Ditari i shkrimtarit Skifter Këlliçi, pjesëmarrës në marshimin vdekjeprurës
Gjatë marshimit Tiranë-Bizë-Martanesh-Fushë Studën, nga sfilitja, dëbora e dimri i ashpër, vdiqën 4 vetë e u plagosën dhjetëra të tjerë
Skifter Këlliçi
Ishte një nga zboret (përgatitjet ushtarake) më të vështira të jetës sime. Ishte fund shkurti dhe fillim janari i vitit 1979, kur në përbërje të Brigadës së Parë Sulmuese, unë isha një nga rezervistët që do të sfiliteshim ditë e net me radhë pyjeve e maleve të vendit, në dëborë e në dimrin e ashpër që nga Tirana, në Dajt, Bizë e deri në Fushë-Studën kufitare me Maqedoninë… Në atë marshim absurd, humbën jetën 4 vetë e dhjetëra të tjerë u plagosën… Ndërsa përballja me Mehmet Shehun, pas shkatërrimit të Brigadës së Parë në këtë marshim, mua e 1500 rezervistëve në atë takim, na ka lënë një shije të hidhur që dekadat nuk mund ta zbehin….
LAJMËRIMI
Ishte 14 janari i vitit 1979, kur në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, ku punoja si redaktor gjuhësor, mua dhe disa shokëve të tjerë, na erdhi papritur njoftimi nga Dega Ushtarake e Tiranës se duhej të paraqiteshim pas tri ditësh në Repartin 1105, komanda e të cilit ndodhej diku pranë Fabrikës së Qelqit në Tiranë. Të them të drejtën, meqë nuk kisha mbushur ende një vit që kisha nisur të punoja në këtë institucion, ishte hera e parë që më vinte një lajmërim i tillë. Dhe duhet thënë se nuk e prita me dëshirë, sido që e dija se në ditët e zborit, në më të shumtën e rasteve bëhej gallatë.
Ndaj atë ditë, sipas njoftimit të ardhur nga Dega Ushtarake, bashkë me shokë të tjerë, u ndodha që me mëngjes në zyrat e shtabit. Nuk bënte ftohtë dhe po rrëfenim qyfyre, derisa një ndër ushtarakët e komandës, që nuk dinim se ç’detyrë kishte, se gradat në ushtri ishin hequr me vakt e me kohë sipas shembullit të ushtrisë kinezë, na mblodhi dhe na dha ‘lajmin e gëzuar’ se ne do të kishim nderin që, duke vazhduar traditat e Brigadës së Parë, do të bënim një marshim të gjatë dhe të vështirë, nga Tirana deri në Fushë-Studën kufitare.
Foli shkurt ky ushtarak dhe theksoi se ne, të frymëzuar nga mësimet e Partisë dhe shokut Enver, do të dilnim faqebardhë në këtë marshim, doemos, edhe para shokut Mehmet Shehu, si ish-komandant i kësaj brigade heroike. Nuk dua të zgjatem më tej, por, ndërsa ai fliste unë, vëllai im, Luani, e plot shokë përreth, vrisnim mendjen se si do t’ia dilnim mbanë këtij marshimi që e merrnim me mend se do të ishte i vështirë e sfilitës.
Ndonjë edhe guxoi të pyeste rreth këtij problemi, por ushtaraku,fytyra e të cilit mori pamje të kreshpëruar, na e preu shkurt: ”Të tërë pa përjashtim do të marrin pjesë dhe madje ju duhet ta ndjeni veten krenar për këtë. Nuk ka asnjë justifikim, qoftë edhe për ata që janë sëmurë!…”
ANKTHI
Vëllai im vuante herë pas herë nga kriza stomaku, sidomos po të ftohej, por, kur guxoi të hapte gojën, ushtaraku ia preu fjalën rreptas dhe me kaq ne u kthyem nëpër shtëpitë tona. Të themi të drejtën ishim tepër të shqetësuar për atë që na priste. Aq është e vërtetë, sa një ushtarak i lartë, mik i familjes sonë, u habit kur mori vesh që në këtë marshim do të merrja pjesë unë e vëllai dhe bashkë me ne, plot e plot rezervistë që ishim rreth tek të dyzetat. Madje kishte nga ata që ishin edhe më të moçëm, kur partizanët e kësaj brigade si dhe të tërë partizanët që kishin marrë pjesë në njësitet partizane, ishin përgjithësisht nga 17 deri 30 vjeç dhe shumë rrallë edhe më të mëdhenj me moshë. Ky ushtarak, miku jonë, bisedoi me ata të Degës Ushtarake që, meqenëse nga një familje ishim dy vetë në listën e pjesëtarëve të këtij marshimi, të paktën të mbetej vetëm njeri. Dhe, ndonëse kishte atje një mik të fortë, nuk ia doli mbanë, sepse porosia e kryeministrit Mehmet Shehu ishte që të mos bëhej asnjë lëshim, sikur të ishim në kushte lufte…
NISJA
Më 24 janar u ndodhëm përsëri në repartin 1105, por këtë radhë për të marrë rrobat ushtarake. Secili kishte një palë këpucë të reja, kapotë të përdorur, ashtu si edhe pantallonat, gjimnastorka, pra, një farë xhakete, benevrekët, çuditërisht prej doku, kur të tëra ato duhej të ishin të leshta. Pa pelerina e pa kokore, për doreza as që bëhej fjalë, do të degdiseshim drejt maleve, me rreth 2000 metra lartësi. Po kujt t’i qaheshim, kur kryeministri nuk donte t’ia dinte për asgjë, veç faktit që ne do të ndërmerrnim këtë marshim për të kënaqur trillet e tij? Sidoqoftë, një shok yni, ushtarak, se ku gjeti nja dy pelerina e dy kokore e kështu ne të dy vëllezërit, ishim ku e ku më të përgatitur se marshuesit e tjerë, që po shkonin në këtë aventurë… Tri ditë para të cilit nuk vura brisk në faqe.
E HËNË, 29 JANAR 1979
Dita e parë e marshimit, nisi dhe shthurja! Kështu, pra, me një mjekër ta parruar, që kurrë nuk më kishte ndodhur në jetën time, e cila do të rritej edhe më shumë gjatë ditëve të ankthshme, ngjarjet e të cilave do t’i rendis më poshtë, unë dhe im vëlla në orën 7.00, sipas lajmërimit nga Dega Ushtarake, u ndodhëm këtë radhë në një nga pikat e hapjes, së repartit 1105, ku ndodheshin dhe depot. Pas rrobave ushtarake, të cilat tashmë i kishim veshur, do të pajiseshim edhe me pushkë,(oficerët me pistoletë), e me pajime te tjera.
Me vete kishim marrë ushqime për dy ditë, se, sipas rregullores ushtarake në të tilla stërvitje, hynim në forcë ditën e tretë. Merret me mend se nënat, gratë e motrat e marshuesve kishin përgatitur, me gjithë kushtet e vështira, sa më shumë ushqime. Dhe kishin të drejtë. Po harronin se, sa do të domosdoshme, ato ushqime do të rëndonin në shpatullat tona gjatë marshimit që do të fillonte pas disa orësh.
Sipas mundësive, secili ishte përpjekur që të vishej sa më trashë, edhe kjo një masë e domosdoshme, në kushtet e dimrit. Po t’u shtonim atyre edhe pushkët, lopatat xheniere, e mbi të gjitha, helmetat, kuptohet se çfarë peshe rëndonte mbi supet tona. Po, për fat, nga lart erdhi urdhri që helmetat t’i kthenim mbrapsht. Një e mirë kjo në të keqen e madhe.
NISJA NË MARSHIM
Nisja ishte parashikuar në orën 11.00 të mesditës, por, siç ndodh në të tilla raste, ajo u shty rreth orës tre pasdite. Nga pika jonë e hapjes morën me hov përpara dy kompani… Ne nuk dinim se sa ishte numri i pjesëmarrësve në këtë marshim, ku bënin pjesë rezervistë nga institutet e projektimit, të shtëpive botuese, të RTVSH-së, Uzinës “Enver”, Kombinatit të Tekstileve “Stalin”, të Ndërmarrjes “Misto Mame”, etj, sepse çuditërisht, ndonëse atij iu dha shumë pompozitet, forcat pjesëmarrëse as nuk u rreshtuan të tëra, as nuk u përshëndetën para nisjes nga askush. Mbi të gjitha, askush nga oficerët nuk na tregoi as atë ditë, as edhe më parë, se cili ishte qëllimi i këtij marshimi, si do të zhvillohej ai, nga do të kalohej, ç’detyra do të kishim sipas njësive të brigadës, cili ishte itinerari i marshimit, ku do të ndaleshim, ku do të flinim… Ne dinim vetëm se nga Tirana do të kalonim në Bizë e që andej në Fushë-Studën, emër që e dëgjonim për herë të parë. Ne po niseshim, pra, kuturu, të dalë ku të dalë! Dhe me këtë moto u zhvillua ky marshim i turpshëm që do të kishte pasoja tragjike.
RRUGËTIMI
Megjithatë, gjithçka filloi me gaz. Pasi kaluam kodrat pas Uzinës “Enver”, arritëm te kodrat e Liqenit të Tiranës, që andej, nga rruga e Elbasanit, u futëm përmes disa rrugicash, te lagjja “Ali Demi” dhe arritëm kështu tek tunelet e repartit instrumental të Kombinatit të Autotraktorëve “Enver Hoxha”, ku do të bëhej një pushim i shkurtër. Deri këtu gjithçka shkoi në përgjithësi mirë, ndonëse, ngaqë disa ditë më parë kishte rënë shi, fushëtira kudo ishte njomur e nga hapat tanë, shndërrohej në baltë. Që aty, meqë koha qe e butë, të veshur trashë, siç ishim, nisëm të djersinim e të kishim etje…
Aty mora vesh se në këtë marshim numri i pjesëmarrësve ishte rreth 1500 vetë… Dhe e tërë kjo masë e stërmadhe njerëzish nën rrobën ushtarake, nisi tani rrugëtimin nga kodrat e Shkozës, një fshat i vogël, drejt malit të Dajtit.
Ndërkohë, kishte rënë mbrëmja. Duke kaluar nëpërmjet monopatesh, dolëm në rrugën automobilistike. Oficerë të repartit që na shoqëronin, na rrinin pranë që marshimi të bëhej me rregull. Mirëpo nëpër terr, kur dëgjoheshin trokëllimat e thata të këpucëve tona të rënda, dalëngadalë nisi pështjellimi. Togat, kompanitë zunë të bëheshin lëmsh me njëra-tjetrën… Oficerët e repartit sikur na u zhdukën nga sytë… Oficerët rezervistë nuk arrinin të frenonin forcat që dyndnin përpara, duke lenë të zhytur në gjysmë-errësirë Tiranën e prushitur nga dritëzat që flakërinin në sytë tanë.
Kështu e kisha parë për herë të parë kryeqytetin tonë në verë të vitit 1945, kur me familjen kishim kaluar muajt e verës në malin e Dajtit. Po këtë përshtypje kisha pasur në një mbrëmje fund shtatori të vitit 1965, kur me punonjës të Radio Tiranës kishim bërë një ekskursion atje. Kurse tani nuk ishte rasti të soditnim këtë pamje romantike, kur ndjenim që qepallat të na rëndonim dhe ne duhej të rrugëtonim.
NATË E VËSHTIRË
Në të kthyer të rrugës së asfaltuar, që të shpie prapa Dajtit, para syve tanë, tashmë nën dritën e hënës që u shfaq befas në qiell, u shpalos pamja e prapme e këtij mali. Një pamje e frikshme krejt e kundërt me pamjen e Dajtit nga kryeqyteti, kur ky mal të shëmbëllen me një gamile të shtrirë, (mali me kurrizin e tij) dhe maja, si koka e kësaj gamileje. Kurse ne as që na lejohej jo më të shtriheshim, por as të qëndronim. Vazhduam kështu deri sa arritëm në afërsi të Qafë Mollës, fshatit të parë pas Dajtit, kur kishte kaluar mesnata. Unë me shokë të batalionit të tretë, ishim shkëputur nga kompanitë e tjera. Ishim të kapitur e të qullur djersë, sepse çuditërisht, ndonëse ndodheshim mbi 1000 metra mbi nivelin e Tiranës, ende nuk bënte ftohtë. Befas nëpër terr sytë na pikasën një shtëpi të vetmuar anës rrugës automobilistike, thuajse e rrënuar dhe e pabanuar. Bashkë me vëllanë tim e shokë të tjerë u futëm brenda. Dritaret e dhomave nuk kishin xhama, por ne aq na bënte. Pas më shumë se 10 orësh marshimi, kur nuk kishim pasur veçse dy pushime,(mbase ishte dhënë urdhër edhe për pushime te tjera, po kush e mori vesh në atë zallamahi që përfshiu marshimin), ne u shtrimë si mundëm, që të paktën të bënim një sy gjumë. E dinim ndërkohë që shokët e batalionit tonë, që ishte i treti, ishin diku vërdallë dhe se edhe ata po pushonin. Megjithatë, gjumi nuk na zuri. Ç’është e vërteta edhe kishim një çikë frikë. Ç’do të na thoshin komandantët kur të merrnim vesh se ishim shkëputur nga trupat?
E MARTË, 30 JANAR 1979
Mëngjes. Ne nuk mundëm të flinim edhe për një arsye tjetër. Pas mesnate, të shtrirë ashtu siç ishim, nisëm të ndienim të ftohtë, që sa vinte shtohej. Ndaj, pa aguar mirë, u ngritëm dhe bëmë drejt rrugës për t’u bashkuar me shokët me të cilët kishim humbur lidhjet. Dhe bëmë mirë, se ndërkohë disa oficerë po na kërkonin nga të mundnin dhe po të na kishin pikasur, të shtrirë sa gjerë e gjatë në shtëpinë e braktisur, mund të na gjente belaja me ta. Por nuk ishim vetëm ne që ‘ishim shkëputur nga grigja’. Në përgjithësi, tërë rezervistët e batalionit të tretë ishin shpërndarë si të mundnin.
U mblodhëm të tërë dhe një oficer madhor na qortoi rëndë. Madje ai e cilësoi batalionin tonë, “batalioni i zi”, i cili po njolloste traditat e mira të Brigadës së Parë. Dhe të themi atë që është për të thënë, ai kishte të drejtë. Ne, sado pa përvojë, në këtë pikë e kishim shkelur. Thuajse që të gjithë. Ndaj heshtëm. Bile, disa nga ne premtuan se këto nuk do të përsëriteshin. Por nuk ndodhi kështu. Shthurja do të vazhdonte edhe më shumë gjatë marshimit. Por këtë radhë jo më për fajin tonë.
NGJITJA DREJT BIZËS
Mëngjesi i saj dite qe mjaft i bukur. Lamë pas Qafë Mollën, një fshat me shtëpi të veçuara dhe morëm drejt lindjes. Sipas itinerarit kaluam rrugën automobilistike dhe iu qepëm një kodre të thiktë, e cila më pas do të na nxirrte përsëri në rrugë. Siç duket, për të kursyer kohë. Por qe një ngjitje tepër sfilitëse, se kishim mbi shpatulla çantën e shpinës me ushqime, pushkët e pajimet ushtarake e mbi të gjitha, nuk ishim fare të përgatitur fizikisht për një aksion të tillë. E të mendosh se ende nuk kishim arritur në zonën e dëborës, ku marshimi do të ishte ku e ku edhe më i vështirë. Duke marshuar pastaj përsëri përgjatë rrugës automobilistike, lamë pas Malin me Gropa. Diku nga e majta ishte Fekeni, një tjetër fshat, ku ishte vendosur një repart i vogël ushtarak e pastaj niste një fushëtirë e blertë. Marshuesit përsëri nisën të hallakaten e të ndaheshim nga njeri-tjetri. Kur kërkonim që pushimi të zgjatej ca më shumë, oficerët nuk na linin. ”Mos u shkëputni nga njeri-tjetri” -ky ishte udhëzimi. Po si mund të ndodhte kjo, kur në këtë marshim merrnin pjesë njerëz të moshave nga më të ndryshme?
PRAGMBRËMJE E VËSHTIRË
Dhe ja, kur mesdita ishte thyer, nisi të shfaqej edhe dëbora. Shtresa e saj, ende e hollë i ngjante një pëlhure të stërmadhe dhe të shqyer mbi kurrizin e copëzuar malor. Të vinte keq kur shihje atë dëborë të brishtë që dukej se do të tretej nën rrezet e diellit. Por ne ende nuk e dinim se sa mizore dhe e pabesë do të na shfaqej ajo disa kilometra më pas, kur po arrinim në zonën e Malësisë së Martaneshit, siç thashë më sipër, rreth 2000 metër mbi nivelin e detit.
