Legalizimet, 2 zyrtarë dënohen, 2 të lirë

redaktor

Gjykata e Sarandës dha dje vendimin duke pranuar pjesërisht kërkesën e Prokurorisë, për shpalljen fajtorë të dy ish-zyrtarëve të ALUIZNI-t, ndërkohë që për dy të pandehurit e tjerë është pushuar çështja. Por ky vendim ka sjellë pakënaqësinë e organit të akuzës, që kishte kërkuar pothuajse trefishin e masës së dënimit për të gjithë dhe çështja pritet të dërgohet në Apel.

Vesel Koçiu, ish-drejtor i ALUIZNI-t Sarandë, u dënua me 6 muaj burgim dhe Laert Cane, ish-përgjegjës i ALUIZNI-t, po me 6 muaj burgim. Pushim i çështjes u bë për ish-specialistët Feti Deromenaj dhe Manjola Nikollo. Gjykimi ndaj këtyre të pandehurve është zhvilluar me procedurë të shkurtuar. Ndërkohë, po vijon me procedurë normale gjykimi për të akuzuarin e pestë të kësaj çështje, Roland Tafilaj, ish-drejtori rajonal i ALUIZNI-t Vlorë, i dënuar më parë nga gjykata për legalizimet dhe me dosje të tjera nën hetim paralelisht. Zyrtarët u akuzuan në bazë të një dosjeje të KLSH-së për legalizimet e paligjshme dhe dëmin financiar në Vlorë-Sarandë.
Prokuroria i akuzoi për “shpërdorim detyre” në procesin e legalizimit të objekteve në zonën e Ksamilit, në Sarandë. Prokuroria e Sarandës ka nisur hetimin prej më shumë se një viti, në bazë të një kallëzimi të mbërritur nga KLSH. Nga hetimi, prokuroria ka krijuar bindjen se shtetasit e akuzuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhënë leje legalizimi në të paktën 24 raste të për objekte shërbimi (lokale dhe hoteleri) në Ksamil, të cilat janë ngritur në vijën bregdetare, ose pranë saj, si edhe në zona arkeologjike, muzeale e turistike. Pra, në zona ku është totalisht e palejuar të ndërtohet dhe, as të legalizohen.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjykata, ka pranuar pjesërisht kërkesën shpalljen fajtor të dy prej të akuzuarve, por edhe për këta dy të akuzuar ka dhënë vendime dukshëm më të ulëta, krahasuar me kërkesën e prokurorisë. Prokuroria kishte kërkuar 2-4 vite burgim me gjykim të shkurtuar për zyrtarët. Kurse ish-drejtori i Vlorës, Tafilaj, u dënua në procesin e parë gjyqësor për legalizimet në Vlorë me një vit e gjysmë burgim dhe dosja ndodhet ende në Apel. Kjo është çështja e dytë ndaj tij për legalizimet e Sarandës, ndërsa ka ende në gjykim edhe një dosje të tretë. Aktiviteti i dyshuar është kryer gjatë periudhës 2011-2013. Prokuroria e Sarandës po përgatit ankimin në Gjykatën e Apelit Gjirokastër.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *