Shqipëria nuk ka përmbushur ende rekomandimet në luftën kundër racizmit dhe diskriminimit racor, veçanërisht në qasjen ndaj komunitetin rom, vlerësoi të martën Këshilli i Europës. Në raportin e fundit, grupi i ekspertëve të KiE-s (ECRI) vëren një përforcim të legjislacionit, por siç ndodh rëndom, gjërat ngecin tek zbatueshmëria – thotë një raportim i televizionit Top Channel.
Grupi i ekspertëve të KiE-së kishte lënë 3 rekomandime për Shqipërinë, nga të cilat vetëm një është zbatuar (ai i kuadrit) ligjor por vetëm kaq: ligjet kanë mbetur në letër. Dy rekomandimet e tjera që kërkojnë aplikimin në terren luadrit ligjor, nuk janë plotësuar.
Por raporti i KiE-së përshëndet rolin e rëndësishëm luajtur nga Avokati i Popullit i Shqipërisë për rastet që ka çuar drejt zgjidhjes dhe rekomandimeve që ai u adreson autoriteteve, dhe njëkohësisht konsideron hap pozitiv krijimin e institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen kundër Diskriminimit, institucion që u bë operacional në 2010. “ECRI shpreson që aktiviteti i Komisares të mund të kontribuojë në zbatimin efikas të ligjit dhe për njohjen më të mirë të saj nga grupet vulnerabël – thuhet në raport.
Ndërkohë, masat e prekshme, si përshembull strehimi i familjeve rome në mjedise dinjitoze, me kushte më të mira, apo integrimi i fëmijëve romë në sistemin parashkollor janë plotësuar vetëm pjesërisht – thotë raporti për punën e qeverisë. Në përfundim, KiE kërkon përmbushjen e angazhimeve të ndërmarra nga Shqipëria në luftën kundër diskriminimit, duke ruajtur rekomandimet dhe vëzhgimin e vendit nëpërmjet raporteve të rregullta në këtë fushë.
