Ja emrat e rinj të listës De Biazi kundër Armenisë

Dita

Ndeshja me Armeninë, e vlefshme për eliminatoret e EURO 2016, që do të zhvillohet në fund të muajit mars, pritet të ketë disa risi për Kombëtaren shqiptare. Trajneri Xhani De Biazi ka vëzhguar disa lojtarë për t’i afruar në përfaqësuese.

Sipas burimeve pranë stafit teknik, janë 5 futbollistë të rinj që mund të grumbullohen nga tekniku italian për sfidën e rëndësishme me armenët. Berat Xhimshiti (Zyrih), Donis Avdijaj (Shturm Graz), Naser Aliji (Vaduz), Shkëlzen Gashi (Bazel) dhe Endri Çekiçi (Dinamo Zagreb), janë emrat e lojtarëve që mund të grumbullohen nga De Biazi për sfidën e muajit të ardhshëm. Lojtarët në fjalë janë vëzhguar nga tekniku italian gjatë kësaj periudhe, në të cilën të pestë po kalojnë një formë mjaft të mirë, aq sa me shumë mundësi do të veshin fanellën kuqezi, raporton Sportekspres

Xhimishti – Lojtari i Zyrihut pritet të jetë prurja e re e trajnerit Xhani De Biazi, pasi ai po shkëlqen në futbollin zviceran. Mbrojtësi i qendrës njihet si një lojtar i klasit botëror dhe shumë shpejt do të jetë në majat e futbollit. Përveçse është një mbrojtës, ai shpeshherë shënon dhe gola dhe është mjaft rezultativ. Shtatlartë (190 cm), 22-vjeçari është një prej kandidatëve për një vend në përfaqësuesen kuqezi dhe pritet që me Armeninë të thirret nga De Biazi. Që nga viti 2012 Berat Xhimishti luan me Zyrihun (aktualisht skuadra që mban vendin e dytë në kampionatin zviceran), me të cilin ka luajtur 70 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola.

Avdiaj – Donis Avdijaj ka treguar vlerat e tij në ndeshjet e fundit me Shturm Grazin në Austri, ku është transferuar nga Shalke 04. Vetë De Biazi pati deklaruar se po priste që Avdijaj të kalonte në ekipin e parë dhe shqiptari i tregoi shumë mirë vlerat në ndeshjen e fundit me Shturmin. Edhe pse ende 18 vjeç, Avdijaj cilësohet si një prej lojtarëve me të ardhme, ndaj pritet që të marrë ftesën nga tekniku italian për të veshur fanellën e Kombëtares shqiptare.

Ajili – Pasi pranoi ftesën e Shqipërisë, me shumë mundësi Naser Ajili jo vetëm që do të jetë i gatshëm ndaj Armenisë, por edhe mund të diskutojë vendin e titullarit me Ansi Agollin. Mbrojtësi kaloi nga Bazeli te Vaduzi, teksa mosha e tij e re, vetëm 21 vjeç, premton që ai të jetë një prej lojtarëve të së ardhmes së përfaqësueses sonë. Ajili ka luajtur me ekipet e moshave të Zvicrës, por së fundi ka zgjedhur Shqipërinë për ta përfaqësuar në arenën ndërkombëtare.

Gashi – Shkëlzen Gashi është futbollisti më i njohur, që këtë herë pritet të jetë pa diskutim nën urdhrat e De Biazit. Italiani kësaj radhe nuk do t’ia lejojë vetes një gabim të tillë për të mos e grumbulluar sulmuesin që po shkëlqen me Bazelin në kampionat dhe luan edhe në Ligën e Kampioneve. De Biazi ka thënë se Gashi është si Samuel Eto që sakrifikon për ekipin, ndaj pa diskutim që do ta ftojë 26-vjeçarin për sfidën me armenët.

Çekiçi – Risia e pestë pritet të jetë Endri Çekiçi, i cili po luan me sukses me gjigantin kroat, Dinamo Zagreb. Ndoshta dhe pse në kulturën tonë nuk është që të luajnë me Kombëtaren A lojtarë kaq të rinj sa Çekiçi, por nëse ai luan me gjigantët kroat të Dinamo Zagrebit, kur lojtari gëzon një gjendje të mire dhe kur vetë ai shprehet se është gati të luajë kundër Armenisë, shanset ndoshta të vogla, por janë reale që talenti i Zagrebit të ftohet në këtë ndeshje. 18-vjeçari ka luajtur me të gjitha ekipet kombëtare të moshave, U-17, U-19 dhe shpresat, teksa tashmë pritet të grumbullohet dhe me Kombëtaren A.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *