Ballkani në Fokus – Kosova

redaktor

Integrimi evropian i Kosovës shfaqet si më sfiduesi në rajon. Arsyeja shtrihet sa tek faktorët e brendshëm dhe sprova e një shteti me ekzistencë relativisht të re, po aq edhe tek faktorët e jashtëm. Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që edhe kanë njohur ndonjë përplasje fqinjësore në rrugën integruese drejt BE-së, Kosova ka një barrierë me dy kahe: nga njëra anë Serbia, që nuk e njeh pavarësinë e saj dhe nga ana tjetër 5 shtete anëtare të Unionit, që nuk e njohin gjithashtu pavarësinë. Por, cila do të jetë zgjidhja, që mund të çojë drejt rrëzimit të këtyre barrierave dhe cilat janë sfidat aktuale ndaj integrimit të mëtejshëm të vendit?

Kriteret dhe proceset

Dy janë sfidat e radhës për autoritetet kosovare: liberalizimi i vizave si edhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA).

Kosova është i vetmi vend në rajon, që nuk është pjesë e liberalizimit të vizave.

Emigrimi i lartë i qytetarëve kosovarë kohët e fundit, u shoqërua publikisht edhe me një presion qeveritar ndaj autoriteteve të Unionit për liberalizimin e vizave, nën argumentimin se kjo ishte arsyeja e kësaj ikje masive. Por, ndonëse pozicionimi qeveritar është më se i kuptueshëm në tendencën për shmangien e përgjegjësive dhe problemeve nga vetvetja, duke i deleguar ato në një nivel evropian, ai nuk shfaqet mjaftueshëm logjik. Një sërë arsyesh qëndrojnë pas largimit të një numri të lartë qytetarësh, teksa ajo që ofrohet në nivel kombëtar politikisht, ekonomikisht, por edhe juridikisht nuk është aspak e mjaftueshme.

Procesi i liberalizimit të vizave, pjesë e së cilës janë të gjithë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përmban një platformë me kritere të qarta, të cilat duhen përmbushur. Në thelb, insistimi qëndron tek stabiliteti politik dhe zhvillimi ekonomik, siguria publike, fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi me shtetet e rajonit. Në një nivel më teknik, kërkohet plotësimi i një sërë masash si edhe miratim legjislacioni në fusha të veçanta. Plani i veprimit për zbatimin e udhërrëfyesit të liberalizimit të vizave përfshin një platformë  të ndarë në 5 blloqe: Ripranimi dhe Riintegrimi; Siguria e dokumenteve; Menaxhimi i kufirit dhe i migracionit; Siguria dhe rendi publik; dhe të drejtat themelore lidhur me lirinë e lëvizjes.

Vlerësimi i procesit 

Por, në ç’nivel shfaqet përmbushja e kritereve nga autoritetet kosovare dhe ku janë sferat më problematike?

Qeveria kosovare pritet të dorëzojë së shpejti një raport mbi përmbushjen e deritanishme të kritereve të kërkuara në lidhje me liberalizimin e vizave. Por, nëse shikojmë vlerësimin e fundit të Komisionit Europian drejtuar Parlamentit dhe Këshillit (korrik 2014) mbi përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit mbi liberalizimin e vizave, vëmendje tërheqin dy fusha: Riintegrimi i qytetarëve të kthyer dhe Siguria e Rendi Publik.

Riintegrimi është një platformë shumë e rëndësishme, pasi i krijon mundësi të gjithë qytetarëve të kthyer për t’u integruar në një format afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Njëkohësisht ai shërben edhe si bazë vlerësimi dhe orientimi, ndaj kategorisë potenciale, që dëshiron të rikthehet në vend.

Por, Raporti vlerëson se ka një sërë problematikash, që prekin këtë pikë. Së pari, autoritetet tentojnë të fokusohen më shumë mbi emergjencat se, sa mbi shërbimet e qëndrueshme afatgjata të Fondit të Riintegrimit, si edukimi, trajnimi profesional, asistenca në kuadrin e punësimit dhe strehimit.

Nga ana tjetër, edhe kufizimi i personave që mund të aplikojnë në Fondin e Riintegrimit shfaqet si shqetësues, pasi vetëm qytetarët, të cilët kanë lënë Kosovën para 28 korrikut 2010, kanë të drejtë për aplikim. Pjesa tjetër, që e ka lënë Kosovën pas kësaj date, nuk kualifikohen për fonde dhe kanë të drejtë vetëm për shërbime elementare, apo ndihmë sociale, që u mundësohet nga Komunat.

Një tjetër pikë problematike ekspozohet tek kurset e formimit të gjuhës, në lidhje me fëmijët, pasi nuk janë të vazhdueshme apo sistematike. Vëmendja tërhiqet edhe ndaj shërbimit shëndetësor, që duhet të përmirësohet, në veçanti stafi mjekësor lokal, i cili nuk është gjithmonë i aftë të diagnostikojë problemet e shëndetit të personave të rikthyer.

Rendi Publik dhe Siguria 

Ndërkohë vëmendja kryesore në Raport, përqendrohet pikërisht në fushën e Rendit Publik dhe të Sigurisë, e cila shfaqet si më komplekse duke përmbajtur edhe numrin më të lartë të rekomandimeve, që duhen ndjekur dhe zbatuar.

Teksa Kosova, përmendet në Raport si një vend tranzit i trafikut të heroinës dhe kokainës, problemet shfaqen edhe në fushën e trafikimit të armëve, si edhe çështjen e luftëtarëve të huaj, që janë zhvendosur në kampet e luftës në Siri dhe në Irak. Ndërsa në lidhje me korrupsionin, Raporti specifikon fushën e prokurimeve publike, si një nga burimet më të mëdha të korrupsionit në vend.

Autoritetet kosovare duhet të përballen me një sërë sfidash në përmbushje të kritereve të kërkuara, ndër të cilat më të rëndësishmet sipas Raportit janë: zhvillimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe harmonizimi i katër ligjeve themelore, në lidhje me kriteret për emërimin apo shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorët; ulja e ngarkesës së çështjeve gjyqësore; zhvillimi i një sistemi të informatizuar mbi dënimet penale; zhvillimi i një sistemi të integruar të menaxhimit të çështjeve, që lejon ndjekjen e çështjeve penale nga hetimi përmes ndjekjes dhe dënimit dhe sekuestrimit të aseteve; përforcim i kapacitetit të ruajtjes së dëshmitarëve; integrim i hetimin financiar në të gjithë hetimet mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin; krijimi i një baze regjistrimi të vendimeve të formës së prerë të gjykatave të fundit me rastet e lidhura me trafikimin e qenieve njerëzore, trafikun e armëve, trafikun e drogës, korrupsionin, prokurimet publike dhe pastrimin e parave, rishikimi i ligjit mbi Prokurimet; ligjit mbi financimin e partive politike gjatë fushatës, etj.

Teksa, një sërë sfidash janë evidentuar gjatë Raportit të fundit dhe puna konkrete për realizimin e tyre, pritet të figurojë në raportin, që qeveria kosovare do t’i dorëzojë së shpejti palës evropiane, dy janë problemet më akute për momentin: ulja e numrit të emigrantëve të parregullt, si edhe ulja e numrit të azilkërkuesve në vendet e BE-së.

Ndërsa për sa i përket MSA-së, nëse bazohemi tek deklarimi, që Komisioneri për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, kreu gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, ajo mund të nënshkruhet së shpejti në pranverë. Por, gjithmonë me një rezervë mbi futjen e saj në fuqi, e cila ndoshta po sipas tij, mund të kryhet vitin tjetër.

Barrierat

Ndryshe nga të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova përveç vështirësive të brendshme, që domosdoshmërisht lindin nga një ekzistencë shtetërore relativisht e re, ajo ka dhe dy barriera të tjera në rrugën integruese: Serbinë dhe pesë vendet anëtare të Unionit, që nuk njohin pavarësinë e saj.

Mes Serbisë dhe Kosovës, kemi angazhime paraprake në këtë drejtim, e para e kryer më 24 shkurt 2012, në të cilën specifikohet se, Kosova në  përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal të përfaqësohet me një fusnotë, e cila mbështetet në Rezolutën 1244 dhe vendimin e GJND-së për pavarësinë e Kosovës. Marrëveshje, e cila parasheh që BE dhe palët nënshkruese, Serbi-Kosovë të përkrahin dhe të ndihmojnë zbatimin e saj. Ndërsa Marrëveshja e dytë, që u nënshkrua më 19 prill 2013 në Bruksel, specifikon në pikën 14 të saj se, “ palët pajtohen se asnjëra nuk  do të bllokojë palën tjetër, apo të inkurajojë të tjerët që të bllokojnë kërkesat për anëtarësim në organizatat dhe forumet ndërkombëtare”.

Por, ndonëse kemi një angazhim paraprak për mos pengim të palëve në anëtarësime rajonale dhe ndërkombëtare, eksperienca në rajon (pa përmendur këtu ankimimet e qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë për lobime dhe pengesa në anëtarësime rajonale dhe ndërkombëtare) ka treguar se vjen një moment ku përpara interesave të pastra kombëtare, angazhimet fqinjësore shpërfillen. Rasti i Greqisë me Maqedoninë, është ende prezent. Ndonëse Greqia ishte angazhuar për mospengimin e anëtarësimit të Maqedonisë në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, ajo bllokoi si anëtarësimin e saj në NATO, por po bllokon prej gati një dekade edhe integrimin e saj në BE. Edhe pozicionimi i BE-së, është tejet i kritikuar në këtë pikë, pasi shpërfill marrëveshjet juridike mes palëve si edhe nuk merr parasysh vendimet e instancave ndërkombëtare si GJND, që ka dënuar Greqinë për shkeljen e Marrëveshjes.

Nën këtë optikë komplekse, vijnë edhe propozimet apo opsionet për zgjidhjen e ngërçit. Opsioni kryesor, lidhet me presionin në rritje që mund të vijë nga Unioni, duke integruar çështjen e Kosovës jo vetëm në Kapitullin 35 të negociatave (Kapitulli mbi çështje të tjera), por që kjo çështje të gjejë aplikim në forma horizontale edhe në kapitujt e tjerë. Pra, përdorimi i saj si mjet presioni ndaj Serbisë si për bllokim negociatash, por edhe për pengim në fazën finale të anëtarësimit. Por, teksa një presion i tillë mund të vijë vetëm nga Unioni, ai shfaqet në tërësi i dyzuar mes grupimit të shteteve pro Serbisë, apo pro Kosovës. Ndërkohë që roli i Unionit mund të jetë shumë i lartë si përballë presionit, ndaj Serbisë por edhe përballë 5 vendeve,  që nuk njohin pavarësinë e Kosovës. Mjafton thjesht referimi ndaj argumentit juridik të GJND-së (2010), se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është aspak në dhunim të ligjeve ndërkombëtare. Opsionet e tjera më pak të mbështetura, lidhen me mundësinë për një anëtarësim paralel të dy vendeve për të shmangur bllokimet, apo me idenë që sugjerohet edhe nga diplomacia e përtej Atlantikut mbi anëtarësimin në bllok të Ballkanit Perëndimor, për të shmangur përplasjet dhe bllokimet e mundshme. Gjithsesi, nëse Serbia aspiron një anëtarësim diku nga viti 2020, rruga për Kosovën sigurisht që është më e gjatë dhe detyrimisht më komplekse./im.ta/

 

Share This Article