Nëse Zoti do të ndante postet dhe detyrat edhe në Shqipëri është 100% e sigurt se Nishani ynë jo vetëm s’do të bëhej kurrë president, por zor se do të ishte propozuar në jetën e tij as për atashe në përfaqësitë tona diplomatike. Besoj edhe vetë Nishani është dakord me opinionin tim. Arsyet janë të shumta, objektive dhe subjektive, po ja, ta presupozojmë që ky Nishani, fjala vjen ta kishte kundërshtuar Berishën si kolegët e tij Mustafaj apo Ngjela. E larg qoftë të mendojmë për Pashkon apo për të ndjerin Olldashi. Ku do të ishte sot ky Nishani? Ja Oketa i gjorë, për pesë pare u nda me patriarkalin, e sot ndihet i lumtur nën ombrellën e Topit. E ja pra kush mund të ishte sot Nishani. Nishan presidenti ose më shkoqur ushtari i mirë Nishan. Po sikur ashtu siç t’u bë peshqesh karrigia rezervë e presidentit, pasi de facto në karrigen e saktë pushon Berisha, të ishe ti zoti Nishani i propozuar për ambasador në Vatikan dhe një farë Zhiti të të refuzonte, thjesht të hidhte një firmë fiktive, ç’do të thoshe ti kandidati imagjinar? Gjithsesi mos u trishtoni zoti Nishani, se nëse karriera juaj do të kërkonte vlerësimin e zotit Zhiti, pa merak, do marrësh mirëbesimin e tij. Por me një kusht të vetëm, të divorcohesh me Berishën!
Letër e nënshkruar,
Preng Pjetri
