Në shkollat shqiptare dominon të mësuarit përmendësh

redaktor

Nxënësit shqiptarë që në fillimet e tyre orientohen më shumë në të mësuarit përmendësh se sa në formimin e kompetencave, çka tregon se në shkollat shqiptare dominon niveli i ulët dhe ai mesatar i cilësisë. Ky fakt është raportuar në vlerësimin kombëtar të kryer mbi arritjet e nxënësve të klasave të 3-ta dhe të 5-ta në vend, për tre lëndët bazë, matematikë, gjuhë shqipe, si dhe dituri natyre. Rezultatet e testimit kombëtar të kryer tek këta nxënës flasin për mangësi të shumta sa i takon dijeve që marrin në shkollë, të cilat nën trysninë e të mësuarit përmendësh, ekzistencës së shumë teksteve për të njëjtën lëndë, kualifikimit të dobët të mësuesve, çojnë në arritje të nivelit të ulët dhe atij mesatar. Ndonëse në testin e zhvilluar për gjuhën dhe matematikën mbi 80 për qind e nxënësve në të dyja klasat janë vlerësuar me nota kaluese, është vënë re se pjesa dërrmuese e tyre nuk dinin të zgjidhnin një problem apo të shkruanin një ese. Kjo problematikë shfaqet edhe më e theksuar tek nxënësit e klasave të 5-ta. ”Shkak për këto problematika mbetet ekzistenca e niveleve të ndryshme të cilësisë në mësimdhënie gjatë procesit mësimor, kjo më e dallueshme mes qytetit dhe fshatit, mes sistemit publik dhe atij privat, si dhe niveli i ndryshëm i kualifikimeve të mësuesve, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në arritjet e nxënësve”, citohet në raportin e vlerësimit. Rezultatet e dala tregojnë epërsinë në nota të nxënësve që vijojnë mësimin në shkollat private, krahasuar me ata të shkollave publike. Referuar testit vlerësohet se në rang kombëtar nxënësit e klasës së 3-të janë në gjendje që mesatarisht të zgjidhin më shumë se gjysmën e kërkesave të testit, ku vajzat kanë arritje pak më të larta se djemtë, po ashtu edhe shkollat private kanë arritje më të larta se ato publiket. Tek kjo kategori nxënësish mesataren më të lartë të pikëve e ka Gramshi, Devolli dhe Gjirokastra. Ndërsa drejtoritë rajonale arsimore me vlerësimet më të ulëta raportohen të jenë Bulqiza dhe Kurbini. Për klasat e pesta raporti tregon se ata janë në gjendje që mesatarisht të zgjidhin më shumë se gjysmën e kërkesave të testit. Mesataren më të lartë të pikëve e ka Gjirokastra, Pogradeci dhe Shkodra. Ndërsa drejtoritë më të dobëta pohohet të jenë Bulqiza, Hasi, Kruja, Kurbini, Mati, Puka,Tepelena, Skrapari, Berati dhe Dibra.

Gjetjet e studimit për matematikën dhe gjuhën

Nga analiza e treguesve u vu re se nxënësit janë të aftë të dallojnë fjalinë, llojet e saj, të krijojnë fjali, të identifikojnë informacioni e duhur në tekst, të gjejnë cilësi të personazheve, të gjejnë kryefjalën, ndërsa në matematikë janë të aftë të kryejnë veprime, mbledhje- zbritje, shumëzim, rrumbullakosin dhe shkruajnë numrat me fjalë, si dhe të dallojnë njësitë bazë të matjeve. Por, këto arritje janë kryesisht të një niveli mesatar, pasi vijimi i përgjigjeve të vlerësuara flet për vështirësi: “Në arsyetime, zgjidhjen e ekuacioneve, pjesëtimin dhe mënyrën si e strukturojnë gjetjen e zgjidhjes së problemës, shtrimin e problemës me 2-3 veprime”. Rreth 63 për qind e nxënësve pothuajse nuk dinin të zgjidhnin një problemë. Ata shfaqnin mangësi të shumta në dhënien e përfundimeve, gjetjen e mesazhit të pjesës tek testi i gjuhës, etj. Lidhur me pyetjen “Të shkruajmë”, raporti vuri në dukje se kjo është një nga pyetjet, kur në të dy klasat (3 dhe 5) nxënësit shfaqën probleme serioze. Fiktiviteti në vlerësimin e nxënësve gjatë procesit mësimor është një tjetër shkak që mund të ketë çuar në rezultate jo të kënaqshme. Gjithashtu vihet në dukje edhe fakti se mungesa e kritereve kombëtare të vlerësimit në shkollë, të qarta dhe të sakta, ka sjellë pështjellim në vlerësimin me notë të nxënësve. Më shumë se gjysma e nxënësve të testuar janë vlerësuar me 0 dhe 1 pikë në rubrikën e të shkruarit

Shkaqet e rezultateve të dobëta

Hartuesit e këtij raporti sqarojnë se arsyet e këtyre rezultateve lidhen me punën e pamjaftueshme që zhvillohet me nxënësit në drejtim të të shkruarit dhe të lexuarit. Të dyja këto kompetenca të gjuhës jepen në mënyrë thuajse të ndarë në tekstet shkollore (madje në orë të veçanta edhe pse programi thekson integrimin midis tyre), po në të njëjtën mënyrë u mësohen nxënësve edhe nga ana e mësuesve. “Fjalori i varfër që bie në sy, mungesa e vijueshmërisë së mendimit kur përshkruajnë, paaftësia për të gjetur një alternativë tjetër për mbylljen e një tregimi, gabime të shumta në drejtshkrim, shenja pikësimi dhe shkronjë e madhe, lidhen ngushtësisht edhe me leximin e pakët që nxënësit bëjnë jashtë shkollës. Gjithashtu mungesa e zhvillimit të kompetencës së të lexuarit, që vihet re në testin e gjuhës shqipe, është e dukshme edhe në testin e matematikës, pasi nxënësit nuk lexojnë mirë kërkesat e pyetjes. Kjo shfaqet në zgjidhjen e problemës, në hartimin e pyetjeve dhe nxjerrjen e përfundimit të saj”, sqarohet në raport. Sipas tyre, mungesa e koherencës midis linjave të programit lëndor dhe teksteve të shumta alternative, si dhe përdorimi i termave të ndryshme për të njëjtin koncept në tekste të ndryshme në gjuhën shqipe dhenë matematikë, ka sjellë vështirësi për ndërtimin e një testi që përfshin të gjitha linjat e programit, pa penalizuar nxënësit. “Shumë nga dobësitë e nxënësve, të vërejtura nga analiza e të dhënave, e kanë burimin te mësimdhënia që zbatohet në shkollë, e cila synon të vërë theksin tek njohuritë dhe aftësitë etestuara dhe jo në të gjitha objektivat e shpallura në kurrikulën mësimore ”, theksojnë ekspertët e AKP-së.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *