Lëreni Vjosën të rrjedhë

redaktor

Dërguar me email

në adresën e redaksisë

 

Nëse ky projekt grek për Vjosën do të vihet në zbatim, kjo është një shkelje flagrante e marrëveshjeve ndërkombëtare për ujërat e përbashkëta! Shikoni mirë se ndoshta Aldua i Rrumpallës ka firmosur pëlqimin e palës shqiptare, siç bënë me Detin…! Vjosa është i vetmi lumë në Europë që vazhdon rrjedhjen e tij të lirë, pa diga dhe devijime, në një pjesë të madhe të vitit me kaltërsinë e saj të veçantë, me grykat dhe kanionet e mrekullueshme, me një bimësi të rrallë, të njohur si trashëgimi natyrore origjinale në llojin e vet… Ambientalistët tanë duhet t’u bien këmbanave, nëse prishet rrjedha biblike e kësaj pasurie të rrallë tepër atraktive për ekonominë e popullsisë që mban Lugina e Vjosës, por dhe si një atraksion i rrallë për turistët…

Para shumë vjetësh tentuan edhe jugosllavet të përdornin ujërat e përbashkëta, por atëherë vendi kish zot. Qeveria shqiptare, ju përgjigj jugosllavëve se po të veprohej në mënyrë të njëanshme, do të hapte tunelin e Qafëthanës dhe do ulte nivelin e Liqenit të Ohrit, duke ju përgjigjur fqinjëve grabitqarë me të njëjtën monedhë… Ndoshta me të njëjtën gjuhë duhet përgjigjur dhe grekëve, duke u bllokuar interesat e tyre ekonomike në Shqipëri… Lëreni Vjosën të rrjedhë në shtratin që ka krijuar prej miliona vjetësh, pa rrezikuar ekosistemin dhe interesat e brezave të sotëm dhe të ardhshëm!

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *