Deri ditën kur Komisioneri evropian për Zgjerimin, Štefan Füle, vizitoi Tiranën zyrtare, Kryeministri Berisha nuk pushoi së përsërituri ftesën ndaj opozitës për të votuar symbyllurazi “3 ligjet e integrimit” që nevojiten për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, ndërkohëqë socialistët janë shprehur të gatshëm për të dhënë votën pro, vetëm me kushtin e zgjidhjes së “çështjes së Qarkut të Fierit”. Pas 4 shkurtit, polemikat janë zbutur, megjithëse Berisha reciton pambarimisht refrenin e “murit të bllokimit”, me çfarë nënkupton “3 ligjet e integrimit”, që konsiderohen “detyra shtëpie” për t’u bërë nga politika shqiptare.
Në këtë histori, ajo çfarë duhet të jetë shqetësuese qëndron në mungesën e debateve teknike. Shumica e deputetëve dhe publiku i gjerë nuk i njohin ndryshimet që parashikojnë 3 ligjet e shumëpërfolura. Ndërsa trumbetimi nëpërmjet mediave ka bërë të duken gabimisht “3 ligjet e integrimit” po aq të pakundërshtueshme sa “3 ligjet e Njutonit”. Personalisht, mendoj që ka vend për vërejtje, ndoshta dhe për rishikim të të paktën njërit prej 3 projektligjeve, atij të nëpunësit civil.
Kështu, projektligji i nëpunësit civil, që kërkon të zëvendësojë ligjin e miratuar në 1999, sjell një risi që nuk mund të kalojë pa u vënë re dhe pa iu nënshtruar një diskutimi të gjerë: tashmë, edhe punonjësi i policisë do të konsiderohet nëpunës civil. Kam përshtypjen se ky ndryshim do të shkaktojë një përshtjellim lidhur me procedurat e pranimit në polici dhe të zhvillimit të karrierës, ndërkohë që këto janë përcaktuar në ligjin për policinë e shtetit.
Kur u hartua 14 vjet më parë, Statusi i nëpunësit civil synonte të krijonte një administratë publike të pavarur politikisht dhe bazat e këtij parimi do të vendoseshin që nga mënyra e rekrutimit të nëpunësit civil dhe e pozicionit të tij kundrejt eprorit. Mirëpo nëpërmjet ndryshimeve që kërkohen, krijohet hapësira për një kontroll më madh të stafit politik mbi nëpunësit civilë, në institucionet ku do të veprojë ligji. Ekspertët e Departamentit të Administratës Publike kanë pranuar faktin që gjatë zbatimit të tij, ligji i vjetër ka dështuar në procedurën e pranimit, sepse emërimi i nëpunësit civil është bërë nga titullari (politik) i institucionit, shpesh dhe pa konkurs, në vend që vendimi i emërimit të nënshkruhej nga drejtuesi (teknik) i njësisë së personelit.
Në vend që të gjendjej një zgjidhje, problemi thellohet në ligjin e ri: titullarit të institucionit i njihet madje e drejta e eprorit direkt të nëpunësve civilë të kategorisë së lartë drejtuese (drejtorëve të departamenteve dhe drejtorëve të drejtorive të përgjithshme), ndërkohëqë në ligjin aktual këtë të drejtë e gëzon sekretari i përgjithshëm i institucionit, i cili është nëpunës civil. Në këtë mënyrë, shtohet varësia politike mbi nëpunësit civilë dhe rrëshqitet drejt një modeli të emërimit me ngjyrime politike të pozicioneve të larta drejtuese. Me fjalë të tjera, kjo është humbje për nëpunësin civil.
Po kështu, në përfundim të periudhës njëvjeçare të provës, specialisti i ri nuk do të konfirmohet më nga drejtori i tij, por nga “institucioni ku nëpunësi është emëruar”. Ky togfjalësh i fundit mund të krijojë idenë se konfirmimi i nëpunësit të ri civil do t’i takojë titullarit (politik) të institucionit. Nëse do të jetë kështu, ky do të shënojë një hap prapa në krahasim me ligjin ekzistues, në të cilin e drejta (ose detyra) e konfirmimit – ose e mospranimit – të specialistit i takon eprorit direkt (që është nëpunës civil) dhe e drejta e firmosjes së aktit të emërimit drejtuesit të njësisë së personelit (gjithashtu nëpunës civil).
Në vend të komiteteve të ndryshme të testimit të kandidatëve, që krijohen sipas një formule të përcaktuar me ligj dhe të ngritur nga njësitë e personelit, në institucionet e pavarura dhe në njësitë e qeverisjes vendore do të krijohet një komitet i përhershëm pranimi. Ligji i ri nuk cakton rregulla të qarta për krijimin dhe përbërjen e këtyre komiteteve, por ngarkon qeverinë për nxjerrjen e udhëzimeve për këtë çështje thelbësore.
14 vjet pas hartimit dhe zbatimit të të parit ligj për rregullat e pranimit në administratën publike, thelbi mbetet i pandryshuar: në emër të garantimit të karrierës, krijohen parakushtet për një administratë të mbyllur hermetikisht. Në konkursin për një vend të ri pune, ligji privilegjon burokratë të vjetër, që, me shumë gjasa, vegjetojnë prej vitesh, duke i mbyllur rrugën kështu profesionistëve të ardhur nga shoqëria civile, sepse i jepet përparësi lëvizjes paralele dhe ngritjes në detyrë të nëpunësve që punojnë në institucionin ku krijohet vendi i ri i punës. Ligji i ri është një grusht për intelektualët që do të kërkojnë të pranohen në administratën publike: ata do të privohen nga e drejta për të konkuruar për poste të larta; madje dhe specialistët me përvojë të administratës do të përjashtohen nga mundësia për të marrë pjesë në garë.
Së fundi, ligji i ri rikthen të drejtën e grevës për nëpunësit civilë, por u rrëmben një të drejtë tjetër themelore: të drejtën për të qenë anëtarë të partive politike. Ky përbën sërish një zhvillim negativ në krahasim me ligjin ekzistues, i cili e kufizon të drejtën politike të nëpunësve civilë vetëm në organet qëndrore ekzekutive. Prandaj, nëse miratohet në formën e propozuar, ligji për nëpunësin civil do të dëmtojë dhe vetë politikën, duke i hequr pjesën e saj të madhe intelektuale.

ne administrata duhen te vihen njerez fisnik me kulture te madhe qe te din cte manifesojn para qytetarit se mund te jete nje administrator me shkolle por nuk esht njeri pra ska kulturen e duhur