Tiranës iu desh të djersinte shumë për të marrë fitoren ndaj Elbasanit në sfidën që u luajt në Fushë-Krujë. Golat e Jetmir Sefës dhe Elis Bakajt në pjesën e dytë i mbajtën kryeqytetasit në krye të klasifikimit, bashkë me Kukësin, por duhet theksuar se formacioni i Muharrem Dostit pavarësisht rezultatit zhvilloi ndoshta takimin me të bukur të sezonit.
Pjesa e parë ishte me sulme nga të dyja skuadrat, por pa u shënuar ndonjë rast konkret. Do të ishte pjesa e dytë ajo që do të sillte edhe golat për ekipin kryeqytetas. Shkëndijën e dha Tirana kur në minutën e 52-të Bakaj kërceu bukur me kokë, por Ruci nuk lejoi prekjen e rrjetës, por në aksionin pasardhës portieri elbasanas nuk mundi të bënte asgjë pasi Sefa pak metra larg portës e dërgoi topin në rrjetë.
Në minutën e 2 shtesë Tirana fitoi një 11 metërsh pas prekjes së topit me dorë nga një mbrojtës. Goditjen nga pika e bardhë e mori përsipër Elis Bakaj, që pas shumë rasteve të humbura më ne fund arriti ta dërgonte topin në rrjetë, raporton Supersport.
