Kupa është një kompeticion krejt ndryshe nga kampionati, ku pavarësisht forcës apo cilësisë së një skuadre, dhuron gjithmonë surpriza. Në çerekfinalet e këtij sezoni janë 4 skuadrat pretendente për të fituar titullin dhe gjasat janë që në gjysmëfinale të përplasin brirët me njëri-tjetrin edhe për trofeun e dytë në vend. Kukësi dhe Partizani kanë hedhur hapa të sigurt përpara, ndërsa Skënderbeu dhe Tirana duhet të triumfojnë në sfidat e kthimit për të vijuar më tej, me korçarët që do të kënaqeshin edhe me një barazim pa gola. Historia ka treguar që kthimet e rezultateve nuk kanë munguar dhe misioni nuk është i pamundur për t’u përmbushur. Historia e Kukësit është e re por ka treguar në këto vite se vështirë të mundet për më tepër që Vllaznia në dekadën e fundit nuk ka kthyer asnjëherë rezultatin në transfertë.
Edhe Laçi fitues i Kupës dy sezone më parë nuk e ka kthyer asnjëherë rezultatin e ndeshjes së parë në sfidat me eliminim në dekadën e fundit. Humbja 0-2 me Partizanin i sheh të kuqtë si favoritë për kalimin në gjysmëfinale, pasi ata në të njëjtën periudhë nuk janë eliminuar pas fitores në ndeshjen e parë në shtëpi. Tirana kryesuese e kampionatit duhet të fitojë ndaj Apolonisë në “Loni Papuciu” për të prerë biletën e gjysmëfinales. Në ndeshjen e parë bardheblutë janë ndalur në barazim 2-2, në sfidën shtëpiake të luajtur në Krujë. Në një situatë të tillë 24 herë kampionët janë gjendur edhe në shkurtin e vitit 2009, ku kaluar Elbasanin falë fitores në transfertë 2-0, pas barazimit pa gola në shtëpi.
Atë vit Tirana arriti finalen e kompeticionit ku u thye nga Flamurtari 2-1. Ndërkohë Skënderbeu duhet të bëjë kujdes pasi një sezon më parë u eliminua nga vlonjatët në shtëpi pas humbjes 0-2, teksa vinin si favoritë pas barazimit të bardhë në ndeshjen e parë. Madje edhe dy sezone më parë ka qenë i njëjti skenar në përballje me Bylisin në gjysmëfinale, ku pas barazimit 1-1 në shtëpi, korçarët u thyen 1-0 në Ballsh për t’u eliminuar më pas nga Kupa. Megjithatë këto janë vetëm statistika dhe ky sezon ka treguar se ato nuk vlejnë kur skuadrat zbresin në fushë. Ashtu siç do vit ku ka pretendentë për të kaluar turin ka edhe surpriza, dhe në këto çerekfinale do të jetë fusha që do të përcaktojë 4 më të mirët e turneut.
