E nderuar gazeta ‘DITA’. Jam duke ndjekur lajmet dhe pa pritur lexoj me titra: Petrit Azemaj dërgohet në Korçë për të zbardhur një incident në Komisariat. M’u drodh shpirti, sytë m’u errësuan. Nuk e besova. Lexova sërish. Po. Petrit Azemaj shkruhej. Vetja m’u duk si në birucat e nëndheshme të degës së punëve të brendshme të Librazhdit. Dhoma e nëndheshme që u hap enkas për të torturuar Gencin, Vilsonin dhe Bedriun. Më kaluan para syve një duzinë hetuesish e operativësh, midis këtyre dhe hetuesi i ri Petrit Azemaj me fytyrën e tij të mbushura me dregëza si të vrarë lije. Veçse një gjë e mësoi dhe e bëri mirë në prezencën e kryetarit të degës Merdar Hasaj, shefit të hetuesisë Selim Caka dhe të hetuesve të tjerë si Lulo Ymeri e të tjerë: U bë mjeshtër i torturave dhe drurit që, kur djersitej, e fshinte fytyrën e rrjepur nga puçrrat me llërën e dorës.
Kam shkruar vazhdimisht për këta oficerë të sigurimit, për këta kriminelë e vrasës, por askush nuk ka dashur të dëgjojë, sidomos partia debatikase që ishte dhe është e mbushur dingaz me sigurimsa. Kjo qeveri që ka ardhur në pushtet duket se ende nuk e ka fuqinë ta pastrojë sistemin e drejtësisë nga këta lloj tipa të urryer si Petrit Azemaj. Unë jam gati ta vërtetoj këtë që thashë dhe për të cilin akuzoj Petrit Azemajn me procesverbalet origjinale që kanë firmën e tij si asistues për vëllain tim Vilson Blloshmi.
Letër e nënshkruar,
Bedri Blloshmi
