Edhe kali i kuq, e ka një huq…!

redaktor

Të rrihesh dhe të torturohesh në mënyrë barbare, për hir të bindjeve të tua politike dhe angazhimit personal në çështje të rëndësishme jetike për vendin, të dalësh fitues mbi të keqen, në zgjedhje të lira me një shumicë marramendëse votash dhe të tregosh një durim të tillë me agresorin tënd, atë që u mundua të “të bëjë fytyrën si sholla e këpucës” dhe të të marrë dinjitetin, të shohësh fytyrën e tij të ngërdheshur tek zgërdhihet duke folur për krimin ndaj teje, e gjitha kjo nuk është pjesë e mentalitetit tonë shqiptar. Edhe më i arsimuari mes nesh, më i kulturuari në pamje të parë, po të kish pasur këtë mundësi që ka Rama sot, do të kish mprehur thikat dhe do kish fryrë trumbetat e luftës.

Do kish hequr qafe, jo vetëm llallët dhe nishanllinjtë, por edhe cilindo guralec shqiptar në administratë, që i dilte përpara vrullit të hakmarrjes. Ky do të ishte skenari viçidolas, i hakmarrjes pa organizatë, por i organizimit për rrumpallë, do të ishte guri i radhës në murin e lartë të bajraktarizmit si formë demode e bashkëjetesës.

Për fat të mirë, Edi Rama nuk është nga Viçidoli. Ai nuk ka formatin e njeriut frikacak dhe të pabesit e bukëshkalit, që ka kundërshtari i tij. Mënyra e tij e mendimit dhe botëkuptimi i tij, nuk përputhen me erën e fekales së shpellës ku akoma jeton kundërshtari. Nuk do të ishte trimëri, përkundrazi, t’i ktheje Berishës levën me levë. Trimëri dhe zgjuarsi shtetformuese, do të ishte bërja e një reforme në drejtësi që do t’i jepte fund kësaj “perandorie lëpirësish gëlbazash”, siç kemi sot në organet e sistemit të drejtësisë. Një reformë e tillë, nënkuptonte që një prokuror i vërtetë, nuk pret urdhra nga lart për të ndjekur viktimën e radhës, por që në përfaqësim të ligjit, hap çështjen penale, ku dëshmitarë apo bashkëpunëtorë të penduar si Izet Haxhia mund të japin dëshminë e tyre në kornizën e një shteti funksional. Ata që quajnë mungesë trimërie, mosreagimin personal të Kryeministrit karshi kundërshtarit të tij, jetojnë akoma në qenefet e Sali Berishës dhe botën e tij prej të sëmuri psikik. Nëse një mosreagim i tillë personal, ndër ne shqiptarët vlen si “huq i keq”, atëherë, personalisht do zgjidhja gjithmonë, atë “kalin e kuq”, edhe pse me “huq”!

 

Dërguar me email

në adresën e redaksisë

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *