Perla e Blendi Shkëmbit është goli kopertinë i kualifikimit të Skënderbeut në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Çerekfinalja e kthimit ndaj Flamurtari përfundoi me fitoren 3-1 të kampionëve dhe festën e tifozerisë që si “qershi mbi tortë” për triumfin ndaj rivalëve i gëzohet golit të mrekullueshëm të Bledi Shkëmbit.
Gjithçka riniste nga barazimi 1-1 i sigluar në Vlorë dhe sfida nisi me një gol të shpejtë, por të parregullt të Flamurtarit. E bukur skema e vlonjatëve në minutën e 3-të, por Buval autori i golit ishte dukshëm në pozicion jashtë loje. Tjetër episod arbitrimi në minutën e 20 kur Liridoni Latifi u gjend i vetëm para Ilion Likës, por pa mundur të shënojë një gol që nëse do të ishte realizuar do të kishte ngjallur një mal me polemika.
Në minutën e 25 rast për Flamurtarin, me Tefik Osmanin që gabon në largimin e topit Bedi Buval gjendet i vetëm para Shehit, por humbet kohë dhe gjuan keq duke shpërdoruar. Edhe pse çdo minutë që kalonte me rezultatin 0-0 ishte në dëm të Flamurtarit ishte Skënderbeu skuadra më kërkuese, me Prognin që mbetej një rrezik konstant për kundërshtarët, ndërsa më pas Kristi Vangjeli, por dhe Liridon Latifi, patën rastin për të tentuar portën e Ilion Likës. Iniciativa e korçarëve u shpërblye në shtesën e pjesës së parë, kur pas një goditje nga distanca Tefik Osmani mori topin në qendër të zonës dhe me mbrojtësit vlonjatë të hipnotizuar shfaqi qetësi olimpike për të shënuar golin e avantazhit.
Më shumë se sa për golin është lodhur ndoshta për dedikimin duke përshkuar gjithë fushën për t’ia rezervuar Bledi Shkëmbit. Josa e nisi pjesën e dytë duke futur në lojë Shkëmbin dhe Berishën për Nimagan dhe Latifin duke ofruar dhe një eksperiment interesant me kapitenin bashkë me Alikajn në fushë, gjithsesi ndryshimi në rezultat erdhi nga futja në lojë e kosovarit që shënoi golin e 2-0 në minutën e 55.
Ashtu si Stojkov në kampionat edhe Berisha duhet të ndajë meritat me Gerhard Progni që përsëriti gjestin e tij altruist, edhe këtë herë u gjend i vetëm para portës në pasimin e Alikajt, por me inteligjencë ftoi Berishën që kishte kohën dhe hapësirën për të kolauduar goditjen fatale.
Episod tensioni në minutën e 60 mes Shkëmbit dhe Telushit, por gjithçka zgjidhet brenda pak sekondash dhe loja bëhet më interesantë në minutën e 73. Gol i Flamurtarit me Hoxhën që merr pasimin brenda zonës dhe bën gjithçka mirë për të çuar shifrat në 2-1, pasiguri në sytë e presidentit të Skënderbeut, Takaj, në tribunë pasi një gol tjetër kualifikon vlonjatët. Por nuk ka vend për frikë kur në fushë është një lojtar si Bledi Shkëmbi. Gol i mrekullueshëm i 35-vjeçarit që kujton Shkëmbin e ditëve më të mira të karrierës, spektakolar dhe plot klas kapiteni i Skënderbeut me një harkim fantastik që i befason të gjithë dhe çdo gjë përfundon 3-1, me bardhekuqtë të kualifikuar në gjysmëfinale.
