Në Korçë aludojnë për një komplot ndaj Skënderbeut

redaktor

Gjithçka nis nga ai karton i verdhë për Bernard Berishën në minutën e 65-të të Apolonia-Skënderbeu. Menjëherë, pas ndeshjes qarkulluan informacionet se mesfushori kosovar është i pezulluar për kryendeshjen e javës së 23 me Kukësin. Klubi korçar sqaron mjegullnajën e krijuar nëpërmjet drejtorit teknik, Ilir Përmeti që saktëson se Berisha do të jetë në përballjen me verilindorët duke ju referuar të dhënave zyrtare në sistemin e FSHF.

“Qëndrimi zyrtar i klubit është se Bernard Berisha ka dy kartonë të verdhë dhe jo tre, ndaj është i disponueshëm për ndeshjen me Kukësin. Nuk e di se nga kanë dalë këto informacione të konfirmuara ndërkohë që të dhënat tona bazohen edhe në sistemin ‘kometë’ të FSHF që është i disponueshëm edhe për klubet dhe ku Berisha figuron se mori kartonin e dytë të verdhë ndaj Apolonisë”, tha Përmeti.

Episodet e fundit arbitrale kanë krijuar në kampin korçar bindjen se ekziston një aleancë kundër Skënderbeut, e cila artikulohet edhe ne deklaratën e drejtorit teknik te kampioneve të Shqipërisë, që zgjeron rrethin e akuzës duke përfshirë edhe hallkat e gjykimit apo organet disiplinore të FSHF.

“Ka një aleancë të gjerë kundër Skënderbeut që synon të mos na lejojë që të mbrojmë kurorën e kampionit. E them këtë duke u bazuar jo vetëm në vendimet e fundit të arbitrave, por edhe në hallkat e gjyqtarëve apo dhe në komisionet e FSHF-së duke u nisur që nga çështja e sulmuesit Olayinka”, theksoi zyrtari i klubit korçar.

Por a ekziston mundësia që në sajë të klimës së rivalitetit me Kukësin, futbollistët të zbresin në fushë në Kupë përballë Flamurtarit duke e patur mendjen te sfida e së hënës të ardhshme me skuadrën e Artim Shaqirit? “Ne jemi mësuar t’i marrim ndeshjet një e nga një, padyshim që ndaj Flamurtarit do të kërkojmë kualifikimin duke u nisur edhe nga rezultati i mirë që arritëm në ndeshjen e parë. Objektivat e Skënderbeut janë në kampionat dhe Kupë, do të kalojmë një herë ndeshjen me Flamurtarin, pastaj do të flasim për Kukësin”, theksoi ndër të tjera Përmeti.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *