Biznesi global i rrobave të përdorura, një rrezik për ekonominë?

redaktor

Andrew Brooks pohon në librin e tij “Clothing poverty” se edhe pse tregtia e veshjeve të përdorura ofron vende pune për disa, për shembull për ata që i dedikohen shitjes në rrugë, gjithashtu mbyt industrinë tekstile vendase

Oreksi në rritje i botës perëndimore për modën e shpejtë, i ushqyer nga gatishmëria e produkteve të lira të prodhuara në Kinë dhe vende të tjera, tregon se po konsumohen dhe hidhen sasi gjithnjë e më të mëdha rrobash.

Të nxitur nga organizata bamirësie dhe kompanitë e riciklimit, njerëzit kanë filluar të kenë një pritje gjithnjë e më të madhe për të dhuruar veshjet.

Por një libër i ri zbulon se në vende si Britania, SHBA shumica e veshjeve që njerëzit dhurojnë duke menduar se do të ndihmojnë dikë, në të vërtetë eksportohen dhe shiten jashtë. Kjo është pjesë e një industrie gjigante globale të veshjeve të përdorura që vlerësohet rreth 4.3 miliardë dollarë.

Kështu argumenton Andrew Brooks, profesor në King’s College të Londrës në librin e tij “Clothing Poverty”.

Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara, eksportuesi kryesor i veshjeve të përdorura në botë është SHBA, e ndjekur nga Britania, Gjermania, Koreja e Jugut dhe Hollanda.

Destinacioni i rrobave të dhuruara është kompleks dhe varion në varësi të tipit të veshjeve, zbulohet nga studimi i Profesor Brooks.

“Veshje të ndryshme përfundojnë në vende të ndryshme të botës”, thotë ai.

Për shembull këmishët formale të bardha rregullisht përfundojnë në Pakistan ku ka një kërkesë të madhe nga ana e avokatëve. Veshjet e dimrit shpesh udhëtojnë në Europën lindore dhe këmishët me mëngë të shkurtra dhe pantallonat e shkurtra përfundojnë në Afrikë.

Studimi siguron se në disa raste rrobat e dhuruara eksportohen në vendet e origjinës, në tregjet e Kenias, Tanzanisë, Pakistanit dhe Filipineve.

Kjo tregon se një pjesë e madhe e tonelatave të rrobave të dorës së dytë të dhuruar në Europën perëndimore dhe Amerikë përfundojnë në ekonomitë në zhvillim.

Në fakt një sasi e madhe e veshjeve të përdorura që koleksionon Shtetet e Bashkuara përfundojnë në Amerikën latine, kjo pavarësisht se vende të ndryshme të rajonit, duke përfshirë Meksikën dhe Bolivinë ndalojnë importimin e këtyre artikujve.

Meksika ndalon hyrjen e këtij malli në territorin e saj për motive sanitare. Thuhet se rrobat e përdorura janë të rrezikshme për shëndetin.

Në Bolivi presidenti Evo Morales nënshkroi një dekret në 2006-ën ku përkufizohej si i jashtëligjshëm biznesi i “shitjes së rrobave të përdorura”.

“Diskursi i presidentit Morales u bazua në krenarinë e vendit. Ai deklaroi se Bolivia nuk ishte një kosh plehrash i Shteteve të Bashkuara dhe ndërkaq e ka të ndaluar hyrjen e këtyre artikujve në vend”, shpjegon për BBC profesoresha Kate MacLean, hulumtuese e King’s College më Londër dhe universitetit të Birbeck.

Ekspertja bëri një hetim për tregtinë e rrobave të përdorura në Bolivi, të cilin e publikoi në vitin 2013 nën titullin: “Trikoja e Evos, identiteti dhe biznesi i rrobave të përdorura në Bolivinë post-liberale dhe shumë-kulturore”. Ajo zbuloi se pavarësisht ndalimit, kjo është një industri shumë e madhe në vend.

“Tregjet ku shiten këto veshje janë përhapur me një ritëm të jashtëzakonshëm, llogaritet që rreth 8000 ton veshjesh të përdorura hyjnë në vend çdo vit. Pjesa më e madhe vijnë nga SHBA përmes Kilit dhe 93% e kësaj kontrabande vlerësohet më shumë se 40 miliardë dollarë në vit”, siguron hetuesja.

Kështu tregtia e veshjeve të përdorura është shndërruar në një çështje polemizuese, jo vetëm në Bolivi, por edhe në vende të tjera, sepse thuhet se kjo industri milionere është e paligjshme dhe po mbyt prodhimin vendas. Andrew Brooks pohon në librin e tij “Clothing poverty” që edhe pse tregtia e veshjeve të përdorura ofron vende pune për disa, për shembull për ata që i dedikohen shitjes në rrugë, gjithashtu mbyt industrinë tekstile vendase.

Ky është rasti i veçantë në Afrikën subsahariane, ku shitet një e treta e të gjitha rrobave të dhuruara në rang global.

Brooks thekson se në Gana si një shembull i një vendi ku industria lokale është prekur në forma negative, puna në industrinë tekstile dhe të veshjeve ka rënë me 80 % mes 1975 dhe 2000. Fuqia punëtore e industrisë tekstile nigeriane që dikur arriti në 200 mijë punëtorë gjithashtu ra. Në një përpjekje për të mbrojtur industritë e tyre tekstile, disa vende afrikane kanë vendosur limite për importimin e veshjeve të përdorura. Por jo të gjithë besojnë se tregtia ndërkombëtare e veshjeve të përdorura është diçka e keqe. Një studim i publikuar nga Oxfam më 2005 arriti në përfundimin se pavarësisht dëmit për prodhimin tekstil në Afrikën subsahariane importimi i veshjeve të përdorura në përgjithësi kishte ndihmuar rajonin.

Përveç se u ofron komuniteteve të varfra veshje të lira, tregtia gjithashtu ofron një mbështetje për qindra mijëra persona, thotë organizata.

Por ashtu siç pohon Kate MacKlean, kjo tregti është një “ilustrim mizor i pabarazisë dhe padrejtësive të globalizimit”.

“Tregtia e rrobave të përdorura mund të karakterizohet si një pasojë e oreksit të pashterueshëm të vendeve të pasura për artikujt e lirë gjë që ka sjellë një rënie të rrogave në industrinë e veshjeve. Këto artikuj të përbuzur në vendet e pasura, thotë studiuesja, përfundojnë në vendet e varfra duke krijuar një industri ku shumë pak po pasurohen dhe të tjerë tentojnë me vështirësi të fitojnë bukën e gojës me shitjen e rrobave të përdorura.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *