The Guardian: Kriza e thellë e Shkupit

redaktor

Zhvillimet në skenën politike të Maqedonisë kanë tërhequr edhe vëmendjen e gazetës britanike “The Guardian”, që përshkruan krizën e fundit, ku në qendër të vëmendjes është afera e përgjimeve. “The Guardian” shkruan se vendi po ballafaqohet me një krizë të përshkallëzuar politike, ndërsa shpreh shqetësime për ndërhyrjen e pushtetit tek gjykatat dhe mediat. Gazeta ka pyetur raportuesin special për Maqedoninë, eurodeputetin slloven Ivo Vajgl, lidhur me këto zhvillime.

“Nuk dua të parashikoj skenarë katastrofalë, por duhet të keni parasysh se bëhet fjalë për një sërë problemesh të hapura, u përdorën fjalë të vrazhda dhe madje fjalor urrejtjeje. Ne kemi parë skenarë të tillë edhe më herët në Ballkan. Gjithçka fillon pikërisht në këtë mënyrë. Situata nuk duhet të nënvlerësohet. Është shumë serioze dhe ne duhet ta ndihmojmë Maqedoninë”, ka nënvizuar Vajgl.

Denoncime dhe përgjime

Sipas gazetës, lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, edhe fundjavën që kaloi lëshoi të ashtuquajturat “bomba” kundër Qeverisë, ku u publikuan një seri bisedash të përgjuara të kryeministrit Nikola Gruevski dhe zyrtarëve të tjerë, në të cilën diskutohet për ndërhyrje në procese gjyqësore, media dhe planifikime urbane. “Një prej protagonistëve të mëdhenj është Saso Mijalkov, kushëriri i parë i Gruevskit dhe kreu i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (UBK). Por, kryeministri maqedonas ka hedhur poshtë pretendimet e përgjimit të paligjshëm dhe pretendimet e përsëritura nga Zoran Zaev, duke e akuzuar këtë të fundit për komplot për të përmbysur qeverinë. Opozita pretendon se Qeveria dhe UBK kanë kryer një program masiv përgjimi, monitorimin e bisedave telefonike të mbi 20 mijë qytetarëve, përfshirë gazetarë, politikanë dhe figura fetare – një numër më i madh seç ishin përgjuar gjatë komunizmit”, shkruan gazeta.

Maqedonia është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE që nga viti 2005, por negociatat kanë qenë në mënyrë të përsëritur të bllokuara nga Greqia për shkak të një mosmarrëveshje në lidhje me emrin e vendit (Athina kundërshton emrin Republika e Maqedonisë, sepse ajo beson se ky emër nënkupton një pretendim ndaj provincës veriore greke të Maqedonisë). Derisa zyrtarët e BE-së kanë përsëritur çdo vit rekomandimin për nisjen e negociatave, në Maqedoni janë rritur shqetësimet për rrethimin e vlerave evropiane, sidomos për shkak të ndërhyrjes së pushtetit ndaj lirisë së medias dhe gjyqësorit.

Zaev pretendon se bisedat e ardhshme të përgjuara do të vënë në dukje makinacionet e dyshuara të Gruevskit mbi “çështjen e emrit” dhe mbylljen e një stacioni televiziv të opozitës. Ai ka thënë gjithashtu se zbulimi i përgjimeve të tjera mund të përfshijnë edhe elemente etnike.

Tensionet në Maqedoni kanë qenë në rritje që prej zgjedhjeve të kontestuara në prill 2014, në të cilat partia në pushtet, VMRO-DPMNE e Gruevskit, mundi Partinë ish-Komuniste, Social-Demokratët e Zoran Zaev (SDSM), dhe atë për të katërtën herë me radhë. Opozita deklaroi se zgjedhjet ishin manipuluar dhe vjedhur nga “diktatura e Gruevskit”.

Zyrtarë të qeverisë pranojnë se Maqedonia ka mangësi, por këmbëngulin se procesi i pranimit në BE do të ndihmojë në ndërtimin e një sistemi më transparent e funksional në vend. Mbështetja për anëtarësim në BE është e lartë, në rreth tre të katërtat e popullsisë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *