Ajo është një aktore e re e Shqipërisë, por që ia mbushi syrin regjisores italiane Laura Bispuri që t’i ndajë një ndër rolet më të rëndësishme në filmin “Burrneshat”. Filmi që është prezantuar premierë botërore në Berlinale, ka mbushur me emocione Flonjën, e cila vetë këtë pjesëmarrje e konsideron të jetë çmim në vete. Pas festivalit, Flonja ka folur për përvojën e saj me aktorët e këtij projekti, por edhe për dëshirën e saj, që projekti i radhës të jetë në teatër.
Ju sapo u prezantuat në premierën botërore me filmin “Burrneshat”, në festivalin prestigjioz “Berlinale”, me çfarë emocioni e përjetuat këtë ngjarje?
Deri këtu ishte një nga momentet më të bukura të jetës time profesionale. Një përjetim i mrekullueshëm. Kisha shumë, shumë emocione përpara se të shkelja në tapetin e kuq dhe, në momentin kur arrita gjërat ndodhën në mënyrë shumë të natyrshme dhe të shpejtë, prandaj sikur të rifillonim s’do të ishte keq. Tani që shoh fotot dhe me pak distancë, po shoh që vërtet kemi qenë shumë të bukur, të gjithë ne, dhe shumë të lumtur. Sytë xixa! Prezenca e prindërve të mi i dha një peshë emocionale edhe më të fortë asaj mbrëmjeje. Thosha me vete që po të kishin krahë në atë moment, me siguri do të fluturonin nga gëzimi. Gjatë projektimit, publiku m’u duk shumë i vëmendshëm dhe, në fund filmi është duartrokitur dy herë. Pra njerëzit e pritën deri në fund, deri në momentin kur regjisorja na ftoi të gjithëve në skenë. Berlinalja do të mbetet si kurorëzim shumë i bukur dhe i rëndësishëm për punën tonë.
Pavarësisht se ishit brenda filmit për një kohë të gjatë, prej leximit të skenarit e deri të realizimi i xhirimeve, të shikosh punën tuaj nëpërmjet ekranit, nënkupton të ketë qenë edhe për ju premierë, si e kapët filmin nga këndvështrimi i spektatores?
Pashë një film që të mbush me emocione të forta. Është film i veçantë. Ka shumë poezi dhe tema e burrneshës është trajtuar me shumë finesë dhe zgjuarsi. Është një film që të vë në pyetje dhe mbi procesin e identitetit femëror, mbi etapat e ndryshme të jetës. Është trajtuar me delikatesë dhe kujdes. Muzika ka një vend jashtëzakonisht të bukur. Më ka pëlqyer pa masë se si është përdorur.
Pritjet janë të mëdha, se mund edhe të shpërblehesh për rolin tuaj, pavarësisht faktit se për partnere keni një aktore shumë të treguar edhe në nivel ndërkombëtar, e ndjeni që mund të ktheheni edhe me çmim nga ky festival?
Fakti që jemi në Berlinale e konsideroj si një çmim në vete!
Flasim pak për reagimin e audiencës që panë filmin, si u komentua, duke pasur parasysh edhe temën, që është e panjohur në nivel ndërkombëtar, por edhe për realizimin e filmit në tërësi?
Tema e Burrneshës është e panjohur për të huajt. Në këtë film, kjo është pikënisja e një rrugëtimi të dhimbshëm, por edhe aq i bukur procesi i identitetit femëror. Dhe ky rrugëtim, kërkimi i vetvetes dhe i lirisë, është universal. Audienca e vlerëson si një film autentik, me një forcë të madhe emocionale. Pëlqehet shumë mënyra se si është filmuar, kamera në shpatull e cila e bën filmin akoma më realist, më të gjallë. Puna e aktorëve po vlerësohet shumë për nga natyrshmëria e lojës tonë dhe nivelit të lartë aktorial.
Kthehemi pak në kohë; kur pranuat rolin për këtë film, ishin pritjet e juaja kaq të mëdha se filmi do të marrë pjesë në festivale të rëndësishme?
Nuk mendoj kurrë për rezultatin. Jam e fokusuar në punën time. Por, sigurisht që gjatë punës e ndjeva që po bënim një film të veçantë. Një film sfidues për të gjithë ne, por nuk mendoja se mund të vinim deri këtu, thjesht, ndoshta edhe për faktin që është filmi i parë i gjatë i regjisores.
Po kasta e aktorëve, duke përfshirë edhe ata ndërkombëtarë, por edhe kolegët e Kosovës, çfarë ndjesie dhe çfarë përvoje të dhanë?
Alba Rohrwacher, është një aktore e cila më ka mahnitur nga profesionalizmi dhe vendosmëria e saj. Të pranosh të luash një rol kaq kompleks, në një gjuhë tjetër, ishte vërtet për ta adhuruar. Është një aktore tashmë e vlerësuar në mënyrë ndërkombëtare, por thjeshtësia e saj në punë, në marrëdhënie me ne, aktorët e tjerë, ishte mbresëlënëse. Alba është vërtetë një aktore e madhe, por mbi të gjitha është një aktore me zemër të madhe. Ndërkohë, pata dëgjuar shumë fjalë të mira për Ilire Çelaj dhe Luan Jahën dhe mezi prisja t’i takoja dhe të punoja me ta. Fatkeqësisht me Ilire Çelajn nuk kemi skenë së bashku në këtë film, por uroj me gjithë zemër që do t’ia arrijmë një ditë të luajmë së bashku, kjo është një thirrje për regjisorët, natyrisht (qesh). Kemi kaluar shumë kohë së bashku dhe e kemi ndihmuar shumë njëra tjetrën gjatë gjithë xhirimeve. Ilirja është një aktore gjithmonë në kërkim dhe shumë serioze në punë. Kam mësuar shumë prej saj. Pastaj në Itali mbeta jetime!!! Por kisha Luanin me të cilin pata shumë kënaqësi të punoj. Luanit i shkon shumë emri që ka. Është vërtet luan në punë. Për mbi të gjitha ai është një njeri me një sens humori të jashtëzakonshëm.
Dhe për fund, pos këtij filmi, a ka ndonjë projekt të ri, që Flonja Kodheli tashmë është e angazhuar, apo që pritet së shpejti të angazhohet?
Në këtë drejtim jam pak sekrete ose supersticioze. Preferoj t’i tregoj kur kam firmosur. E vetmja gjë që mund të them është që po shpresoj që projekti i ardhshëm të më japë kënaqësinë të hidhem në skenë, teatër./kultplus
