Herën e fundit që u pyet nga gazetarët, Lulzim Basha e anashkaloi çështjen e rikandidimit ose jo të tij në Tiranë këto zgjedhje të reja lokale. “E lëmë për takimin tjetër këtë temë”, tha Basha, edhe pse ishte rasti ideal, pasi po inauguronte rikonstruksionin e një shkolle të kryeqytetit. Pra kishte shkuar me kostumin e administratorit të kryeqytetit dhe jo të kryetarit të partisë kryesore të opozitës.
Por nuk kaluan as dy ditë dhe dje, “presionin” direkt për këtë çështje ja bëri vetë ish-kryeministri dhe mentori i tij politik, deputeti Berisha. “Ai do ishte kandidatura jonë më e mirë dhe duhet të kandidojë sërish”, tha Berisha, “por vendimi është i zotit Basha”.
Pak më herët, ftesën e hapur për të garuar sërish, Bashës ja kishte bërë eksponenti i ri i strukturave drejtuese të PD-së, Jamarbër Malltezi, dhëndri i i ish-kryetarit. Ndërsa një përpjekje për ta nxjerrë nga ky “kurth” bëri aleati republikan Mediu, sipas të cilit Basha do udhëheqë fushatën në gjithë vendin dhe është kandidat për kryeministër, ndaj duhet ta lërë Tiranën. Çfarë do të bëjë Basha?
DITA ka analizuar edhe më parë, se rikandidimi i Lulzim Bashës në Tiranë do ishte një “ftesë e urdhëruar” e Berishës për vetëvrasje politike. Basha do bënte një fushatë plot me ankesa për qeverinë që e paskësh bllokuar për të realizuar premtimet e tij; duke kërkuar një mandat të ri… për të pasur përballë po këtë qeveri. E vetmja që i bëri dhuratë kryeqytetit, ishte e vetmja gjë për të cilën dikur shigjetoi fort paraardhësin: Ndërtimet në digën e liqenit artificial.
Kuptohet, Basha mund ta humbiste Tiranën (nëse kandidon), edhe pa qenë nevoja të japë dorëheqjen nga drejtimi i partisë për shkak të humbjes; por kjo do të ndodhte sepse kështu e urdhëron Berisha. Ndërkohë që një kandidat tjetër i së djathtës, do të hynte në garë pa ngarkesat dhe llogaridhënien e munguar të Bashës. Dashamir Shehi do ta pranonte garën nëse mbështetej nga PD; por një figurë potenciale sipas një sondazhi të DITA online, do ishte dhe Majlinda Bregu; secili prej tyre ka hapësirën të luftojë pa kusuret e Bashës mbi shpinë, thjesht të performojë sa më mirë përballë kandidatit të mazhorancës. Që deri tani i përgjigjet me probabilitet të madh, emrit të Lindita Nikollës, ministres së Arsimit.
Ndërkohë që opozita në Durrës është e paqartë dhe po hyn në zonën e rrëmujës me kandidatët, nga Agron Duka te Arqile Gorea, mazhoranca nuk duket të ketë dyshime për një garim të tretë të Vangjush Dakos. Kufiri i vendosur nga kryeministri Rama, që kryetarët që po mbarojnë mandatin e tretë nuk duhet të kandidojnë më, nuk e “zë” Dakon, po ashtu dhe Qazim Sejdinin e Elbasanit, që po mbyll të dytin. Bashkitë e tjera janë të hapura për ngjitje dhe zbritje emrash potencialë, sa më shumë kalojnë ditët. Pakti mes Ramës dhe Metës parashikon që nga 61 njësi administrative, 30% të kandidatëve të jetë të LSI-së, ashtu si PD pranoi që 10 njësi t’ua japë aleatëve.
Nëse me marrëveshje aleatësh, PS i lë Fierin LSI-së (ku po përmendet deputeti i saj Robert Bitri), logjika politike thotë që Vlora t’i mbetet socialistëve; por sigurisht jo Shpëtim Gjikës. Përflitet si kandidate drejtoresha e spitalit rajonal, Brunilda Mersini; ndërsa në Sarandë, Stefan Çipa po mbyll mandatin e parë, por situata është e paqartë.
Nuk dihet nëse PD dhe Basha do t’i dorëzohet “presionit” të deputetit Lefter Maliqi, që insiston se baza e kërkon me ngulm të kandidojë në Berat; por nëse ndodh, ai do të ketë përballë me shumë gjasë, një kandidat të LSI-së, ndërsa Fadil Nasufi nuk garon më. Në Korçë vazhdon përpjekjen kryetari aktual Sotiraq Filo, që do të përballet me Andrea Manon e PD-së.
Shkodra, zgjedhjet e fundit parlamentare bëri përmbysjen e madhe duke i dhënë më shumë vota koalicionit të majtë; nga ana tjetër, Lulzim Basha zyrtarizoi (edhe një herë) ftohjen e madhe me Jozefina Topallin, duke mos e caktuar atë drejtuese të fushatës lokale. Por edhe e majta nuk i ka punët vaj. Kritikat e përsëritura të deputetit Tomë Doshi, faktor i rëndësishëm në zonë, ndaj qeverisë së tij, tregojnë se të dyja kampet politike, në Shkodër do të kenë ngërçe jo vetëm me njëra-tjetrën, por edhe brenda vetes. Kukësin dhe Lezhën duket se LSI-ja i ka “natyralizuar” si zona të sajat, por ende mbetet për t’u vendosur.
Por le të rikthehemi tek hyrja e këtij shkrimi: A do të jetë kjo garë testi i fundit i Lulzim Bashës? Nëse koalicioni opozitar arrin shifra më të mira se zgjedhjet e fundit parlamentare, ai mund të jetë i qetë se diçka ka arritur. Por ironia e madhe është se edhe nëse del keq, Basha është i sigurtë si emër formal në krye të PD-së. Madje në rastin e dytë është më i sigurtë. Sepse si kartë e djegur, Berishës i shërben më shumë sesa si një drejtues i ri që, mirë apo keq, po përpiqet ta ringrejë partinë./DITA

ca mut burri esht ky