Lidhjet e operatorëve të telefonisë, internetit apo të televizioneve kabllore janë kthyer në rrjeta merimangash mbi shtyllat elektrike dhe në hapësirat mes ndërtimeve në të gjithë kryeqytetin. Me shpresën e dhënies fund të kësaj situate, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka urdhëruar të gjithë sipërmarrësit e komunikimeve elektronike të largojnë lidhjet e tyre ajrore brenda një afati dyjavor. Në një njoftim zyrtar, AKEP bën të ditur se, në rast të mos heqjes vullnetare të lidhjeve, do të kalohet në prerjen e tyre brenda datës 30 maj të këtij viti nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Sipas AKEP, kryerja e lidhjeve ajrore është në kundërshtim me rregulloren mbi kushtet teknike për ndërtimin e infrastrukturës së rrjeteve. Sipas informacionit të administruar mbi bazën e sondazheve, rezulton se në shtyllat e rrjetit elektrike mbështetet rreth 60% e rrjetit fundor të operatorëve të komunikimeve elektronike. Megjithatë, afërsisht gjysma e këtyre lidhjeve janë braktisur nga sipërmarrësit, për arsye të kalimit në zgjidhje të tjera. Megjithëse nuk janë më në funksion të dhënies së shërbimit, operatorët nuk janë shqetësuar të heqin telat dhe kabllot nga shtyllat elektrike. Pjesë e kabllove ajrore të mbështetura në shtyllat elektrike, në të njëjtën mënyrë të kundërligjshme dhe jashtë kritereve teknike, janë edhe ato të instaluara nga operatorët e ofrimit të shërbimeve audiovizuale ose operatorët kabllorë. Për këto subjekte, AKEP ka kërkuar ndërhyrjen e Autoritetit të Mediave Audiovizuale.
