Gjykata pranon ekspertimin, rrëzon alibinë e Arben Frrokut

redaktor

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje të pranojë aktin e ekspertimit teknik të kryer nga Prokuroria, me kërkesë të palës mbrojtëse, ku rezultoi se rruga Tiranë-Kapshticë mund të bëhej për 2 orë e 50 minuta.

Në këtë mënyrë u rrëzua edhe alibia e biznesmenit Arben Frroku, i cili deklaroi se në momentin e kryerjes së vrasjes së komisarit Dritan Lamaj mbrëmjen e 24 shkurtit 2013 ndodhej në Kapshticë. Seanca e djeshme u shoqërua me debate të forta mes avokatit mbrojtës Genc Gjokutaj dhe 2 prokurorëve, në prani të trupës gjykuese.

Shkak është bërë kërkesa nga Gjokutaj se ky ekspertim ishte i manipuluar, sepse makina e eksperimentit eci me 170 km në orë dhe me fenelinë policie. Por pasi gjykata pa procesverbalet e mbajtura dhe dëgjoi palët, vendosi ta pranonte këtë ekspertim, si një provë kundër alibisë të të pandehurit.

Ndërsa vetë Frroku, i pranishëm në seancë, sfidoi drejtësinë duke thënë se nëse ata gjejnë filmime apo nëpërmjet qelizave telefonike se ai ka qenë në Tiranë, do e pranojë krimin.

Seanca e djeshme

Seanca e djeshme u zhvillua me dyer të mbyllura, por mësohet se nuk munguan përplasjet verbale mes palëve. Gjykata pranoi si provë, duke e bërë pjesë e fashikullit të gjykimit udhëtimin nga vendi ku u vra Dritan Lamaj shkurtin e vitit 2013, te “Vasil Shanto”, deri të pika kufitare e Kapshticës.

Avokati Gjokutaj tha se “makina e eksperimentit, e ngjashme me atë që pretendohet se është kryer vrasja, ka përdorur fenelinë policie dhe eci me 170 km në orë, duke e realizuar rrugën më shpejtë”. Por prokurori Anton Martini hodhi poshtë pretendimet, duke deklaruar se makina shoqërohej edhe nga eskorta me përfaqësues nga çdo palë, nuk ka pasur fenelinë dhe për më tepër shpejtësia ka qenë 70 km në orë.

Ky eksperiment u realizua mbrëmjen e 25 shkurtit, ku në ora 18:28 automjeti u nis nga Tirana dhe mbërriti atje pas 2 orë e 46 minutash. Ky eksperiment tregoi se i pandehuri Frroku ka pasur kohë që të realizojë atentatin dhe për më pak se 3 orë të jetë në Kapshticë.

Avokati Gjokutaj kërkoi nga gjykata të rrëzohet eksperimenti, duke mos u pranuar si provë, pasi sipas tij gjithçka është kryer në kundërshtime ligjore, “pasi nuk u bë eksperiment, por operacion policor”.

Reagimi i Frrokut

Ndërsa vetë Arben Frroku, i pranishëm në seancë, deklaroi se nëse prokuroria dhe gjykata do të provojnë shkencërisht me pamje filmike apo me qelizat e telefonit se në momentin e vrasjes së Dritan Lamajt më 24 shkurt 2013 ai ka qenë në Tiranë, atëherë pranon vrasjen.

“Por e vërteta u shpreh Frroku qëndron se unë kam qenë në Elbasan dhe kjo është e provuar”. Por trupi gjykues pranoi eksperimentin e kryer si provë. Kjo i shtohet edhe 2 dëshmive kundër që kanë dhënë dëshmitari i mbrojtur nga prokuroria, Fatmir Vladi dhe bashkëshortja e tij, që thanë se e panë mbrëmjen e ngjarjes biznesmenin Frroku në makinën e krimit te “Vasil Shanto”.

Të dyja dëshmitë u dhanë me videokonferencë. Ky është viti i dytë i procesit gjyqësor që ka nisur te Krimet e Rënda.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *