Ditari i Skifter Këlliçit, pjesëmarrës në marshimin vdekjeprurës
“Mesnata e 31 janarit 1979. Mbi 1500 vetë të Brigadës së Parë, si pasojë e dimrit të ashpër dhe çorganizimit, mbetën mes maleve në mëshirë të fatit”
Skifter Këlliçi
(Vijon nga numri i kaluar)
Orët kalonin njëra pas tjetrës, teksa ne rezervistët e ngarkuar me rreth 30 kilogram në shpinë, po e ndjenim kërcënimin e dëborës që vazhdonte mes maleve të Fekenit, e më pas të Bizës e Martaneshit… Por me gjithë vështirësitë, përpiqeshim të duronim, pa ditur se pasojat e këtij marshimi absurd do të ishin tepër të rënda…
AKSIDENTET
Nga kreu i kolonës nëpër terr u dëgjua një klithmë. Dikush kishte rënë keqas e kishte thyer dorën. Ishte viktima e parë e, për fat të keq, jo e fundit e marshimit. Nisën të shkisnin edhe të tjerë, por, lavdi zotit, pa pasoja. Atëherë dikush nga ne tha se do të ishte më mirë të kapeshim dora dorës, që, kësisoj, të ruanim njëri-tjetrin që mos të gremisemi. Dhe kështu bëmë. Po, ama, qëllonte që, kur njeri shkiste duke u përpjekur të mbahej, tërhiqte pas vetes edhe të tjerë.
Ndërkohë që ne marshonim si të mundnim, anash nesh kaloi një “Gaz” dhe prej saj dolën dy a tre ushtarakë. Midis tyre ishte një oficer shtatlartë, disi i moçëm, me mustaqe të thinjura, që mbante çizme të gjata me lesh, i cili hyri në bisedë me disa nga marshuesit që ishin pranë tij. Më pas morëm vesh se ky ishte B.I., nga komandantët kryesorë të këtij marshimi. Natyrisht nuk flitej, veçse për këtë marshim, i cili, siç dukej, nuk po shkonte ashtu siç parashikonte ai. Po, ç’të bënim ne?! Mbase ai e kuptoi këtë, ndaj, duke u futur sërishmi në makinë na tha: ”Mbahuni djema, se ja, arritëm…!”.
NJË NATË PA MBARIM
Aty nga ora tetë e mbrëmjes, më së fundi u ndodhëm në Gurakuq, një fshat pranë Bizës, që do të ishte vendqëndrimi ynë për atë natë. Dhe ja, tek po kalonim një urë të vogël që mezi shquhej, ngaqë dëbora në ato vise ishte shumë e dendur, u dëgjua një tjetër klithmë. Dikush kishte rrëshqitur poshtë urës, që fatmirësisht nuk ishte e lartë dhe ishte dëmtuar. Nuk di se ç’u bë me të, por ne hapnim sytë se mos pësonim ndonjë të pabërë, teksa dëbora nisi të dendësohej edhe më shumë… Dhe jo vetëm dëbora. Nga qielli zunë të dëgjoheshin shkrepëtima rrufesh. Nuk ishte ndonjë gjë e re për ne. Por kurrë nuk kishim parë që rrufetë të shpërthenin kaq afër, sikur do të binin mbi kokat tona. Edhe dëbora ishte e ndryshme. Fjollat ishin shndërruar në cifla, çuditërisht në forma shumëkëndëshe, me një bukuri të mahnitshme, por dhe vrastare, që na cimbisnin furishëm në fytyrat tona të rreshkura. Përfytyroni majën e malit të Dajtit, mbi 1600 m. Shtoni dhe rreth 400 metra… Ja, në atë lartësi ishim edhe ne, nga ajo lartësi binte ajo farë dëbore! Nuk po dinim nga t’ia mbanim. Ishim të drobitur, të mardhur. Disa nga marshuesit, të shtrirë mbi dëborë të mbuluar me copa të mëdha celofani, që siç dukej i kishin mbajtur nëpër çantat e shpinës, donin të flinin. Madje ndonjë e kishte zënë edhe gjumi.
JETA NË RREZIK
Atëherë pamë që disa nga oficerët e repartit, që ia behën aty, i shkundën dhe njeri iu kanos: ”Ç’bëni, mor dritëshkurtër, a nuk e kuptoni se po ju zuri gjumi, nesër do të gdhiheni të ngrirë?”. Dhe kishte të drejtë. Po ç’të bënin ata, ç’të bënim ne në mes të kësaj furtune? Ku ta futnim kokën, si t’i kalonim ato orë të llahtarshme deri sa të gdhihej? Nga komanda ishte njoftuar se do të ndizeshin zjarre bubulake, ku ne do të ngroheshim, që ta merrnim veten për marshimin që do të vazhdonte të nesërmen. Po zjarre të tilla nuk u ndezën, sado që u fol më pas se diku ishin makina të ngarkuara me drurë për këtë qëllim. Përralla dhe asgjë tjetër. Nëpër terr kërkoja vëllanë. Të paktën të ishim pranë njeri-tjetrit, aq më tepër që një shok bri meje tha se kishte zbuluar një tunel ku mund ta kalonim natën. Edhe ne ashtu bëmë. Ishim gjithsej nja pesë-gjashtë vetë, që u rrasëm në atë tunel të ngushtë, të lartë, pak më shumë se një metër, i cili nuk kishte dalje. Në fillim na u duk se ishim futur në një dhomë të ngrohtë, aq më tepër që dikush më parë kishte ndezur një zjarr. Mezi e mbajtëm gjallë me ca shkarpa që nisëm t’i hidhnim. Mirëpo kjo nuk zgjati shumë. Zjarri po shuhej. Diku gjetëm një traversë. U gëzuam por po aq, në çast u trishtuam. Nuk kishim një sopatë për ta çarë… Ashtu vendosëm të flinim. U mbështollëm ngjitur me njëri-tjetrin si mundëm. Unë e im vëlla ishim më të privilegjuar, se kishim pelerina, por tjerët kishin vetëm kapota edhe ato të qullura nga dëbora. Të sfilitur siç ishim, dremitnim. Por jo gjatë. Trupat tanë, të nxehur gjatë marshimit, nisën të ftoheshin. Për më tepër, ndienim shpinën të na lagej… Atëherë pamë që përgjatë tunelit kalonte një rrjedhë uji, vërtet e vogël, por që na shkaktonte këtë ndjesi… Gjithsesi e ndamë mendjen që më mirë të rrinim aty, se sa jashtë, ku dëbora binte pamëshirshëm dhe era fshikullonte rrënqethshëm. Po shokët tanë, ç’bënin? Si po i kalonin këta orë tmerri që nuk kishin të sosur?
MËNGJEZI NË BIZË
Më së fundi, nga gryka e vogël e tunelit nisi të shquhej dritë. Po agonte. Sapo dolëm nga tuneli dhe gjëja e parë që na ra në sy, ishte një zjarr i madh, i ndezur pranë një ndërtese njëkatëshe që një natë më parë as e kishim vënë re. Ishte një depo fshati. U sulëm nga zjarri dhe ndiem afshin e ngrohtë të na mbulonte fytyrat. Aty morëm vesh se, duke e parë gjendjen e rëndë, komanda,(se ku ishin ata të komandës, këtë nuk di ta them as tani), kishte vendosur që të tërë marshuesit që ishin aty, të futeshin në kinemanë e Bizës, që kishte një sallë as të madhe e as e vogël. E aty të ngjeshur si sardele, kishin kaluar natën. Ua patëm zili. Të paktën kishin qenë shumë më ngrohtë se sa ne në atë tunel të tmerrshëm. Po përse këta drejtuesit nuk kishin lajmëruar më parë? Përse të tjerë ishin katandisur edhe më keq se ne në atë natë të tmerrshme mes dëborës e acarit?!
E MËRKURË, 31 JANAR 1979
U grumbulluam para një godine që ishte, me sa duket depo ushtarake dhe më së fundi hymë në forcë. Na dhanë secilit nga katër konserva peshku, djathë kaçkavall dhe bukë. Koha ishte acar dhe dielli, që deri atëherë hidhte një ndriçim të kursyer, u gëlltit nga re të dendura, të mavijosura që shëmbëllente me një pllakë e stërmadhe mermeri e dukej se do te gremisej mbi ne për të na zënë frymën. Bënte kaq ftohtë, sa që buka ngrinte në duart tona të mardhura. Hëngrëm si mundëm dhe u nisëm për të përfunduar etapën e fundit të marshimit-arritjen në Fushë Studën. Tani rruga gjarpëronte përmes pyllnajës gjelbëroshe të pishave të veshura më dëborë. Ato ishin të panumërta dhe ashtu të ngrira, shëmbëllenin me balerinat e “Liqenit të mjellmave” të Çajkovskit, të cilat, nga një anë dukej sikur na shprehnin mirëseardhjen në ato vise të ftohta e, nga ana tjetër, sikur na mëshironin për çfarë na priste më tutje. Këmbët tona shkelnin tashmë mbi dëborën e virgjër, sepse aty pari ende nuk kishte kaluar ndonjë makinë. Rrëke ujërash të kristalta, kryqëzoheshin nëpër rrugë duke krijuar një melodi që ne nuk mund ta shijonim, ashtu siç nuk mund të shijonim atë bukuri magjepsëse te pyllnajës së Martaneshit, për të cilën më kishte folur një herë një miku im që kishte ardhur andej me shërbim. Por ai e kishte soditur këtë bukuri nga makina, pa ndier fërshëllimën cingëruese të erës që na rrihte fytyrat e kallkanosura. Për më tepër, zumë te ndienim që lagështia po depërtonte në këmbët tona të ënjtura. Nuk mjaftonte vetëm kjo. Nga që nuk i kishim lidhur mirë pecet në këmbë, e kjo jo për faj të oficerëve, nisëm të ankoheshim se tabanët po na dhembnin. Kjo dhembje bëhej edhe me therëse, kur në çdo orë bënim pushim. E ndienim veten më mirë duke ecur, ose, më saktë duke i zvarritur këmbët që, të ndezura nga fërkimi, na dukej se mënjanonim këto dhembje torturuese.
KUR PO ARRIJMË!?
…Më së fundi na dukej se po arrinim. Së pari na u shfaqën shtëpitë e para të një fshati, të bardha si dëbora, ku shquheshin vetëm dritaret. E mbi çati oxhakët tymtues. Desha të sulesha andej, të futesha në një shtëpi dhë të ngrohesha, vetëm të ngrohesha. Përpëlita qepallat dhe befas gjithçka m’u zhduk nga sytë. Isha i përhumbur në vegime, ashtu si në tregimet e Xhek Londonit. Përreth vazhdonin të na shoqëronin pishat tashmë me pamjen e tyre pikëlluese. Sa do të vazhdonte kjo rrugë e tmerrshme? Vëllai im nisi të ndiente dhembje ne stomak, madje pati edhe të vjella. E kush mund ta ndihmonte? Bisedova me Merkur Alimerkon, komandantin tonë, rezervist, drejtori im në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, një gjirokastrit i fuqishëm, njeri i mirë që, ndonëse në moshën 45-vjeçare, mbahej fort. Mirëpo ç’mund të bënte ai kur asnjë nga ata të komandës nuk shihej përreth! Më së fundi, tashmë nëpër mugëtirën që po shtrihej ngadalë, shquam një dritëz. Ja, diku atje, duhej të ishte dhe fundi i këtij marshimi skëterrë. Mirëpo udhëtuam e udhëtuam gjithnjë duke zvarritur këmbët e ajo dritëz e mallkuar sikur na largohej gjithnjë nga sytë… Përsëri tjetër mirazh…
NJË PARAJSË NË FE
Në Fushë Studën arritëm kur gjithçka ishte zhytur në errësirë. Rezervistët që kishin arritur para nesh, ishin futur nëpër tunele të betonta, po aq të ftohta sa ç’ishte e që na kishte shoqëruar gjatë marshimit, po të marrim parasysh se ndodheshim tashmë në një pllajë gjithnjë 2000 m mbi nivelin e detit.
Befas diku nëpër terr shqova një shtëpi të tipit alpin, me çati të pjerrët. Me vëllanë e sëmurë përkrahu u sula atje. Diku pranë pikasa një djalosh, edhe ai rezervist. Ishte mjeku ynë. Iu luta që të na ndihmonte të kalonim natën atje, meqë mora vesh se aty do ta kalonin natën një grup vajzash rezerviste që ishin sëmurë. Na e bëri këtë nder. U ngjitëm në katin e dytë dhe me të hapur derën, u ndodhëm në një dhomë të madhe. Afshi i ngrohtë që lëshonte një fuçi metalike e shndërruar në sobë, na këndelli… U ulëm si të tjerët rreth fuçisë, hoqëm pelerinat, kapotat, këpucët, vumë të thaheshin pecet e qullura dhe më së fundi, nisëm ta merrnim veten. Por lëkura e tabanëve të këmbëve, vende-vende ishte ënjtur dhe po ta prekje, të shkaktonte të therura… Ashtu tashmë të thekur, bëmë shaka me një burrë plak, rojtar pyjesh, hëngrëm diçka dhe u shtrimë si të vdekur për të fjetur në dyshemenë prej dërrase. Nën kokë kishim çantat e shpinës dhe mbulesë pelerinat dhe kapotat. Nuk gaboj po të them se ka qenë një nga netët më përrallore të jetës sime, ndonëse kam fjetur edhe në hotele shumë luksoze…
E ENJTE, 1 SHKURT 1979
Nuk kishte aguar ende mirë, kur u ngritëm. Pasi falënderuam rojtarin plak, lamë atë shtëpi të bekuar e u bashkuam me shokët e tuneleve, që kishin mprehur gozhdë, thuajse pa mbyllur sy. Të shkartisur, ashtu siç ishim, bëmë përpara. Qielli ishte i kthjellët dhe një diell gazmor dukej se do të na blatonte hare pas ditësh të zymta. Por një erë që vinte nga malësia e Gollobordës, nuk na mëshironte. Na rrihte nga të katër anët, aq më tepër që ishim në fushë të gjerë, mbi kodër. Sipas urdhrit, aty do ta kalonim jo vetëm ditën, por edhe natën. Për këtë qëllim, duhej të gërmonim dëborën dhe të krijonim disa strehime. Ashtu vepruam. Për fat të mirë, dëbora e butë hiqej lehtësisht me lopatat e shkurtra që kishim me vete. Gërmuan mbi një metër, derisa ndeshëm në tokë. Pastaj, me copat e dëborës të vëna mbi njëra-tjetrën si tulla, krijuam një biçim muri si eskimezët në tundrat polare. Premë dru nga shkurret përreth. Dhe kur mbrëmja zbriti kërcënuese, ne nuk kishim frikë. Kishim ndezur zjarre bubulake, ishim ulur për rreth tyre. Për të ngrënë e patëm pisk. Mezi çapiteshim, sepse djathi kaçkavall e peshku na ngjallnin etje. Paguret i kishim boshatisur e dëbora që futnim në to dhe e shkrinim në zjarr, nuk na shuante etjen. Ishte një farë uji që vinte erë tym. Për më tepër, nuk mund të flinim. Hysni Lita, që e kisha pranë, komandanti i kompanisë ku bëja pjesë edhe unë, gazetar në Radio Tirana, më tha. ”Është e katërta natë thuajse pa gjumë…” Ashtu si shumica dërmuese e rezervistëve…
E PREMTE, 2 SHKURT 1979
Veprimet tona në marshimin-skëterrë të kësaj dite, i ngjanin sulmit të Don Kishotit kundër mullinjve të erës! Kur u ngritëm në mëngjes e zumë të vishnim kapotat, për çudinë tonë pamë që këpucët na kishin ngrirë e, të përthyera si mos më keq, nuk kishte zot që t’i vishte. Mirëpo urdhri ishte që në pak minuta të viheshim në rresht. Dikush u kujtua që këpucët t’i vinim pranë prushit të zjarrit që tashmë ishte në të fikur. Dhe kishte të drejtë. Lëkura e këpucëve sikur u shkri, u tendos dhe ne, pasi i veshëm ato, zumë pozicionet sipas urdhrit të komandës. Dita e bukur, ndonëse re që vërshonin nga Lindja, kërcënonin për mot të keq. ”Pas pak do të nisë sulmi,” -na tha një nga oficerët. ”Kë do të sulmojmë?” -pyesnim ne të habitur njëri-tjetrin. Po nuk merrnim përgjigje, sikur ky sulm të ishte sekret e sulmues të mos ishim ne po të tjerë, që një djall e dinte nga do të vinin ky armik… Ishte një sulm imagjinar… Dhe me të vërtetë, u dëgjua një krismë pistolete e ne, me të parë një raketë që përvijonte flurudhën e vet nëpër kaltërsinë qiellore, me “Urra…!”, zbritëm, a mirë të themi u rrokullisëm kodrës së mbuluar më dëborë. Ca ranë, ca rrëshqitën, ca bënë edhe kollotumba. Të tjerëve u binin paguret, gavetat, ndonjërit i fluturoi edhe pushka. Pale kapelet. Por, për fat të mirë pa zarar. Shkisnim e shkisnim teposhtë, derisa ndeshëm në shkurre të zhveshura, bokërima plot gurë, ku duhej të kishe kujdes se mund të thyeje kokën. Pastaj arritëm në një fushëtirë ku do të bëhej edhe grumbullimi i forcave tona zulmëmadhe. Dikush tha se po të marshonim edhe më tutje, do të arrinim në afërsi të Librazhdit. Ndërkohë dielli ishte ngritur në zenith. “Çfarë sulmi qe ky?” -pyeta një oficer karriere që diku e kisha njohur më parë. Ai ngriti supet e duke përfituar nga kjo njohje, sado e pakët, m’u përgjigj duke ngritur supet: -As unë nuk di ç’të them me saktësi. Një sulm edhe kaq!
Pas një pushimi prej gjysmë ore kur e morëm disi veten, u dha urdhri që të ktheheshim. Ta pret mendja se tani nuk zbrisnim, por ngjiteshim. Një ngjitje stërmundishme. Por na jepte krahë mendimi se tashmë stërvitja me këtë sulm të pakuptimtë, kishte përfunduar dhe ne do të ktheheshim për në shtëpitë tona. (Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Vazhdimin e ditarit të Skifter Këlliçit për “Marshimin e zi” të Brigadës së Parë, data 31 janar 1979. Si e kaluan natën e parë të dimrit të egër 1500 rezervistë në Fushë Studën të Dibrës.
-Shpartallimi i reparteve e nënreparteve të Brigadës së Parë dhe mbledhja urgjente për situatën, e urdhëruar nga Mehmet Shehu.
-Shpartallimi i plotë i reparteve, mbetja e rezervistëve në mëshirë të fatit dhe rrugëtimi tragjik drejt Tiranës.
Marshimi i dimrit ‘79 i Brigadës së Parë, dështim i paralajmëruar i një stërvitje
Shkëputja mes reparteve dhe nënreparteve të Brigadës së Parë ende pa kaluar qafën e Malit të Dajtit dhe dëbora e dendur që vazhdonte të binte në ditën e fundit të janarit të vitit 1979, sjell vështirësi të pa parashikuar për më shumë se 1500 rezervistë të nisur nga Tirana në Fushë-Studën kufitare të Dibrës. Nga analizat e mëvonshme që u pasuan me ndëshkime për rezervistë e komandues nga Mehmet Shehu, ish-kryeministër i vendit, rezultoi se shpartallimi i Brigadës së parë në këtë marshim stërvitor, erdhi dhe për shkak të mosmarrjes së masave përkatëse nga komanduesit dhe Ministria e Mbrojtjes. Viktimat(katër të vdekur e dhjetëra të plagosur), por dhe vetë dështimi i stërvitjes, tronditi rëndë strukturat e shtetit të kohës, deri dhe Enver Hoxhën. Nisur nga shënimet e shkëputura nga ditari i Skifter Këlliçit por dhe dokumentet e kohës, ky marshim që u cilësua si ‘Marshimi i zi’, në një farë mënyre ishte i paralajmëruar. Ai nxori ‘zbuluar’ situatën reale të ushtrisë, e trumbetuar si e fuqishme dhe e aftë, e ringritur pas dënimit të “Grupit puçist të Beqir Ballukut në ushtri”.

Interesant nuk me kujtohet nje heroizem i tille. Pikerisht ne keto data kam qene ne Bize me repartin e Zall Herrit dhe kemi bere nje marrshim te tille nga Biza – neper Martanesh arritem deri diku mbi Librazhd , afer fushe studnes dhe gjate nates nuk di se nga udhetuam dhe ne mengjes u gjendem perseri ne Bize. Pati ndonje mbetje jashte rreshtimit por gjithesesi asnje plagosje apo ndonje gje per te shenuar.
Nejse Kellici mund te kete shkruar per ndonje histori me te bukur per libra. Une kam qene ne Bize ato dite. Ishte stervitje e forte e bukur per ne qe ishim 2o vjecar por jo per te tjere.
Ekujtoj freskët atë fund janari i vitit 1979 sepse jetoja e punoja në zonën e pas Dajtit dhe zona ku fatkeqët rezervistë u ndeshën për herë të parë me kushtet e acarta të atij dimri, para se të mbrrinin në Fushhë-Bizë, ishte pikërisht zona ku unë kam punuar 10 vjet. Duke lexuar ato çfar shkruan z. Këlliçi, (veç të tjerash, është autori i romanit të shumë pëlqyer nga unë, ,,Atentat në Paris”), jo vetëm më risjellë në kujtesë atë aventurë ogurzezë që mori katër jetë të pafajshëme, por shkaktoi dhe një traumë psikologjike në të gjithë pjesmarrësit por dhe në pjesën tjetër të popullsisë. Parë në këtë këndvështrim, më rezulton se organizatori dhe përgjegjësi direkt i asaj marrëzije, Mehmet Shehu, në një mënyrë të prekshëme, ka ndikuar në armiqësimin e njerëzve të thjeshtë me ,,vijën e Partisë dhe udhëheqësin e saj, Enver Hoxha”. Ai lloji marshimi ka qenë dhe më i egër dhe i pa nevojshëm siç ka qenë dhe marshimi i Brigatës I-rë partizanë që komandohej po nga i njejti peson, Mehmet Shehu, në ato zona, 35 vite më parë. A thua të jetë një koincidencë? Mehmet Shehu i bëri (aq sa mundi),,punët” e tij në dëm të vendit për atë kohë. Dhe fundi tij ishte i pa lavdi… Por bëmat e tij kanë shkaktuar shumë dëme në masën e thjeshtë të njerëzve. Gjithësesi, po afrohet dita kur Mehmet Shehun do ta vendosin mbi piadestalin e heroit që ka punuar ,,për përmbysjen e sistemit diktatorial” në Shqipëri. Në se atëhere, z. Skifter do të jetë gjallë (dhe e uroj sinqerisht të jetë gjallë), do ti harrojë ato ditë të tmerrëshme, ku jetën nga vdekja e ka ndarë ,,një fije floku” dhe do t i a bëjë ,,hallall” Mehmet Shehut. Gjithësesi, ato që risjellë z. Këlliçi në shkrimet e tij, janë tronditëse e mbresëlënëse…. Ajo kohë nuk kthehet më z. Skifter. