Mjekët e specialiteteve të ndryshme listën e profesionistëve të shëndetit që për pesë vite rresht kanë refuzuar përditësimin e njohurive profesionale duke u bërë pjesë e aktiviteteve trajnuese të akredituara. Por, përqindje shumë e lartë e profesionistëve pa kredite shënohet edhe në radhët e stomatologëve, ku më shumë se gjysma e tyre e kanë braktisur këtë program. Verifikimet e bëra nga autoritetet e Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim flasin për mijëra stomatologë, mjekë dhe farmacistë që kanë neglizhuar fitimin e krediteve të kërkuara, çka do të thotë se për të vijuar ushtrimin e profesionit duhet të kalojnë në provimin e shtetit. Në mbledhjen e djeshme të Bordit të Ricertifikimit dhe Akreditimit të profesionistëve të shëndetit janë zbardhur të dhënat konkrete në lidhje me personelin mjekësor që do të kalojë në testim për të mbajtur licencën profesionale. “Nga analiza paraprake e të dhënave të programit të ricertifikimit rezulton se 1800 mjekë (ose 36 për qind e gjithë trupës mjekësore në vend), 606 farmacistë (28 për qind), si dhe 1096 dentistë që përbëjnë rreth 52 për qind të totalit të stomatologëve që punojnë në sektorin publik dhe jopublik të sistemit të kujdesit shëndetësor, nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre për mbledhjen e krediteve të edukimit në vazhdim”, ka theksuar ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj gjatë mbledhjes së bordit. Një pjesë e mirë e këtij personeli ndodhet në vlerën e zero krediteve, sikundër pjesa tjetër e cila ka arritur të fitojë nivel më të ulët kreditosh se sa pragu i përcaktuar për të gjitha vitet e zbatimit të programit të ricertifikimit profesional. Që të gjithë këta profesionistë do t’i nënshtrohen provimit nëse duan të vijojnë ushtrimin e profesionit. Bordi ka marrë një sërë vendimesh në lidhje me afatet konkrete të zhvillimit të provimit të ricertifikimit, shpalljen e rregulloreve dhe programeve orientuese me temat që duhet të përvetësojnë këta profesionistë. Sipas afateve të përcaktuara brenda datës 16 prill do të zbardhet lista e të gjithë kandidatëve që janë në mungesë me kreditet e që duhet të nisin procedurat e përgatitjes për provimin e ricertifikimit. Pas shpalljes së këtyre listave në një hark kohor prej 6 muajsh të gjithë këta profesionistë duhet të kalojnë në provimin e mbrojtjes së licencës
Kreditet e kërkuara sipas specialiteteve
Numri i kërkuar i krediteve të edukimit në vazhdim është 100 për farmacistët dhe dentistët. Për çdo vit kalendarik të zbatimit të programit të nisur që në vitin 2010 këta profesionistë duhej të siguronin nga 20 kredite, deri në mbylljen e programit me 31 dhjetor 2014. Ndërsa mjekët në total duhej të siguronin 150 kredite, (30 kredite për çdo vit kalendarik). Ricertifikimi përjashton nga detyrimi i krediteve një kategori të caktuar profesionistësh sipas përcaktimeve të detajuara në vijim. Konkretisht punonjësit që gjatë një viti kalendarik në periudhën 2010-2014 kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës për 4 muaj e më gjatë, përjashtohen nga detyrimet për sigurimin e krediteve të vitit në fjalë. Më tej, për punonjësit që kanë filluar të ushtrojnë profesionin pas vitit 2010, detyrimet për kreditet fillojnë nga viti kur kanë nisur të punojnë. “Nëse në periudhën e zbatimit të këtij programi keni kryer ose jeni duke ndjekur programe universitare të akredituara (specializim, doktoraturë, master, kurs tjetër pasuniversitar) brenda ose jashtë vendit, jeni të përjashtuar nga detyrimet e programit të ricertifikimit. Të gjithë profesionistët që nuk kanë ofruar drejtpërdrejt shërbime shëndetësore, por kanë ushtruar funksione administrative janë të përjashtuar nga detyrimi për kohën gjatë së cilës kanë pasur pozicione administrative”, sqarohet në rregulloren e zbatimit të programit. Nga detyrimet për mbledhjen e krediteve është i përjashtuar i gjithë personeli infermieror në vend. Zhvillimi i këtij provimi nuk ka lidhje me testimin kombëtar të planifikuar nga dikasteri i shëndetësisë, me qëllim fotografimin e nivelit aktual të profesionistëve të punësuar në institucionet publike të shëndetit. Duke e konsideruar gjendjen në shëndetësi si të vështirë, ministri Beqaj ka theksuar gjatë ditës së djeshme se buxheti i shtetit nuk përmbush dot të gjitha nevojat, e në këto kushte është menduar zgjidhja e rrugës së koncesioneve, teksa që është ndalur edhe tek testimi që do të zhvillohet në rang vendi, i cili sipas tij, nuk ka për qëllim që të largojë nga puna personelin mjekësor. “Nga procesi i testimit nuk cenohen tre gjëra që janë të rëndësishme, kontrata e punës, paga dhe e drejta e ushtrimit të profesionit. Pas testimit, asnjë nga këto të tria nuk cenohet. Kemi nevojë të domosdoshme për investime themelore në shëndetësi dhe sot për sot, takati i buxhetit shqiptar me paratë publike nuk mban. Edhe debati i hapur për koncesionin e filluar, ku në 30 mars do të shohim ofertat, përmban rinovim të gjithë instrumentalit kirurgjikal, për të gjithë operacionet kirurgjikale në Shqipëri. Konkretisht bëhet fjalë për rreth 50 mijë ndërhyrje në vit, nga të cilat 22 mijë zhvillohen në QSUT. Synojmë ofrimin e atyre pajisjeve të sintetizuara para çdo operacioni, ofrimin e veshjeve njëpërdorimshme para çdo operacioni dhe sterilizimin e duhur para çdo ndërhyrjeje kirurgjikal”, ka deklaruar ministri Beqaj.
Bordi vendosi që :
- Brenda 6 muajve, duke filluar që nga data 15 prill 2015 nga shpallja nominale e emrave, profesionistët që nuk kanë përmbushur detyrimet duhet t’i nënshtrohen provimit të ricertifikimit.
- Brenda muajit mars do të miratohet rregullorja e provimit të ricertifikimit për profesionistët e sipërpërmendur të punësuar në sektorin shëndetësor publik e privat.
- Deri në datën 15 prill, urdhrat e profesionistëve dhe fakultetet përkatëse të Universitetit të Mjekësisë, në bashkëpunim me shoqatat e profesionistëve të shëndetit do të hartojnë programet orientuese për të gjithë kategoritë e profesionistëve që duhet t’i nënshtrohen provimit të ricertifikimit.
- Brenda datës 15 prill, Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim do të zbardhë të gjithë emrat e profesionistëve që duhet t’i nënshtrohen këtij provimi për të mbrojtur licencën profesionale.

Instrumentet kirurgjikale nuk “SINTETIZOHEN” siç shprehet autorja e shkrimit. Po te ish e vertete nje dukuri e tille do kishim p.sh: tre gershera te “sintetizuara” ne nje, apo nje bisturi dhe nje pincete te “sintetizuara” ne nje e keshtu per gjithe intrumentet kirurgjikale qe duhet vetem te “STERILOZOHEN” para çdo perdorimi.
Instrumentet kirurgjikale nuk “SINTETIZOHEN” siç shprehet autorja e shkrimit. Po te ish e vertete nje dukuri e tille do kishim p.sh: tre gershera te “sintetizuara” ne nje, apo nje bisturi dhe nje pincete te “sintetizuara” ne nje e keshtu per gjithe intrumentet kirurgjikale qe duhet vetem te “STERILIZOHEN” para çdo perdorimi.