Java 23-të e Kategorisë Superiore rezervon vetëm një përballje direkte për titullin, por përpara se të luhet Skënderbeu-Kukësi janë dhe 4 duele të tjera për tu shijuar. Sigurisht që vëmendja e sfidave të së dielës shkon në Laç ku vendasit presin Tiranën e vendit të parë. Kurbinasit kanë qenë faktor në vitet e fundit për përcaktimin e kampionëve dhe historikisht janë cilësuar një fushë e vështirë. 24 herë kampionët fitoren e fundit në Kurbin e kanë në majin e vitit 2012 me një gol të Bekim Balaj, por ndeshja e fazës së parë la kujtime të hidhura. Bardhezinjtë ishin dominues në fitoren e pastër 2-0 dhe tashmë që kanë objektiva për të arritur shihen akoma si më të rrezikshëm.
Me rifillimin e sezonit Laçi ka një ecuri të mirë, pasi ka marrë pikë me rivalët e titullit, barazim me Partizanin dhe Skënderbeun si dhe fitore me Kukësin, pa harruar kualifikimin në kupë.
Një moment të artë po kalon edhe Tirana që vjen nga 5 fitore radhazi në kampionat, teksa ka marrë në transfertë kualifikimin për në gjysmëfinale të kupës së Shqipërisë. Me një situatë aspak komode vjen Partizani në sfidën ndaj Teutës, pasi eliminimi nga kupa ka ftohur marrëdhëniet e ekipit me tifozët. 15 herë kampionët janë 6 pikë larg dyshes së kreut, por dy humbjet e fundit me Kukësin në kampionat dhe Laçin në kupë e kanë bërë më të rëndë situatën.
Përballë të kuqve është Teuta që në 11 javët e fundit në kampionat ka regjistruar 2 fitore dhe 9 humbje. Megjithatë pozitat e djemve të detit ende nuk janë lëkundur pasi diferenca me Elbasanin e vendit të 9 është 7 pikë. Pavarësisht renditjes kjo sfidë gjithmonë ka prodhuar rivalitet dhe garë në fushën e blertë teksa Partizani ka fituar dy ndeshjet e luajtura midis tyre gjatë këtij sezoni.
Momentin e mirë në kampionat kërkon ta ruajë Flamurtari, sezoni i të cilit mori një goditje me eliminimin nga Kupa e Shqipërisë. 13 pikë larg vendit të tretë, kuqezinjtë tashmë duken të kenë mbyllur objektivat sezonalë, pasi Evropa është një ëndërr e mbetur në sirtar për këtë sezon dhe vetëm një mrekulli mund tia bëj të mundur futbollin europian të verës.
Në “Loro Boriçi”, Apolonia sheh një mundësi për të rindezur shpresat e mbijetesës, ndaj një kundërshtari direkt. Formacioni i drejtuar nga Artan Mërgjyshi shkon në Shkodër pasi u eliminua në mesjavë nga Tirana në shtëpi, dhe morali për një ndeshje të tillë sigurisht nuk është më i miri. Në krahun tjetër kuqeblutë vijnë nga 5 humbje radhazi në kampionat dhe për italianin Raineri nuk është një moment i qetë. Ndaj Apolonisë këtë sezon skuadra e tij ka marrë pikët e plota dhe në këtë 90 minutësh pritshmëritë janë për një tjetër sukses.
