Sot, më 1 mars, poeti Xhevahir Spahiu mbush plot 70 vjeç, urime poetit! Do të kishim dëshirë që me këtë rast t’i kishim bërë një vështrim të shkurtër, retrospektivë, jetës së tij sizifiane, por fatkeqësisht, mundësinë e kemi tepër të kufizuar, kemi në dispozicion vetëm tri, e shumta, katër faqe kompjuterike. Ajo që po themi është pak për të, i kërkojmë ndjesë që po i biem kaq shkurt, kaq “shkopërisht”, siç thotë ai. Megjithatë, ç’rëndësi ka fjala jonë, kur atij i flet puna dhe vepra e vetë. Për kujtesë lexuesit në këtë ditë të shënuar të tij, natyrisht, edhe tonën, do të mundohemi të risjellim në vëmendje forcën vullkanike të këtij titani krijues, që, siç thotë vetë në një poezi: Tek tingujt vdes/Tek ngjyrat çmendem/Tek fjala vdes çmendem përmendem.
Një vepër që nuk do të vdesë kurrë
Xhevahir Spahiu është shkrimtar i njohur shqiptar, një nga poetët më të spikatur të poezisë shqipe qoftë në idetë dhe mesazhet që mbart, por edhe në një teknikë dhe në ngjyrë të veçantë dhe të pakrahasueshme me poetë të tjerë. Poezia e tij është përfaqësuar gjerësisht në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe të botuara gjatë 30 vjetëve të fundit në Shqipëri dhe në gjuhë të huaja. Veprat e tij analizohen në tekstet e letërsisë dhe të gjuhës shqipe, ku janë botuar dhe pjesë, në të gjitha kategoritë e shkollave, që nga cikli i ulët e deri në shkollat e larta. Nuk ka botime antologjike, brenda dhe jashtë vendit, ku poezia e tij të mos zërë vend krahas përfaqësuesve më të shquar. Libra dhe pjesë të zgjedhura të krijimtarisë së tij poetike janë botuar në: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, holandisht, maqedonisht, turqisht, rusisht, greqisht, rumanisht, arabisht, japonisht, kroatisht, hebraisht etj.
“I pabindur”, por i drejtë dhe i pathyeshëm
Gjatë 50 vjetëve autorin e kanë larguar nga puna si dhe i kanë hequr të drejtën e botimit disa herë radhazi për “gabime ideologjike” dhe frymë antikonformise në krijimtari, në vitet1973, 1974, 1977, 1979-1980, 1984-1986. Në vitin 1977-1978 e largojnë nga “Zëri popullit” dhe e çojnë në minierën e Valiasit; në vitet 1986 e heqin nga revista “Nëntori” dhe e çojnë mësues të thjeshtë në shkollat e natës, pasi kishte lejuar të botoheshin novela të “gabuara”. Në vitin 1973 iu ndalua botimi i librit poetik “Bota ku eci”. Libri poetik “Zgjimi i thellësive” në vitin 1979 u hoq nga qarkullimi dhe u bë karton. Krahas këtyre, autori u rrezikua edhe për shkak të vëllait të tij të burgosur politik. Kështu, herë i pushuar nga puna për “gabime ideologjike” e herë i privuar nga e drejta e botimit, herë me shtëpi e herë pa shtëpi, herë i përndjekur, por vazhdimisht i pabindur, gjatë peripecive të kësaj jete, ai nuk u thye e ndërkohë nuk la cep të Shqipërisë pa e njohur e pa u kënduar jetës dhe dramave të saj. Dritëhijet e saj frymëzuan pareshtur serinë e librave të tij të mrekullueshëm poetikë.
Jeta e Xhevos, udhë dhe poezi
Ka qenë dhe është një nga udhëtarët më të palodhur në Shqipëri. Nuk ka lënë cep të Shqipërisë dhe Kosovës pa shkelur. Edhe tani, pas sëmundjes, vazhdon udhëtimet. Orgesi, djali i tij i madh, nuk ka lënë vend pa e çuar, nga veriu në jug. Vëru re poezive të tij; si dhe njerëzit, kanë vendlindje, kanë adresë, kanë gjeografinë e tyre. Por edhe po nuk e patën, midis rreshtave kuptohet koha dhe vendi ku janë ngjizur. Xhepat e Xhevos në atë kohë e në këtë kohë rrinë plot copa letrash, me motive vjershash, me penelata të shpejta, që më vonë piqen në saçin krijues të autorit. Rrallë të gjesh një poezi të bërë në tavolinën e punës së tij. Jo, ato janë bërë udhës. Ndaj dhe përmbledhja më e plotë dhe më e përzgjedhur e tij është quajtur “Udha”. Se, si shumë fjalë të shqipes, edhe fjala “udhë” ka origjinën e saj nga pellazgjishtja e vjetër. Odhiseu e mori emrin nga udha (udhë-odhise), se bëri udhë të gjatë për të ardhur në Itakë. “U mbodhise” thotë një fjalë e vjetër shqipe, në kuptimin, u vonove. U mbodhise, mbete (mbë)në udhë. A s’mbeti kështu edhe Odhiseu!…Se i pëlqen udha, ndaj Xhevahir Spahiu mbetet një nga poetët më dinamikë, poet i lëvizjes, i luftës, i ecjes, i zhvillimit.
Artistët francezë për Spahiun: “Pse jo, Nobelin”!
Para disa kohësh në qytezën Bethune u përurua botimi i fundit i poetit Xhevahir Spahiu, me titullin “Lëshoje drerin, Artemidë”, përkthyer nga përkthyesi i njohur i poezisë shqipe, Aleksandër Zoto. Ky ishte botimi i parë i plotë i poetit Xhevahir Spahiu në gjuhën frënge. Por ky poet emblematik për poezinë shqipe është bërë i njohur që herët për lexuesin e frëngjishtes, përmes botimeve në antologji të rëndësishme të poezisë. Arlet Shomorcel, presidentja e këtij takimi, në fjalën e saj e cilësoi poetin dhe poezinë e tij si një kandidat të vërtetë dhe të denjë për çmimin “Nobel”. Madje artistët francezë krahas përgatitjes së një botimi tjetër të Xhevahir Spahiut, kanë nisur procedurat për një propozim të tillë.
Xhevahir Spahiu
Përvojë pune
-Gazetar në gazetën “Zëri i popullit”, 1968-1977.
-Nëpunës në minierën e Valiasit, 1977-1978.
-Redaktor në revistën “Nëntori”, 1978-1986.
-Mësues në shkollën e mesme të natës “Kostandin Kristoforidhi” dhe në Shkollën Ekonomike, 1986-1989
-Libretist në Teatrin e Operës dhe Baletit, 1989-1993.
-Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, 1993-1998.
-Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, 1998-2001.
-Këshilltar i ministrit në Ministrinë e Kulturës, 2002.
-Redaktor në shtëpinë botuese “Mësonjëtorja e Parë”, 2001-2002.
-Këshilltar i Jashtëm për Kulturën i Presidentit të Republikës, 2003-2006.
– Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë prej vitit 2005
Veprimtari letrare
Libra me poezi: -“Mëngjes sirenash” – 1970, “Vdekje perëndive” – 1977, “Zgjimi i thellësive” – 1979, “Agime shqiptare”-1981, “Nesër jam aty”- 1987, “Heshtje s’ka”- 1989, “Kohë e krisur”- 1991, “Ferrparasja”-1994, “Pezull”- 1996, “Rreziku” – 2001. Përmbledhja e zgjedhur në kolanën “Poezia Shqipe” është botuar më 1990. Përmbledhja e zgjedhur “Udha” I, II, u botua në vitin 2005. “Vetëtimë”, vëllimi më i fundit poetik i Xhevahir Spahiut botuar në vitin 2013.
