Vangjeli “dënon” korçarët, 1-1 supersfida me Kukësin

redaktor

Mbyllet me lotët në sytë e Leonid Abazit dhe festën e futbollistëve të Kukësit. Përfundoi në barazim 1-1 e vendosur në frymën e fundit kryendeshja e javës së 23-të të Kategorisë Superiore mes Skënderbeut dhe Kukësit, i kishte të gjitha si një reklamë e denjë e futbollit shqiptar, me Skënderbeun dominues në fushë që u shtang në minutën e 93 nga Kukësi që shijon ndoshta barazimin më të ëmbël, atë që e mban në krye të klasifikimit të Kategorisë Superiore.

Atmosferë e mrekullueshme në Korçë për kryesfidën e javës së 23-të, të gjitha biletat të shitura në stadium ku mes koreografisë fantastike të vendasve nuk mungonte dhe dekori i tifozëve të Kukësit. Në fushën e lojës Martins e Stojkov në sulmin e 4-4-2 të Josës, përgjigjej me tredhëmbëshin Pejic, Hysa dhe Mici.

Menjëherë problem për Skënderbeun, me Tefik Osmanin që u dëmtua në minutën e 13-të, duke u detyruar të lërë fushën e lojës, por çdo e keqe e ka një të mirë, pasi ai që e zëvendësoi ishte pikërisht Leonid Abazi. Ndeshja u ndez pas minutave të para që u luajtën sipas manualit të studimit me iniciativën në krahun e Skënderbeut, në minutën e 20-të Progni në goditje standarde peshkoi Radasin, që para Halilajt çoi topin lart me kokë. Kukësi i mirëorganizuar në mbrojtje synonte të përfitonte në kundërzbritjet me Pejic që i kërkonte hapësirat në të djathtë.

Në minutën e 22-të, Erjon Dushku nuk arriti të gjente goditjen fitimtare me kokë, ndërsa në minutën e 28-të Berisha provoi në krahun tjetër me një goditje që edhe pse e devijuar u prit nga Halilaj. Menjëherë më pas ishte Gerhard Progni ai që futi drithërimat në kampin kuksian me një predhë që tronditi shtyllën e Halilajt.

Skenari vijoi me Skënderbeun më kërkues në aksion e goditje nga distanca dhe Kukësin që synonte goditjen e hidhur, si ajo që ju afrua në minutën e 36-të me krosimin e Pejic për Lushtakun që mungoi për pak cm në takimin me golin. I menjëhershëm reagimi i korçarëve me Diego Martinas që me duar e këmbë ja doli të mbante topin përmes kundërshtarëve por nuk bëri më të mirën para Halilajt duke goditur shtyllën. Pas një pjese të parë intensive, por me rrjeta të paprekura fati i takimit u vendos në të dytën. Skënderbeu morri komandën në minutën e 52-të.

Ishte i Leonid Abazit, heroit që askush nuk e priste goli që solli avantazhin për kampionët, kosovari i futur nga stoli vetëm për shkak të dëmtimit të Osmanit kaloi në eufori tifozët vendas. Fishekzjarre mbi qiellin e Korçës. Në tribunë urimet janë për Takajn. Duel kroat në zonë mes Pejic dhe Radas në minutën e 59-të me sulmuesin që pretendoi për 11-metërsh, por nuk ishte dakord Jemini.

Ndeshja vijoi e luftuar e me duele të forta min dhe Skënderbeun që e uli disi ritmin dhe Kukësin që e kishte të pamundur të krijonte një rast të pastër, por stresi në fytyrën e Josës rezultoi më pas i justifikuar, pasi Alikaj në minutën e 92-të shpërdoroi një rast të artë për ta vrarë sfidën dhe skenari i jashtëzakonshëm u konsumua menjëherë më pas, në të 93-n kur pas një kontakti mes Vangjelit e Hoxhës në zonë dhe Jemini pa dyshim tregoi pikën e bardhë të 11-metërshit.

Nuk gaboi që aty Hair Zeqiri duke siguruar me të parën goditje në portë për Kukësin barazimin 1-1. Padyshim që shijon si një fitore në kampin e Kukësit që pronëson i vetëm kreun e klasifikimit, ndërsa te Skënderbeu i lë të gjithë të shtangur. Në fund gjithçka mbyllet me lotët e Abazit dhe festën e miqve, skenar i denjë për dramat e mëdha.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *