Lëvizja e lirë e personave, apo hapësira Shengen është një nga pikat e ndjeshme, sidomos kur bëhet fjalë për kufizimin e mundshëm të saj. Mbledhja e shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare këtë javë në Bruksel, u fokusua edhe mbi masat anti-terror. Platforma udhërrëfyese ishte e përqendruar në tre akse, ku njëri prej tyre prekte edhe hapësirën Shengen. Por, çfarë synohet nëpërmjet rishikimit të saj dhe a po shkohet drejt një “Shengeni me kontrolle të brendshme” ?
Ndonëse lëvizja e lirë është një nga vlerat e pamohueshme të Unionit Europian, ajo nuk ka krijuar asnjëherë një unitet të përbashkët, duke rikthyer vazhdimisht vëmendjen drejt rishikimit të domosdoshëm të saj. Siç dihet, Britania e Madhe dhe Irlanda nuk kanë pranuar të jenë pjesë e kësaj hapësire. Por, përtej Britanisë dhe Irlandës, herë pas here edhe shtete të tjera ose kanë shkelur përkohësisht rregullat e konventës, si Danimarka, ose kërkojnë rishikimin në thelb të saj, si Franca nën Sarkozi, apo Gjermania në mbështetje të Francës, Belgjika apo Spanja.
Por, a mund të flasim për një nostalgji të pastër ndaj një eksluziviteti të munguar kombëtar, apo kemi të bëjmë më tepër me një retorikë të nevojshme në periudha delikate të politikave të brendshme kombëtare?
Nëse vëzhgojmë rastin e Danimarkës dhe rifutjen e kontrollove në pikat kufitare në vitin 2011, sigurisht që kemi të bëjmë me një kombinim të nostalgjisë dhe pragmatizmit. Ekstremi i djathtë në Danimarkë me retorikën e tij anti-BE dhe anti-imigracion kishte krijuar një bazë të gjerë elektorale, me përfaqësim të konsiderueshëm në parlament. Përfaqësim, që detyronte qeverinë e kryeministrit Rasmusen të binte në kompromise të përkohshme me ekstremin e djathtë, duke sakrifikuar lëvizjen e lirë jo vetëm të personave, por edhe të mallrave dhe shërbimeve.
I njëjti fenomen, është konstatuar edhe në Francë me rritjen e ekstremit të djathtë dhe retorikën anti-BE dhe anti-imigracion. Me një rritje elektorale të konsiderueshme, FN, arriti të shkaktojë edhe rrëshqitje në retorikën e të djathtës, duke bërë që edhe Sarkozi të kërkojë rifutje të kontrolleve të brendshme dhe rishikim të politikave të Shengenit. Kjo nën problematikën e imigracionit ilegal, që nuk mund të kontrollohej.
Logjikisht, hapësira është e mjaftueshme për të menduar se, kemi të bëjmë si me një nostalgji të pastër ndaj prioriteteve kombëtare, duke kundërshtuar në këtë mënyrë edhe politikat e BE-së, por edhe me një kombinim të kësaj nostalgjie me pragmatizmin në skenën e brendshme politike kombëtare.
Të dyja rastet e mësipërme janë konfirmuese të kësaj tendence.
Por, sigurisht që nuk mund të mos përmenden edhe raste të tjera futje të kontrolleve të përkohshme dhe që lidhen me ndjeshmëri të caktuara kombëtare, si psh. përplasjet e legjislacioneve mes vendeve anëtare (rasti Francë -Hollandë, legalizimi i kanabisit nga Holanda konsiderohej se mund të sillte prurje të kësaj droge në vend, duke sjellë dhe rivendosje të kontrolleve kufitare), në raste ngjarjesh sportive ndërkombëtare, si kampionatet e futbollit (Francë), vizita të rëndësishme shtetërore (Maltë -vizita e Papës) si edhe sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, që u shoqëruan edhe me vendosje të përkohshme të kontrolleve të brendshme kombëtare.
Kutia e Pandorës
Por, aktet e fundit terroriste në Francë dhe problematika e “luftëtarëve të huaj”, kanë zhvendosur tërësisht optikën vendimmarrëse, duke konfirmuar tashmë domosdoshmërinë për të ndërhyrë në Shengen.
Mbledhja e fundit e shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare në Bruksel, ndër masat e marra, përfshin edhe opsionin për rishikim të Shengenit.
“(…) Kërkohet që kuadri ekzistues i Shengenit të shfrytëzohet tërësisht me synim përforcimin dhe modernizimin e kontrollit në kufijtë e jashtëm: jemi dakord për të proceduar pa vonesë në kontrolle sistematike dhe të koordinuara të personave, që gëzojnë të drejtën e qarkullimit të lirë nëpërmjet përdorimit të bazës së të dhënave të përhershme, në kuadrin e luftës ndaj terrorizmit, duke u bazuar mbi indikatorët e rrezikut të përbashkët; Komisioni duhet të prezantojë së shpejti orientimet operative për këtë qëllim; ne do të shqyrtojmë gjithashtu një modifikim përzgjedhës të kodit të kufijve Shengen, atje ku është e nevojshme për të lejuar kontrolle të përhershme mbi bazën e një propozimi nga Komisioni (…) ( pjesë nga Konkluzionet e Këshillit 12.02.2015)
Por, a do të çojë ky rishikim drejt një rreziku për hapjen e “Kutisë së Pandorës”?
Nga njëra anë Shengeni do të rishikohet me synim përforcimin e kontrolleve në kufijtë e jashtëm të Unionit. Por, teksa do të përforcohet kuadri i kontrollimit në kufijtë e jashtëm edhe ndaj vetë qytetarëve të BE-së, risku vlerësohet se shtrihet edhe ndaj zgjerimit të mundshëm të këtij rishikimi në kufijtë e brendshëm të vendeve anëtare. Ndonëse hapësira Shengen, lejon si kontrollet sporadike apo të përzgjedhura ndaj individëve konkretë, por edhe mundësinë për futjen e përkohshme të kontrolleve të brendshme kombëtare, rreziku vjen ndaj zgjerimit të mundshëm të rasteve, opsioneve apo klauzolave pikërisht në hapësirën e brendshme.
Çka nënkupton se, nën logjikën e një vullneti të caktuar të disa vendeve anëtare, dhe me një frymë konsensusi nga shtetet e tjera, këto periudha kontrolli mund të shtrihen edhe më tej, apo të zgjerohet kuadri i vendosjes së tyre. Ky do të ishte ndoshta edhe momenti më i padëshirueshëm përballë tre sferave: së pari do të godiste një prej simbolikave më të fuqishme integruese të Bashkimit Evropian, lëvizjen dhe qarkullimin e lirë; së dyti do të rikthente automatikisht vëmendjen ndaj tendencave dhe prirjeve nacionaliste, që përveç adoptimit në politikat e ekstremit të djathtë dhe të majtë po konstatohen edhe nga qeveritë e partive tradicionale në pushtet; dhe së treti ndoshta do të krijojë idenë e padëshirueshme përballë terrorizmit, që siç edhe po vlerësohet synon ndër të tjera rritjen e klimës së pasigurisë dhe cenimin e lirive kryesore. Logjika operuese në BE ka treguar se rezistenca, ka qenë vlerë e pamohueshme edhe në raste delikate krizash, duke mos shkaktuar një regres të arritjeve të deritanishme. Le të shpresojmë, se kjo do të jetë dhe filozofia e mëtejshme mbizotëruese. /im.ta/
