Ish Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka përdorur vetëm adresën e saj private të emailit gjatë katër viteve që ishte në këtë post, dhe ekipi i saj nuk ka dorëzuar të gjithë korrespondencën për Departamentin siç e përcakton ligji, sipas asaj që ka informuar dje “The New York Times”.
Sipas ligjit federal, letrat dhe posta elektronike e shkruar dhe e marrë nga funksionarët federalë si në rastin e Sekretares së Shtetit konsiderohen regjistra publikë dhe duhet të ruhen që komiteti i Kongresit, historianët dhe anëtarë të mediave të komunikimit të mund të kenë akses në to, edhe pse ligji përjashton disa materiale të klasifikuara. Pas publikimit të artikullit nga “The New York Times”, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit ka pohuar se Hillary nuk pa pasur një llogari zyrtare, prandaj ka përdorur adresën e saj personale.
Agjencia shtetërore përcakton që email-et personale mund të përdoren vetëm në “situata emergjence” dhe, kur përdoren, “mbahen dhe menaxhohen në përputhje me praktikat e agjencisë së ruajtjes”. Email-et e ish Zonjës së Parë kanë qenë në qendër të debatit përsa i përket hetimit të Dhomës së Përfaqësuesve për sulmin në Bengazi, në vitin 2012, ku u vranë 4 shtetas amerikanë, mes tyre dhe ambasadori amerikan në Libi. Republikanët i kishin kërkuar Departamentit të Shtetit që të dorëzonte email-et që Clinton u kishte dërguar zyrtarëve të lartë të shtetit. Edhe pse Clinton ra dakord që të dëshmonte në komitet, kreu i komitetit pohoi se ajo nuk do ta bënte këtë deri sa të publikoheshin të gjitha email-et.
Jen Psaki, një zëdhënëse e Departamentin Amerikan të Shtetit, tha përmes një deklaratë se, “që kur komiteti i përzgjedhur kërkoi email-et, departamenti është angazhuar në mënyrë aktive dhe të vazhdueshme në përgjigjet ndaj kërkesave të Komitetit”, përfshi edhe “dorëzimin e dokumenteve prej më shumë se 40 mijë faqesh”.
Megjithatë kaq mjaftoi për rivalin e saj të mundshëm, Jeb Bush, i cili së fundmi ka publikuar disa email-e nga koha kur ishte guvernator i Floridas, për të bërë disa krahasime. “Hillary Clinton duhet të publikojë email-et e saj. Shpresoj që ajo të mos i ketë shkatërruar ato”, tha zëdhënësi i Bushit, Kristy Campbell. “Guvernatori Bush beson se transparenca është një pjesë kritike e shërbimit publik dhe qeverisjes. Ndaj publikoi së fundi email-et e tij në uebsajtin dedikuar posaçërisht atyre”.
