Neymar është ëndrra e madhe e PSG-së

redaktor

Nuk është as Lionel Messi, e as Cristiano Ronaldo ëndrra e madhe e Paris Saint Germainit për sesionet e ardhshme të merkatos, pasi drejtuesit e klubit nga “Parc Des Princes” dëshirojnë të kenë në ekipin e tyre brazilianin Neymar Jr.

Sipas informacioneve që vijnë nga Franca, presidenti i skuadrës pariziene Nasser Al Khelaifi është fiksuar mbas sulmuesit të Barcelonës dhe do ta bëjë një tentativë për ta shndërruar Neymarin në futbollist të Paris Saint Germain.

Edhe pse klubi katalanas e konsideron 23-vjeçarin si një futbollist thelbësor për të ardhmen e Barcës, drejtuesit e kampionëve të Francës do të bëjnë çmos për ta transferuar Neymarin në qytetin e kullës Eiffel.

Gjithsesi që të bindë Barcelonën të lejojë largimin e sulmuesit brazilian, Parisi do ta ketë shumë të vështirë pavarësisht se klubi francez zotëron një kapital të madh ekonomik, pasi blaugranat po mendojnë për ti rinovuar kontratën yllit të tyre.

Drejtuesit e Barcës po mendojnë që të zgjasin marrëveshjen aktuale të Neymarit me një kontratë të re deri në vitin 2020, nga e cila 23-vjeçari do të përfitojë plot 12 milionë euro në sezon. Aktualisht Neymar është duke zhvilluar një sezon të çmendur me Barcelonën teksa në 29 takime zyrtare ka arritur të realizojë 24 gola dhe ka dhënë 8 asiste.

Sipas të gjitha gjasave, dëshira e Paris Saint Germain për të firmosur me talentin më të madh të futbollit brazilian gjatë këtyre viteve të fundit do të mbetet veçse një ëndërr në sirtar.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *