“Qeveria ka pakësuar fondet për sistemin shëndetësor, ndërkohë që edhe ato para që janë dhënë, janë keqmenaxhuar për shkak të korrupsionit”. Deklaratat kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka bërë gjatë vizitës në spitalin e Kavajës, ku u takua me mjekët dhe personelin tjetër shëndetësor. Rama tha se kishte dëgjuar problemet me të cilat ndeshen mjekët e këtij spitali, ndërsa evidentoi mungesën e investimeve atje.
Duke premtuar një tjetër vlerësim për sistemin shëndetësor kur PS të vijë në pushtet, kreu socialist u shpreh se programi për një rilindje shqiptare parashikon një reformë radikale në shëndetësi.
Në takim me Ramën, mjekë të spitalit të Kavajës u shprehen se një ndër problemet kryesore është mungesa e stafit mjekësor, kryesisht në fushën e kirurgjisë. Sipas tyre, problemi vjen për shkak të sistemit jo të mirë të shpërndarjes së specializimeve në Fakultetin e Mjekësisë.
