Bëji nder kujt është për nder

redaktor

Këtë fjalë të mençur e kam dëgjuar për herë të parë pas luftës në Kosovë, kur së bashku me djemtë e familjes Jashari u kthyem në Drenicën e pasluftës. Njeriu, edhe hasmin mund ta presë më së miri, t’i dëgjojë fjalën e t’i bëjë bisedë , por nuk mund t’i thotë se je nderi i kësaj shtëpie. Jo kujtdo mund t’i bëhet vlerësimi se je nderi ynë, e aq më pak mund t’i thuhet ” je nderi i kombit”.

Më është kujtuar menjëherë e gjithë kjo kur presidenti Nishani, me të drejtën e tij presidenciale, që do të thotë nuk pyet askënd veç selisë shqupase, dekoroi biznesmenin Pacolli me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Edhe disa ditë më parë, i njëjti president, dekoroi edhe një grup tjetër shqiptarësh të Kosovës me titullin “Nderi i Kombit”, dhe, si është pritur, reagimi i parë i erdhi nga shoqatat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si duket, në reagimin e tyre ata ndjenë se e gjithë ajo që po bëhej nuk ishte në të mbarën e një vlerësimi, që kështu mund të kthehet në një pupël dekorative pa vlerë, dhe se këtë rëndësi po ia humbet njeriu që më së shumti duhet ta mbrojë atë: Presidenti i një vendi që ka pasur fatin e pashoq të quhet dheu amë.

Nuk është e rastit që kohët e fundit, pas humbjeve të zgjedhjeve të përgjithshme, segmente shqupase të politikës, duke ndjerë edhe një afrim mes shefit të qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës, që deri dje ishin në dy pole të kundërt, po shpejtojnë të krijojnë një krizë të re dhe për këtë po sjellin në ndihmën e tyre edhe rehabilitimin publik, për më tepër vlerësimin më të lartë për figura që, ose nuk e kanë merituar atë, ose janë në të kundërtën e nderit të kombit.

Pak ditë më parë, Nishani bëri një gjë të pazakontë: Ai njëkohësisht dekoroi ata që kanë dhënë gjithçka për lirinë e Kosovës dhe ata që kanë bërë gjithçka kundër lirisë së saj; ai u bëri nder atyre që na kanë bërë nder me jetën dhe vizionin e tyre, e njëkohësisht edhe ata që ishin kundër kësaj jete dhe kundër këtij vizioni. Nishani bëri bashkë në një listë, jo si shenjë pajtimi, por për të hedhur një zjarr të ri mbi të vërtetat e padyshuara, ata që në momentet më të rënda të Kosovës, shumë lehtë mund të gjendeshin në kampe të ndryshme, dhe në fakt, herë pas here janë gjetur ashtu. Gjithsecili në Kosovë vlerëson Nishanin kur ai nderon figura të mëdha si Fehmi Lladrovci, të cilit ish-presidenti Berisha ia kishte ndaluar dikur hyrjen në Shqipëri përmes një liste që ia dorëzuan udbashët e shërbimit diplomatik të Kosovës në Tiranë; Xhevë Lladrovci, statura më e lartë e gruas për emancipim, luftë dhe ide; Zahir Pajazitin, që dikur ishte burgosur nga regjimi i shefit të tij; Luan Haradinaj, shefin e parë të logjistikës së UÇK-së; Sali Çekun, që duke qenë njeri i LDK-së, e kuptoi të vërtetën se liria e Kosovës nuk vjen nga konferencat e shtypit të ditës së premte dhe iu bashkua luftës çlirimtare që herët; Idrit Cakën, shqiptarin e Shqipërisë së madhe, Bekim Berishën, për vrasjen e të cilit Kroacia shpalli zi kombëtare; por askush nga radhët e njerëzve të luftës nuk e kupton se çfarë i lidh këto statura të mëdha me të tjerë që dezertuan.

Në kujtesë të zotit Nishani unë dua të sjell një pjesë nga shënimet e zotit Haradinaj, ish komandanti Zonës Operative të Dukagjinit, lidhjet me të cilin gjatë luftës i kam pasur të vazhdueshme dhe, mund të them pa droje, se ai ishte ndër luftëtarët më të sprovuar dhe drejtues i jashtëzakonshëm.

Zoti Haradinaj: “Kjo ishte pjesë e luftës speciale. Serbia është kujdesur ta intensifikojë këtë lloj lufte para çdo ofensive. Nuk besoj se do të kishte filluar ofensivën e verës së vitit 1998, sikur të mos e kishte mbjellë përçarjen. Prandaj nuk na sulmoi më herët, se ishim unikë. Fuqia jonë ka rënë nga përçarja. Unë e kam parë drejtpërdrejt në vijat e frontit. Në funksion të përçarjes ka punuar ky grup i eprorëve me në krye Tahir Zemajn. Ata fyenin vlerat e luftës, njerëzit eminentë të saj që vdisnin çdo ditë në luftë…”.

Kjo është dëshmia e një njeriu që i ka prekur gjërat me dorë, dhe tjetrin, njeriun e përçarjes, presidenti Nishani e shpall Nderi i Kombit. Ndoshta edhe nga fakti se, pasi dezertuan nga lufta, njerëzit e këtij skuadroni, me uniformat e grabitura të UÇK-së, morën pjesë në gushtin e shtetit të shtatorit 1998. Kam qenë e vazhdoj të jem kundër vrasjes së zotit Zemaj në një pritë të pas luftës, askush nuk guxon të bëjë vetëgjyqësi e të vrasë; por jam edhe kundër vendimit që Nishani, në emër të shtetit shqiptar, nderon disa nga ata që nuk e deshën kurrë këtë vend. Në fund të fundit , njëri nga ish shefat e KOS-it, shërbimit të fshehtë ushtarak serb, nuk mund të jetë në të njëjtën kohë edhe nderi i kombit shqiptar. Ashtu si nuk mund të jenë edhe ish kolonelët e ushtrisë serbe në luftën në Kroaci, nderi i kombit tonë.

Shqiptarët në Kosovë, në Kosovën Lindore dhe në trevat e tyre në Maqedoni kanë njohur një burrë të madh, Tahir Sinani, epror i lartë ushtarak, që u vra në luftën e tretë të shqiptarëve dhe kurrë nuk deshi asnjë cent përfitim për vete dhe për familjen e tij. Ai, edhe pa u shpallur është nderi i kombit tonë.

Nuk mendoj se Pacolli, një biznesmen i suksesshëm, i cili herë pas here ka qenë në shenjën e vëzhgimeve dhe kundërthënieve të ndryshme, të jetë njëri ndër ata që meriton të cilësohet si nder i kombit, edhe pse bizneset e tij po lulëzojnë në Kosovë dhe jashtë saj. Pacolli natyrisht nuk është njeri i përçarjes, herë pas here ai ka ndikuar që egërsimet të zbuten, që të marrin disa gjëra për më mirë, por të gjitha këto janë vlera të parëndësishme karshi vlerësimit për të qenë nderi i kombit.

Çdo njeri në momentet më vitale të kombit ka provën e tij. Nga mënyra se si i qëndron atij momenti varet edhe pesha e tij. Momenti më i veçantë në Kosovë është lufta e saj. Nuk ka qenë një luftë sporadike, hajt se po luftojmë, por e organizuar, e menduar dhe e përgatitur që më parë. Nuk ka qenë e njerëzve të pakët, por e burrave që ndonëse nuk kishin emër të madh, bënë punë të mëdha. Ku ishte asaj kohe Pacolli. Emri i tij gjendet në gazetat serbe të Beogradit, në një intervistë përmes së cilës, në faqen e parë të gazetës, me gërma të mëdha, jepet prononcimi i tij se “Kosovo ne moze bez Srbije”, që do të thotë se Kosova nuk mund të jetojë pa Serbinë.

Këtë ide, herë pas here e kanë përcjellë edhe disa nga të dekoruarit e tjerë në listën e fundit të Nishanit, të cilët, edhe pse nuk jetojnë më, nuk do të thotë se kanë shlyer mëkatet politike që kanë bërë. Ata i kanë kushtuar Kosovës më shumë se sa mund të mendohet. Qendra për Informim e Kosovës ka qenë njëra ndër zyrat ndërmjetëse të propagandës serbe për të kriminalizuar luftën çlirimtare; nga dyert e zërat e saj kanë dalë akuza monstruoze ndaj UÇK-së, më e pakta e të cilave ishte se pas saj qëndron dora e sigurimit serb; me mohimin e luftës është bërë ndarja parciale e njerëzve dhe është mbjellë fryma e disfatës.

Askush në Kosovë nuk e di se çfarë vlerash i ka shtuar kombit tonë zoti Pacolli, njëri ndër njerëzit e afërt të familjes Jelcin kur djemtë vriteshin në Kosovë; nuk e di se ku qëndron merita e tij për një nder kaq të pamasë. Pacolli është një njeri i paqtë përgjithësisht, për këtë ai mund të jetë një dhëndër i mirë; ai është një njeri që e njeh biznesin më mirë se askush tjetër, për këtë mund të shpallet biznesmeni i vitit; ai e di krejt mirë se lidhjet me median duhet të jenë serioze dhe të kuptuara dhe e bën këtë fare mirë. Nuk është faji i tij se shpallet nderi i kombit, mbi të nuk qëndron asnjë përgjegjësi, ashtu si nuk kanë asnjë faj ata që nuk jetojnë më.

Pa dashur të rëndoj zotin Pacolli, të cilin më shumë se nga gjithë shënimi im, e rëndon qëndrimi i tij në shtypin beogradas, dhe pa e futur atë në poshtë-shënimin tim, më duhet të shtoj disa radhë, që kurrë nuk do të kisha dashur t’i shtoj.

Shumë herë, në shënime të ndryshme politike, kam përmendur se një lobing i ndjeshëm pro serb vazhdon të jetë i pranishëm në Tiranë dhe në Prishtinë. Në Kosovë ai ka pasur edhe formë ministeriale, ndërsa biznesi serb është bërë i patjetërsueshëm në Kosovë, edhe kur shet mbeturinat e tij si ushqim për njerëzit. Në Tiranë, megjithë përpëlitjet ai ende ka forcën e frymën e tij, dhe kjo frymë, ndoshta edhe pa dashjen e tij, ka ndikuar në dekorimet e fundit presidenciale. Më shumë se gjithçka tjetër ata e përcjellin këtë frymë edhe në Kosovë, ku ende ka të drejtën e saj morale fjala e mençur drenicake, “Bëji nder, atij që është për nder”.

 

Share This Article
5 Comments
  • Pune arnautesh…kur nje sigurimc, marksist i falimentuar qe shoket kosovare te idealit
    e lane me gishta ne goje derdh lot krokodili kundra nji spiuni serb/rus te cilin nje kapterr ish komunist i bere Kryetar dekoron te gjithe qe nuk meritojne dekorate

  • O Bedri jam plotsisht dakord me ato qe thua..le ti hane dekoratat ..ti bejncte duan por pisllikun nuk ja lajne dot as gjithe lumenjt e shqiperise.

    dhe dicka tjeter kemi dhe ne meriten tone per kto dekorime,sipas qefit nga presidenti yn sps votuam nji njeri te papergjegjshem per kryeminister.

    I pari eshte Edi Rama qe me ndryshimet kushtetuse vuri ne krye te shtetit nji militant partiak..

    mire do beje ta cilsoje dhe kete fakt ne shkrimin tend zoti gazetar..

  • Bravo Bedri ,ja keto jane problemet madhore te kalifatit tone,hallall per kete shkrim qe i interoson pjeses dermuese te shoqerise tone islamike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *