, tha Çani.

Më pas Çani tregoi arsyet e largimit nga Catania. “Nuk po luaja shumë, edhe pse në momentet që jam aktivizuar kam treguar gjithmonë cilësitë e mia. Në fund të fundit e dëshiroja këtë transferim te Leeds-i dhe jam i kënaqur me zgjedhjen time”, shtoi sulmuesi.

Për Edgar Çanin shfaqi interes edhe skuadra e Barit, por 25-vjeçari përpara Leeds United nuk mund të vendoste asnjë alternativë tjetër. “Është e vërtetë që Bari ka treguar interesim të madh ndaj meje. Megjithatë sapo mu dha mundësia për tu transferuar në Angli unë nuk u mendova dy herë”, theksoi shqiptari.

Edgar Çani është një sulmues që premton shumë dhe për kombëtaren kuqezi edhe pse gjatë periudhës së fundit ai nuk është grumbulluar nga trajneri Gianni De Biasi. Në 15 ndeshje që ka zhvilluar në total me Shqipërinë, Çani ka arritur të realizojë 4 gola dhe objektivi i radhës për të është të rifitojë vendin në kombëtare.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *