Intervista/Reforma në drejtësi, Subashi: Hullitë ku duhet të ecë mazhoranca

Dita

Juristja dhe ish-nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, shprehet se reforma në drejtësi duhet të prekë edhe kompetencat e kryetarit të KLD-së. Sipas juristes Subashi, në mënyrën se si është organizuar dhe se si ka funksionuar KLD-ja, Kryetari i KLD-së është  pothuaj personi që ka në dorë “veton” në drejtimin dhe funksionimin e këtij sektori edhe pse në dukje apo në formë mbetet vendimmarrja kolegjiale. Në një intervistë për “Dita”, Dëshira Subashi thekson se ky mekanizëm administrativ nuk ka arsye të jetë pjesë e detyrës së Kryetarit të KLD-së, për faktin se Kryetari është Presidenti i Republikës dhe nuk kryen vetëm këtë detyrë në mënyrë permanente, siç ndodh në institucionet e tjera me vendimmarrje kolegjiale. E pyetur se kur do të jetë e mundur që në Shqipëri të dënohen zyrtarë të lartë, juristja Subashi sqaron ndërvarësinë që ka sistemi gjyqësor me klasën politike. Për këtë, znj. Subashi sjell në vëmendje se aktualisht pas një mandati në Gjykatën e Lartë apo në Gjykatën Kushtetuese gjyqtari, apo të tjerë  funksionarë të lartë  mbeten në  sytë e politikanëve për të  vazhduar karrierën. Në këtë mënyrë, sipas saj, zor se do të sillte ndëshkime për zyrtarë të lartë. Dëshira Subashi thekson se për të forcuar sistemin në tërësi, reforma duhet të zgjidhë probleme të zbatimit të garancive juridike për shkak të funksionit.

Znj. Subashi, ju keni një eksperiencë të gjatë në sistemin e drejtësisë si gjyqtare, ndonëse shumica e shqiptarëve kryesisht ju njohin përmes postit që keni mbajtur si nënkryetare në KQZ. Mazhoranca ka ndërmarrë një iniciativë ligjore për reformën në drejtësi. Cili është mendimi juaj për këtë çështje?

Një reformë në drejtësi mendoj se është e domosdoshme, madje e vonuar, në raport me premtimet për një shtet të së drejtës, për një shtet që synon  zbatimin  e ligjit. Për gjykimin tim, reforma në drejtësi duhet të ishte e para në reformat e ndërmarra nga mazhoranca. Kam dëgjuar shpesh Kryeministrin, i cili që në fushatë elektorale, por edhe më pas, ka synuar një shtet që  bazohet në ligj, një shtet  të së drejtës. Madje është thënë  se nuk mund të jemi pjesë e Europës  me  ketë standard drejtësie, ku ligjet nuk zbatohen, ku vendimet e gjykatave nuk zbatohen…

Në të vërtetën time, sistemi i drejtësisë prej kohësh është në shënjestër të një mungese besimi në dhënien e drejtësisë. Është në shënjestër për shërbime ndaj politikes, është në shënjestër për korrupsionin në radhët e saj. Mjafton mungesa e besimit tek sistemi i drejtësisë për të qenë shkak në ndërhyrje për një reformë.

Deri më tani është lakuar vetëm togfjalëshi se do të bëhet reformë në drejtësi. Ky togfjalësh nuk tregon asgjë, sepse është e përgjithshme dhe ngjan me premtimet politike. Reforma merr jetë në momentin që dihet se përse do të bëhet një reformë në drejtësi, çfarë synon reforma konkretisht? Do jetë një reformë strukturore në drejtësi; do të jetë një reformë në kualifikimin e kapaciteteve njerëzore; do të jetë reformë në administratën gjyqësore; do të jetë reformë në ndarjen territoriale gjyqësore; reformë në kompetencat gjyqësore e shumë sfera të tjera. Pra, cila do të jetë fusha e veprimit të reformës në drejtësi? Kjo përgjigje do të vijë pikërisht nga synimet e ligjvënësve që bazën me patjetër do ta gjejë tek problematika dhe objektivat që synohen. Besoj se ligjvënësit ta kenë kalkuluar këtë plan për t’u bërë publik dhe për të pasur një shtrirje sa më të gjerë në specialistë të jurisprudencës. Unë besoj në një arritje që sjell një ndryshim në rritjen e besimit tek drejtësia. Nëse arrihet ky objektiv, mendoj se i është arritur qëllimit të reformës në drejtësi.

Midis çështjeve të debatuara është edhe ajo e prekjes së kompetencave të Kryetarit të KLD-së. A mendoni se duhet të ketë ndryshime?

Në fakt kjo është një pyetje tepër specifike. Ajo që unë mendoj për funksionimin në tërësi të KLD-së është se duhet ndarë në çfarë duhet të ndryshohet për shkaqe “parimore” të ligjit dhe çfarë duhet të ndryshojë për shkak të  keqpërdorimit të ligjit. Parimore për këtë institucion është fakti që përcakton ligji, se drejtimi i këtij institucioni është me vendimmarrje kolegjiale. Mendimi im është se ky organizim i këtij institucioni të rëndësishëm në mënyrë kolegjiale nuk mund të ndryshojë. Ajo që duhet të ndryshojë janë disa dispozita të këtij ligji, që të keqpërdorura kanë sjellë deformimin de facto të këtij parimi në funksionimin e KLD-së. Këtu kam parasysh të gjitha analizat e bëra publike herë pas here nga Ministri i Drejtësisë, por edhe një eksperiencë negative personale, e cila prej dy vitesh minimumi nuk merr përgjigjen e vendimmarrjes kolegjiale të KLD-së, për një çështje qartësisht të ligjshme. Të dy rastet meritojnë vëmendje për një reformë në KLD, veprimtaria e të cilit reflekton drejtpërsëdrejti edhe standardin bazë të drejtësisë në vend.

Meqenëse më pyesni për kompetencat e kryetarit të KLD-së, mund të them se ndoshta përbën arsye për të qenë pjesë e reformës në këtë sektor. Në mënyrën se si është organizuar dhe se si ka funksionuar KLD-ja, Kryetari i KLD-së është  pothuaj personi që ka në dorë “veton” në drejtimin dhe funksionimin e këtij sektori edhe pse në dukje apo në formë mbetet vendimmarrja kolegjiale. Janë disa dispozita, si fije të padukshme për publikun, që me një mekanizëm të parëndësishëm në dukje realizon apo shmang qëllimin e një ligji. Kështu, sipas ligjit Kryetari i KLD-së ka të drejtën e përcaktimit të rendit të ditës për mbledhjet e KLD-së. Përtej këtij mekanizmi, KLD nuk mund të veprojë! Nga njëra anë ligji përcakton se drejtimi dhe funksionimi i institucionit bëhet me vendimmarrjen kolegjiale, mekanizmi i kësaj vendimmarrje mbetet “veto” e kryetarit të KLD-së! Kryetari i KLD-së, dekreton emërimet për gjyqtarët e shkallës së parë dhe të apelit, pas propozimeve të bëra nga KLD! KLD vendos vetëm nëse në rend dite e vendos Kryetari i KLD-së!

KLD me vendimmarrjen e saj vetëm propozon Presidentin për emërim gjyqtari në shkallë të parë dhe në gjykatën e apelit. Ky funksion i Kryetarit të KLD-së, kështu siç është në ligj, është pothuaj e drejtë e vetos së Kryetarit të KLD-së.

Sigurisht, në të gjitha ndryshimet e mundshme për një reformë do të kërkonin argumentin përse duhet të ndërhyhet, përse duhet të ndryshojë dhe çfarë arrihet. Nëse do të isha pjesë e reformës për të ndryshuar kompetencat e kryetarit të KLD-së, do të argumentoja me diplomaci që Presidenti i Republikës, i cili është njëkohësisht Kryetar i KLD-së, nuk duhet të harxhojë kohën e tij me çështje të rëndomta administrative, siç është përcaktimi i rendit të ditës të një mbledhjeje të KLD-së. Unë nuk jam pjesë e strukturave të kësaj reforme dhe si një specialiste e lirë e fushës, ndaj gjykimin tim me lexuesin se është në interes të drejtësisë së këtij institucioni që këto kompetenca të Kryetarit të KLD-së të jenë të liberalizuara për t’i dhënë forcë qëllimit të ligjit me drejtim kolegjial të institucionit. Një mekanizëm i thjeshtë, i padukshëm në syrin e një njeriu të zakonshëm, por që është “pulti” i funksionimit të një institucioni shumë të rëndësishëm. Ky mekanizëm administrativ nuk ka arsye të jetë pjesë e detyrës së Kryetarit të KLD-së, për faktin se Kryetari është Presidenti i Republikës dhe nuk kryen vetëm këtë detyrë në mënyrë permanente, siç ndodh në institucionet e tjera me vendimmarrje kolegjiale. Në këtë argument, mbaj në konsideratë figurën e Presidentit të anatemuar në publik, por që në pamundësi për gjithçka tjetër për shkak të pozicionit kushtetues, çështja e kontrollit të punës së KLD-së ka shkuar siç thotë populli “tërhiq e mos e këput”.

A është kthyer KLD, por edhe sistemi gjyqësor në një kështjellë, ku është e vështirë çmontimi i elementëve të korruptuar? Kujtoj këtu se ka disa raste kur kanë nisur procedimet ndaj gjyqtarëve dhe nuk janë dënuar, qoftë për shkak të KLD-së, apo dhe të miqësisë së gjyqtarëve me njëri-tjetrin?

Fatkeqësisht perceptimi i publikut i tillë është dhe ky fakt është një arsye më shumë për këtë ndryshim që duhet të sjellë reforma. Në drejtësi rastet janë më të ndjeshme për  publikun sepse është hallka e shpresës për të drejtën.

Cila do të ishte sipas jush formula e duhur për të pasur një sistem gjyqësor të pakorruptuar dhe të pandikuar politikisht?

Drejtësia pasqyron standardin e një shteti dhe një shoqërie. Dinjiteti profesional dhe moral janë shumë të rëndësishëm në një gjyqësor të pavarur e që i kthen besimin publikut.

Ka zëra nga mazhoranca që mendojnë se Kushtetuta aktuale nuk ka mundur të frenojë  keqpërdorimin e pushtetit nga mazhorancat dhe për këtë ajo duhet të ndryshojë. A ndani të njëjtin mendim?

Kushtetuta ka ndryshuar brenda natës vetëm për të shtuar dy anëtarë të KQZ-së për interesa politike të ngushta, vetëm për një palë zgjedhje vendore! Kushtetuta mund të ndryshojë. Në bindjen time, ndryshimet duhet të sjellin një frymë tjetër nga ajo që është sot për të gjithë institucionet kushtetuese. Politika duhet të heqë dorë nga sjellja e të fortit. Për drejtësinë, Kushtetuta ka një rëndësi të veçantë direkte dhe indirekte. Përputhshmëria do të kishte një ndikim pozitiv.

Si e shihni mungesën e opozitës në komisionin ngritur për reformën në drejtësi?

Pa diskutim mungesa e opozitës është vlerë e munguar. Drejtësia më shumë merr vlerë dhe duhet kur je opozitar, se në pushtet është më e thjeshtë për të qenë më afër drejtësisë. Ndaj ky sens duhet të bëjë opozitën pjesë të kontributit.

Kur do të jetë e mundur që të dënohen zyrtarë të lartë?

Duket si një dëshirë dënimi i zyrtarëve të lartë. Në dyert e drejtësisë kanë trokitur zyrtarë të lartë, por nuk është arritur deri në dënimin e tyre.  Ndoshta reforma mund të sjellë risi për një gjyqësor të fortë e të garantuar. Sot pas një mandati në Gjykatën e Lartë apo në Gjykatën Kushtetuese gjyqtari, apo të tjerë funksionarë të lartë mbeten në  sytë e politikanëve për të vazhduar karrierën. E tillë pozitë zor se do të sillte ndëshkime për zyrtarë të lartë. Reforma duhet të zgjidhë probleme të zbatimit të garancive juridike për shkak të funksionit. Kjo do ta forconte sistemin në tërësi.

 

Share This Article
5 Comments
  • “Për gjykimin tim, reforma në drejtësi duhet të ishte e para në reformat e ndërmarra nga mazhoranca.”
    kto fjale thote znj Deshira Subashi ???????
    Arrrrrrrrrrrrrrrrrrrrmik te shpallet ,arrrrrrrrrrrrrrrrrrrrmik i rrezikshem i rrrrrrrrrrrrrrilindjes
    Ne fakt me duket se u vetshpall qysh ne fillim …i beri te fala Rames .
    Kjo nuk eshte si ato balerinat qe puneson rrrrrrrrrrrrrrilindja .

    Ti gazetarja ke harruarr ta pyesesh cfare do ndodhi me KQZ ,me shoqen Lefteri Lleshi
    ta them une .Do japi dorheqjen ,do japin dorheqjen dhe nuk do i certifikojne ,ose do u marrin kokepalareve nja 2 bashki ne tavoline ….quhen marreveshje tani keto
    Si mund ta beje ?? oh ,te siguroje qe mund ta bej ….ata te Saliut e dine mire ligjin
    keta te tjeret nuk dine ende ku jane ….gjthmone nqs nuk arrijme ne zgjedhje te parakohshme ……ah mjere ne thuaj , ngelem ne dore te juridiksave
    iken Deshira Subashi dhe …ngelen balerinat e mjaftit .

  • Drejtesi do te behet kur te largohen nga Politika shumica e hajduteve qe po drejtojne partite politike, deputetet, zyrtaret e larte, Gjyqtaret, Prokuroret dhe shume hajdute te rangjeve te tjera. 50 vjet jane pak, prandaj duroni, se dy breza do te vidhen dhe poshterohen nga Lukunia e ujqve. Durim dhe vetem durim…………….

  • E sakte, e urte, dinjitoze dhe me kulture juridike zonja Subashi. Qendrimet e saj ne KQZ perballe nje harbuti pijanec e rrugaç, me kane lene mbresa, kishin nje mal me dinjitet e urtesi. Gjynah qe ne kete vendin tone vlejne pak apo hiç keto cilesi njerezore.

  • Tani nuk jane ne mode specialistet por vuvuzelat qe zhurmojne e nuk dine nga lidhet gomari.Deshira duhej te ishte keshilltarja kryesore e Rames ne grupin per reformen ne drejtesi.
    Fatkeqesisht nuk njihet kush e kedhillon Ramen per drejtedine,ekonomine,aresimin etj
    Handikapu me i madh i qeverise e kryeministrit eshte mungesa e njerezve te afte dhe socialistet e vertete

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *