Largohet Alavaro Morata dhe vjen Edinson Cavani, është kjo ideja më e fundit e drejtuesve të Juventusit. Reali i Madridit dëshiron të rikthejë në Santiago Bernabeu, 22-vjeçarin spanjoll të cilin ja shiti bardhezinjëve për rreth 20 milionë euro, dhe tashmë mund ta blejë për 30 milionë euro, pasi një klauzolë e tillë është përfshirë në marrëveshjen mes dy klubeve që bëri të mundur transferimin e Moratës në Torino. Sulmuesi i La Rojas më në fund ka filluar të shpërthejë me fanellën e Juventusit, dhe Los Blancos dëshirojnë ta rikthejnë menjëherë në Madrid, Moratan pasi kanë besim në aftësitë e tij. Juventusi nuk mund bëjë asgjë për të ndaluar largimin e talentit iberik dhe në këtë mënyrë ka hedhur sytë nga bomberi uruguaian i Paris Saint Germain.
Edinson Cavani shpeshherë ka shprehur dëshirën për tu larguar nga kampionët e Francës pasi në Parc Des Princes nuk ndihet shumë komod dhe Juventusi është gati ti rihapë atij dyert e kampionatit italian. Marrëdhëniet e 27-vjeçarit amerikano-jugor me trajnerin Laurent Blanc nuk janë të mira për vetë faktin se tekniku francez i jep më shumë përparësi suedezit Zllatan Ibrahimovic në majën e sulmit të skuadrës pariziene madje Cavanin e aktivizon në një pozicion të ndryshëm nga ai natyral pra si sulmues krahu dhe dicka e tillë ka bërë që uruguaiani të kërkojë me ngulm largimin nga kryeqyteti francez. Juventusi është në pole-position për të firmosur me të edhe pse vlera e 27-vjeçarit në merkato kap shifrën e 55 milionë eurove, një shumë disi e lartë kjo për arkat e bardhezinjve. Megjithatë nëse drejtuesit e Parisit vendosin ti ulin disi kërkesat e tyre ekonomike, Juventusi është gati të rikthejë Cavanin në Serinë A. Aktualisht ish-sulmuesi i Napolit përfiton 9 milionë euro në Parc Des Princes, por uruguaianit i kanë mbetur edhe tre vite kontratë me klubin parizien ndërsa kampionët e Italisë i ofrojnë atij në marrëveshje 5-vjeçare, edhe pse me një pagë disi më të ulët.
El Matador për Juventusin do të ishte në radhë të parë edhe zëvendësuesi ideal i Tevez, me Apashin që ka bërë të ditur largimin nga Torino në 2016-n me destinacion Boca Juniors-in.