E kjo do të bëhej edhe më kërcënuese, kur hijet e para mbrëmësore do të ndereshin mbi shpate e maleve e doemos, edhe mbi ne që vazhdonim këtë marshim. Atëherë kur nuk ishin bërë veçse disa kilometra rrugë, këmbët tona nisën të shkelnin mbi dëborë. Ndërkohë qielli po terratisej nga re të dendura, duke paralajmëruar keqësimin e motit, temperatura po ulej. E, veç kësaj, nga malet zuri të frynte një erë cingëruese që na mavijoste fytyrat. Për më tepër, ca nga makinat që kishin kaluar gjatë ditës, ca dhe nga këmbët tona që shkelnin mbi dëborë, rruga filloi të bëhej e dystë, e lëmuar dhe mbi të gjitha, e rrëshqitshme, si të ishte pistë patinazhi. (Vijon nesër)
“Marshimi i zi” 26 janar-6 shkurt 1979, një nga ngjarjet më të rënda për ushtrinë
Në historikun e ushtrisë shqiptare në viteve 1944-1990, shkatërrimi i Brigadës së Parë Sulmuese në marshimin e zhvilluar nga 29 janari deri në 6 shkurt të vitit 1979, është cilësuar si nga ngjarjet më të rënda të ushtrisë shqiptare të kohës. Kjo jo vetëm për faktin se në këtë marshim sfilitës që zhvillohej në përkujtim të Brigadës së Parë në një pjesë të rrugëkalimit të saj në operacionin e dimrit të vitit 1944 pasur katër viktima e dhjetëra të plagosur nga sfilitja, dëbora e dimri i ashpër, por dhe se ajo tregoi dhe paaftësinë e përgatitjes drejtuese e organizuese në një kohë që ushtria shqiptare ishte më e militarizuar se kurrë. Ndërkohë, i pa precedent dhe hakmarrës ka qenë qëndrimi i ish-kryeministrit Mehmet Shehu ndaj rezervistëve e kuadrove të kësaj njësie, i cili nuk mund ta pranonte që ‘të përlyhej emri i lavdishëm i Brigadës së Parë’ që ai themeloi e drejtoi gjatë luftës. Shkrimtari e publicisti i njohur Skifter Këlliçi, atë kohë gazetar në Radio Televizionin Shqiptar, ka qenë ushtar-rezervist në këtë marshim sfilitës me itinerar Tiranë-Feken-Bizë-Fushë Studën e kthim. Në disa numra të saj, ‘Dita’ do të japë pjesë nga ditari i Këlliçit nga kjo ngjarje e më shumë se 34 vite më parë.
NESËR DO TË LEXONI:
-Ditari i Skifter Këlliçit për ‘Marshimin e zi” të vitit 1979. Si u shkëputën repartet e Brigadës së Parë gjatë marshimit. Aksidenti i parë në malet me borë në Martaneshit.
-Çfarë ndodhi natën e 31 janarit 1979. Si u ‘zhdukën’ qindra rezervistë në stuhinë dhe dëborën në malet e Bizës së Martaneshit.
-Mikpritja e banorëve të Zabzunit e Fushë-Studës, strehimi i rezervistëve gjysmë të ngrirë në banesa, shpëtoi qindra jetë të rrezikuara.
Ky Skifteri na tregon se edhe ne kohen e Dulles, ne paskemi qene komb bashibozukesh, qe nuk perballon dot nje marshim dy ditor jo me nje lufte.
Ketij Skifterit antikomunist i duket habi se si mund ti kerkohet nje rezervisti te nje vendi te marre pjese ne nje stervitje ushtarake. Por shohim se keto gjera ndodhnin dhe ndodhin edhe ne SHBA apo vende te tjera dhe nuk cuditemi.
Po te kishit mare pjese dhe ju ose te kishit humbur nje njeriun tuaj aty ndryshe do flisnit.Dhe te humbesh njeri ne kohe paqeje thjesht ne nje loje ushtarake per mua quhet krim…
Po ku I paste pare keto gjera ti qe fliske me kaq kopetenca. Sa per djeni nje nag ata rezerviste qe humbi jeten ne kete marshim te mallkuar eshte im ate dhe qe une deri sa te jem gjalle do bej te pamunduren qe ai te shpallet deshmor. Po uroj mos ta kesh fatin tim as ti apo familja jote qe me la 3 vjece e u rrita pa baba dhe te jesh me mendje te hapur per te kuptuar krimet qe jane bere dhe jo ti shohesh si lojra kompjuteri.Te maresh jete njerzish duhet ta paguash Po prap me jete. Keshtu funksionon ne ShBA e ku do ne bote.
Arioni:Nuk me habit shum se do jesh ndonje ish sekretar partie me 4 klas apo me sa duket nuk paske as ma te voglin informacion per ate kohe.Ma te ngjar je ashtu si te thash se pari.Sipas komunistve shqiptaret ba me hy ne luft mundnin edhe NATO edhe Traktatin e Varshaves.Krahason nje zborist me 30 lek per dite pune e me normem 1 ne ushqim me nje ushtarak amerikan.Nuk besoj se i ke bere nga 25 dite ne vjet pregaditje ushtarake sic i kemi bere vite e vite me rradh,se kur eshte bere 17 dite kemi festuar.