Në Kosovë kanë dalë tri përmbledhje të zgjedhura poetike: “Epikë” (bashkautor, 1978), “Vdekje perëndive” (1981) dhe “Tek rrënja e fjalëve” (1988).
Libra me poezi për fëmijë: “Ti, qytet i dashur”, (1973), “Zambakët e Mamicës” (1981), “Ekrani i kaltër” (1982), “Kitaristët e vegjël”, (1983), “Kryeartëzat”, (1987), “Dielli i lodrave”, (1990), “Zogj të kaltër”, (përmbledhje e zgjedhur,1999).
Përmbledhje me eseistikë dhe reportazhe letrare: “Dyer dhe zemra të hapura”, (1978), “Bashkëkohësit”, (1980). “Plaku i këngës”, monografi (bashkautor, 2002).
Libra me përkthime nga poezia botërore: “Zemra pa mure”, (1992), “Këtej nuk kalon askush”, (1997), “Përtej meje”, (1999), “Zotit”, (2004).
Në gjini të të tjera letraro-artistike: -Autor i shumë teksteve poetike të këngëve të muzikës së lehtë. -Autor i disa skenarëve të filmave dokumentarë artistikë. -Eseja “Nderim Perliçevit”, botuar në maqedonisht, 2007.
Veprimtari letrare ndërkombëtare
Ka përfaqësuar kulturën dhe poezinë shqipe në Shqipëri, Francë, Itali, Greqi, Holandë, Suedi, Gjermani, Rusi, Rumani, Turqi, Kroaci, Bosnje, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni etj. Në tetor 2011, në Francë u përurua poezia e Xhevahir Spahiut me vëllimin “Lëshoje drerin, Artemidë”. Këto kohët e fundit po përgatitet për botim një libër tjetër i tij në Francë.
Çmime letrare dhe tituj
Janë me dhjetëra çmimet e fituar në konkurset e ndryshme kombëtare në fushën e gazetarisë, letërsisë, filmit dokumentar, tekstet poetike të këngëve në festivale etj.
Tituj: Titulli “Qytetar Nderi”, dhënë nga Këshilli Bashkiak, Skrapar 2005. Titulli “Nderi i Frashërit”, dhënë nga Këshilli i Komunës së Frashërit, 2005. Titulli “Nderi i Martaneshit”, dhënë nga komuna e Martaneshit, 2006
Urdhra dhe medalje: -Urdhri “Mjeshtër i Madh”, dhënë nga Presidenti i Republikës, Tiranë 2005; Urdhri “Naim Frashëri” klasi II, 1982, Medalja “Naim Frashëri”, 1972 Medalja e Punës, 1974.
Nostalgji
Reportazhi-shkollë i Xhevahir Spahiut
Ashtu si poezia, megjithëse më e pakët në vëllim, edhe proza e Xhevahir Spahiut është elegante, metaforike dhe mbresëlënëse. Ajo përbëhet nga artikuj eseistikë, kritika letrare, intervista, esse dhe parathënie librash të botuara në gazetën “Drita”, në revistën “Nëntori” dhe më vonë edhe në gazeta të tjera të ndryshme. Por Xhevahir Spahiu mbahet mend më së shumti për reportazhet e tij, sidomos në “Zërin e Popullit”. Reportazhet “Kalojnë minatorët. Hiqni, kapelet!”; “Dyer dhe zemra të hapura”; “Labëri, Labëri!”; Vlorë, copëz stralli”, “Armët e pathyera të Skraparit” e shumë të tjerë, janë reportazhe-shkollë, që gazetarët e rinj duhet t’i kenë si shembuj dhe metodikë për mënyrën e të vëzhguarit dhe të të trajtuarit të fakte njerëzore.
Më poshtë po botojmë fragmente të një reportazhi shkruar në vitet ’70 të shekullit të kaluar të titulluar “Rilind shtëpia e Rilindësve”:
Rilind shtëpia e Rilindësve
Në Frashër po ngrihet një shtëpi e re. Është jashtë vijës së verdhë të projektit, por brenda dashurisë sonë të madhe. Themelet e saj janë çelur thuajse para 200 vjetëve. Dikur kjo shtëpi lulëzoi si një pemë madhështore. Por ra mbi të sëpata e kohës dhe trungun ia preu gjer në fund. Rrënjët i mbetën…Katër vjet më parë, një projektues nga kryeqyteti mori udhën për në Frashër. Nisën gërmimet. Pa pritur u shfaqën shkallët, pastaj porta. Mbi themele ra dielli i 200 vjetëve më pas. Prej tyre do të hedhë shtat përsëri trungu i dikurshëm i shtëpisë. Në të s’do të jetojnë më banorët e saj të parë. Vetëm një ciceron i ditëve tona, duke ecur qetë-qet në korridore e dhoma, do t’u tregojë vizitorëve: këtu në Shqiprinë Juglindore, në Dangëlli, mes maleve të Kokojkës e Qelqezës, në këto pllaja, pranë këtyre lisave e lajthive, ja te kjo shtëpi, lindën ata që bënë aq shumë për popullin dhe atdheun, vëllezërit Frashëri..
…Tani është pranverë, dhe kumbulla pranë së cilës ishim mbledhur, ka çelur. E bardhë, si një re që ka qëndruar papritur. Kështu kanë shtegtuar në vite, si retë dhe si zogjtë, kënga dhe zemra e bardhë e poetit. Një shtegtim kaq të gjatë e bëjnë vetëm zogjtë me krahë të fuqishëm. Dhe “Naim” në persisht do të thotë “i fuqishëm”.
…Ka nëna heronjsh, ka edhe shtëpi-heroina. E tillë është kjo shtëpi e vëllezërve Frashëri, ngritur në vendlindjen e tyre. Cila si kjo i dha historisë shqiptare tre personalitete të fuqishëm, tri mendje kaq të ndritura, tri zemra të mëdha? Kjo shtëpi e tyre ha bukë veç. Sepse ha bukë veç vepra e tyre e pavdekshme. Ajo i shpërthen caqet e kohës kur ata lindën. Abdyli, Naimi dhe Samiu hodhën mbi supet e tyre një barrë shumë të rëndë, por edhe shumë fisnike: të ndriçonin mendjet e bashkatdhetarëve, t’ia zhvendosnin më pranë ditën e lirisë atdheut të tyre “brengëgjatë”. Zjarri i tyre ngrohu damarët e mardhur të atdheut në dimrin e zi të pushtimit.
…Në sheshin para shtëpisë tre bustet e tyre të punuara mjeshtërisht nga dora e Skulptorit të Popullit, lindur në këto vise, Odhise Paskalit. Sa herë i kemi parë këto fytyra të dashura rilindësish në libra, në rrugë, në sheshe, në institucione a në tavolinat tona të punës, e megjithatë, nuk ngopemi së pari. Na frymëzojnë, na nxisin mendimin dhe veprimin, na bëjnë krenarë. E tani të duket sikur ata kanë dalë të presin miq. Ashtu siç prisnin dikur luftëtarët e lirisë, fëmijët me abetare në dorë, atdhetarët e djegur nga malli… -Urdhëroni në shtëpinë time! Urdhëroni në shtëpinë tuaj, – me këto fjalë u drejtohet frashërllinjve nipi i Samiut, Emin Ereri. Kjo shtëpi ka qenë dhe do të jetë kurdoherë e hapur në brezat të dëgjojnë vetë historinë.
18 qershor 1974
“VETËTIMË”
nga…“Mali i Vetëtimave”
Poezi nga vëllimi më i fundit i poetit Xhevahir Spahiu
Më poshtë kemi shkëputur, ç’na ka zënë dora, disa poezi të shkurtra, nga vëllimi më i fundit i poetit me titull “Vetëtimë”, botuar në vitin 2013; që s’është gjë tjetër, veçse një shkreptimë e vërtetë mali krijues.
O gur i mullirit
Te shtëpia e De Radës
Bluaj e bluaj
500 vjet;
ullinj
dhe të zitë e ullirit;
tani bluan eshtrat e fjalëve plaka,
bluan veten,
o gur i mullirit
***
Natë pa pyll.
Humbellë pa skaj.
Zot, si rri fill?
Qaj.
***
A ka gjëkund ndonjë shitore
A ka ndonjë tezgë kot më kot
Të ble me disa qindarka qorre,
Jo bukë, por pak durim, o zot?
Në teatër
Gëzim Kame
U nda nga turma
Një pëllumb i bardhë,
Theu xhamin me krahë
E hyri
Në ngrehinën bojë hiri.
Doli sakaq,
I përgjakur.
Kish parë
Një dramë të Shekspirit.
Verbani
fati s’ka sy
seç i qesh të zezës
seç ngërdhesh të bardhën
fati s’është në vete
megjithëse i verbër
Homerit s’i ngjan
qan kur qesh
qesh kur qan.
Shqipërimi i fjalës Politikë
P
o
l
i
th
i
k
ë
(pa datë)
Zhburgimi
Jetën e ngrysi me një lepur në bark;
Vdekja një ditë i trokiti në prag.
Kur lepurin pyetën: – Ku ke qenë, ore mik?
Sa dola nga burgu – ua ktheu pa frikë!
198 (?)
Kufiri i shpifur
Kjo arë me grurë
E ndarë më dysh:
një vatër diellore atje në Qaf’Morinë.
Ngroh dheun dhe zemrën.
Shkruan fjalë të mbara:
Të ndahet buka,
Pa u ndarë fara!
Jetimëri
Rruga “Miqësia”.
Miqësi, po me kë?
Asgjëja e asgjësë,
Asgjë.
1982

Edhe 100 per inat te kokekpalareve te Saliut qe e rrahen barbarisht..per llogari te shefit te tyre…
Monobrekësi i real-socit, poet i madh i nje kohe te madhe.
Personalitete te tilla , jane per ne monumente te gjalla te kombit !
Ka per ta marre Nobelin ,para Kadarese.Ky ka qene megjithment I perndjekur nga te gjitha sistemet.Edhe I dhunuar ne kohen e “Demo kracise”.
“Xhevahir Spahiu, denjësisht në krye të letrave dhe kulturës shqiptare” ?
C’eshte ky titull ? Mbajeni ore vehten se eshte nje fjale goje te deklarosh gjera te tilla.
RESPEKTE PER POETIN E MADH XHEVAHIR SPAHIU,PADYSHIM NJE NGA ME TE MEDHENJTE E POEZISE SHQIPTARE.. I UROJ JETE TE GJATE E PRODHIMTARI TE MBARE.
Ne radhe te pare jo vetem xhevahirit por cdo shqiptari qe mbush 70 vjec sot do ti uroja edhe nje qind te tjera.
Por ju lutem mos na terrorizoni me lajme te tilla.
Qofte xhevahirin, qofte dhe Visar Zhitin mos na i paraqisni kaq “disidenta” sikur i ka burgosur “diktatori” me doren e tij.
Ajo qe urrj ne kete histori eshte se nuk tregohet qe nga zilia apo karrierizmi keto shkrimtare ish aq tearmiqsuar me njeri tjetrin sa nuk pende shkrimtari ta pershkruaje.
Biles kete Xhevahirin e ka shpetuar Enver Hoxha me doren e tij nga ferri kue futen shoket e tij qe mund te ishte edhe ndonje kadare apo dritero nga mbrapa skenes.
Edhe per skraprlliun tjeter Visar Zhitin qe po e beni shenjtor eshte pse ai ishte fajtor se “diktatori” i dha doren per tu ngjitur ne jete por ai e “krruajti” se harroi te jatin Hekuranin qe ishte armik me sistemin…Pra le ti themi gjerat tamam dhe mos na i beni te gjithe ULIKSA qe luftuan me “qikllopin enver” dhe e munden
Edhe nje here i urojme shendet dhe bereqet ketij poeti te talentuar..por mos na i parqisni si hero legjendash se po na i beni legjende enverin..
Urime për ditëlindjen. Xhevahir Spahiut! Realizoftë të gjitha ëndrrat që ka! Nëse nuk i realizon dot të gjitha le ta mundë brengën me raki Skrapari ! Nderime Zylyftar! I kini bërë Xhevos nderimin e duhur. Tung!
“Bukes i buzeqeshin femija
Duart punetore, fshatare,
bukes sone i gezojne,
Grurin tok me plumbat shtrenguar,
Ne gjerdan i mban Atdheu.
Lirine e tij ai mbron. ”
Cili eshte autori e tekstit te kesaj kenge? Si eshte e mundur ta kete denuar pushteti autorin e ketyre rreshtave kaq kuptimplote kur fshatarit i lejohej vetem buke misri perndryshe rrezikonte teper…
gjon qimja eshte i madhi shkrimtar qe presim te mare nobelin.
Nuk e di qe Xhevari te jete marre me politke te mirefillte,pa permendur faktin se edhe kur ben letersi gjithkush nuk mund t’a anashkaloje politikes,vepra nje krahu politik mund t’i sherbeje,por ajo qe duhet t’i them poetit te madh ne kete shtedhjetevjetor eshte se ai bart vlera te rralla si njeri,ai eshte ndofta i vetmi krijues qe me sinqeritet i ka kerkuar falje lexuesit ne se i ka thene te paverteta pa dashje.Ai kerkoi “te shese edhe gurin e varrit” per te lare borxhet me lexuesin.Edhe nje shekull tjeter i dashur poeti i njerzve.
u befte edhe njeqind, se ka bekimet e Tomorrit
EDHE NJE QIND , PAçKA SE POET SI XHEVUA, DO VAZHDOJE TE JETOJE EDHE QINDRA VJET MES LEXUESVE DHE KRIJUESVE POETIKW.
Edhe 100 Xhevahir! Nuk besoj se ka nje rast tjeter ne kete Bote ku emri te misherohet ne menyren me perfekte me shpirtin, karakterin dhe tmperamentin e nje njeriu.
I uroj nga zemra poetit atdhetar Xhevahir Spahiu, vite të shumta jete aktive, gëzime në familje dhe disa buqeta gonxhesh poetike për shpirtrat tanë të zhuritur.
Xhevo, Gezuar ditelindjen!
Je poet me zemer e mendje. Gje jo shume e perhapur tek poetet tane. Atdhu rri bukur tek poezia e Xhevos, sic vijne me mesazhet e tyre te vjetra per te na ndritur rruget e kohes qe jetojme Homeri dhe filozofet e lashte.
Me respekt
Xhevairi pelqehet sepse eshtei i sinqerte,eshte vet-vetja,ai germon brenda truallit shqiptar dhe aty e gjen “mademin”,aty i ka rrenjet.Ne lidhjen e shkrimtareve me ka takuar te pij nje kafe me ate burre.Ra fjala per politiken,e nje njeri aty ne tavoline i tha;”Xhevo nuk ke perse ruhesh nga qeni i botes kur te ha qeni yt”.Xhevairi,shikoji me vrejte folsin dhe duke nxjerre bllokun i tha:Ku e gjete ti kete xhevair?Po, keshtu thone andej nga anet tona per te tilla gjera, ja priti shoku.Poeti i madh qe nuk linte gje t’i kalonte e mblodhi kete shprehje si bleta nektarin.Pranadaj nuk vdes Xhevairi poet,ai vdes kur vdes populli.
Këputa nje gjethe dafine.
Faleminderit pa fund, o I madhi Xhevahir!
Edhe 100 vjet te tjere