Në merkaton e dimrit, tifozët e Partizanit kërkuan me ngulm afrimin e një qendërsulmuesi që nuk erdhi asnjëherë në grupin e të kuqve. Presidenca nuk arriti të afronte një lojtar të karakteristikave të diktuara nga trajneri Shpëtim Duro dhe pasojat u ndien në ecurinë e skuadrës në Kampionat, pasi statistikat janë të ftohta dhe në këtë rast u japin të drejtë tifozëve.
Astrit Fazlliu i dha fund shterpësisë së Partizanit në sulm për ndeshjet e Kategorisë Superiore, pasi lojtari kosovar shënoi të parin gol që prej rreth dy muajsh nga një sulmues i Partizanit. Në 20 dhjetorin e vitit të shkuar ishte Racic ai që shënoi golin e vetëm në transfertën e Elbasanit dhe që prej asaj periudhe, për sulmin e kuq semafori nuk u bë asnjëherë jeshil.
Kroati Racic ka humbur shkëlqimin e dy fazave të para, ndërsa Fazlliu është endur shpreh herë mes pankinës dhe fushës së blertë, duke shkaktuar krizën e golit nga reparti i avancuar edhe shpesh herë pse Partizani ka gjetur zgjidhje të tjera. Emiljano Vila që në skuadrën e Duros aktivizohet më i tërhequr shënoi golin e tretë personal në këtë kampionat në transfertën e Fierit, ndërsa Bylykbashi shënoi në transfertën e Laçit.
Gjithsesi, është sulmi ai që duhet të diktojë ritmin e një skuadre e cila ka objektiv titullin kampion dhe aktualisht në ekipin kryeqytetas duket reparti që ka dhënë më pak shenja jete. Një sulmues detyrë parësore ka golin, por Racic dhe Fazlliu nuk kanë mundur të sigurojnë vazhdimësinë e nevojshme për t’i dhënë oksigjen grupit në një garë që po bëhet gjithmonë e më e ashpër.
Nëse kroati dhe kosovari nuk zgjohen nga gjumi i dimrit, atëherë telashet për trajnerin Duro sapo kanë filluar edhe pse Partizani ka arritur të ruajë kontaktet me kreun e klasifikimit dhe kampionati mbetet ende i gjatë.
