Ndëshkimi i Berishës? Mos e prisni të ndodhë!

redaktor

Letër e nënshkruar,

Gjon Bruçi

 

Bashkohem me shqetësimin e gazetës DITA, që është dhe shqetësimi i çdo qytetari normal. Koha e investigimit dhe ndëshkimit të Berishës jo ka kaluar, por ka stërkaluar. Berisha, është personazhi më i kriminalizuar në historinë e re të Shqipërisë. Kjo tashmë dihet nga të gjithë. Bomba e Gërdecit dhe 21 janari, si dy krimet më të freskëta, nuk janë asgjë përpara shkatërrimit që i ka sjellë Berisha vendit dhe popullit tonë në të gjitha fushat politike, morale, materiale e shpirtërore. Përgjegjësitë, fajet dhe krimet e Berishës dhe të regjimit që instaloi në bashkëpunim me “miqtë ndërkombëtarë” duken sheshit. Për më tepër që vetë autori, i ka pranuar hapur, duke thënë se “Provojeni edhe njëherë, por do ta pësoni më keq se me 21 Janar”. Pra, nga pikëpamja juridike, s’ka avokat në botë që të mund ta shpëtojë Berishën nga dënimi për viktimat e Gërdecit dhe vrasjet e 21 janarit.

Le të marrim disa nga pikat më kulmore të skandaleve dhe krimeve. 97-ta, kryeskandali i shekullit, që shkaktoi mijëra viktima njerëzore, shkatërroi gjithë ngrehinën e shtetit dhe e çoi vendin në prag të luftës civile. Por ky i fundit, falë “amnistisë” që u aplikua, pa kaluar as viti rimori revanshin dhe realizoi grushtin e shtetit të vitit ’98, krim i cili, duke qenë më minor se ai i 97-ës, u kalua si një vodevil humoristik. Jo vetëm ’97-ta, por edhe dy ngjarjet më “pikante” si Gërdeci dhe 21 janari, nuk janë vetëm vepra të Berishës, ndonëse ishte aktori kryesor. Asnjë zog shqiptari nuk do mund të dilte pa lagur nga këto krime, sikur pas aktit të kryer të mos strukej nevoja e stabilitetit dhe fasadës aq të propaganduar të “ruajtjes së qetësisë në rajon”. Dhe kur qëndrimi i përfaqësuesve të BE për këtë çështje kaq flagrante është i turbullt dhe evaziv, çfarë mund të presim nga qeveritarët aktualë të koalicionit për “Rilindje”? kështu që dënimi i liderëve të kësaj “demokracie” është i pamundur. Sepse siç thotë populli “korbi korbit nuk ia nxjerr sytë”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *