Rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues në tremujorin e katërt të vitit 2014, tregojnë për ndryshime të vogla në kahun shtrëngues të standardeve të kredidhënies të aplikuara nga bankat për bizneset, dhe për ngadalësim të prirjes lehtësuese për individët, sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë.
Pasi u lehtësuan gjatë pjesës së parë të vitit, standardet e kredisë për biznese u shtrënguan lehtësisht gjatë tremujorit të fundit të vitit, kryesisht si pasojë e shtrëngimit të standardeve të kredisë së dhënë për qëllim financimi investimesh. Për kredinë dhënë individëve, bankat shprehen për lehtësim ndjeshëm më të ulët të standardeve, krahasuar me pjesën e parë të vitit.
Masa e lehtësimit të standardeve ishte më e ulët, si për kredinë e dhënë për blerje banese ashtu dhe për kredinë konsumatore. Ecuria e standardeve u ndikua pozitivisht nga faktorë që lidhen me gjendjen e likuiditetit të vetë bankave, nivelin e konkurrencës në sistemin bankar dhe politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë.
Disa nga faktorët kryesorë që dhanë ndikim për shtrëngimin e standardeve janë gjendja financiare e individëve dhe e bizneseve, kreditë me probleme, si dhe problemet specifike të sektorit ku operon biznesi. Kushtet kryesore me të cilat bankat zbatuan një politikë shtrënguese për bizneset ishin zgjerimi i marzhit për kreditë me rrezik dhe ulja e madhësisë së kredisë.
Për individët, kushtet kryesore të përdorura nga bankat në zbatimin e politikës lehtësuese të standardeve ishin rritja e maturitetit dhe e madhësisë së kredisë. Kërkesa për kredi, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2014, është vlerësuar e rritur, si për bizneset ashtu dhe për individët.
Për individët, përqindja neto e bankave që shprehen për rritje të kërkesës është në rënie në krahasim me tremujorin e kaluar.
Pritjet e bankave për tremujorin e parë të vitit 2015 nuk ndryshojnë shumë nga vlerësimin i tyre për situatën e tremujorit të katërt 2014. Standardet e kredidhënies pritet të përmirësohen lehtësisht, si për bizneset ashtu dhe për individët. Nga ana tjetër, kërkesa pritet të vijojë të jetë e ngadaltë.
