Pirja e dy litrave ujë në ditë realisht sjell përfitime për shëndetin? Disa ekspertë e përgënjeshtrojnë këtë ide madje paralajmërojnë që obsesioni ynë me ujin mund të shkaktojë një sërë problemesh shëndetësore, madje edhe vdekjen. Profesori dhe mjeku britanik, Mark Whiteley, është një nga ekspertët që shprehin shqetësime në lidhje me konsumin e ujit.
Por saktësisht si mund të ndikojë për keq uji i tepërt?
Uji i tepërt mund të shkaktojë djersë të tepërt. Profesori Whiteley është i bindur se hidratimi i tepërt, pra pirja e një sasie të tepërt uji, lidhet me shumë probleme të djersitjes ekstreme. Në disa raste problemi është aq i rëndë saqë duhet të merret në konsideratë një kirurgji për të hequr gjëndrat e djersës.
Mund të shkaktojë pagjumësi
Pirja e sasive të mëdha të ujit, sidomos në fund të ditës mund të ndërpresë gjumin, pohon eksperti. “Kur flemë truri ynë çliron ADH, hormonin antidiuretik, për të frenuar funksionin e veshkave në mënyrë që të mos ndjejmë nevojën që të urinojmë gjatë natës”, shpjegon ai. “Por nëse pimë dy, apo tre gota uji para se të shtrihemi mundet që tepria e ujit të fshijë efektin e ADH-së, të mbush vezikën dhe të provokojë zgjimin tuaj, pas të cilit është e vështirë të flini sërish”.
Mund të vdesësh nga “helmimi” me ujë
Ka pasur shumë raste në botë të njerëzve që kanë vdekur nga ‘mbidoza” e ujit. “Të pish shumë ujë në mënyrë të menjëhershme mund të shkatërrojë ekuilibrin delikat të kripërave të trupit”, mbështet doktor Frankie Phillips, i shoqatës Britanike të Dietikës.
Nëse pimë shumë ujë në një kohë shumë të shkurtër, veshkat nuk mund të eliminojnë teprinë e lëngjeve në trupit tonë aq shpejtë dhe gjaku ynë hollohet më shumë se sa duhet, duke ulur përqendrimin e kripërave. Kjo mund të bëjë që qelizat, në veçanti ato të trurit të bymehen. “Një situatë e tillë mund të shkaktojë presion në kafkë, e më pas dhimbje koke dhe në raste më të rënda një hiponatremi apo “helmim” nga uji që mund të jetë fatal”, paralajmëron mjeku.
Por sa ujë duhet të pimë?
Deri tani na është thënë se duhet të pimë të paktën dy litra në ditë dhe në disa raste deri në katër litra. Por sipas mjekut Phillips një grua në moshë madhore duhet të pijë rreth 1.6 litra lëngje në përgjithësi (jo vetëm ujë) në ditë dhe burrat rreth dy litra, që trupi të punojë në mënyrë efikase.
Të gjitha pijet janë fluide, duke përfshirë edhe pijet e nxehta të tilla si çaj, kafe, qumësht dhe lëngje frutash dhe madje uji gjendet edhe në ushqime të tilla si fruta dhe perime.
David Wheeler, Profesor në Mbretërinë e Bashkuar, thotë: “nuk duhet të pini sasi të mëdha uji për të mbajtur trupin të hidratuar apo që veshkat të funksionojnë. Lëngjet janë lëngje dhe të gjitha kanë të njëjtin efekt si uji. Megjithatë ana pozitive e ujit është që hidraton pa shtuar kalori.
“Një përzierje e pijeve të ndryshme gjatë gjithë ditës, si qumështi, që është i pasur me kalcium, dhe lëngje frutash, të cilat përmbajnë nivele të larta të vitaminës C, janë ideale për të pasur një ekulibër ushqyesish të shëndetshëm.
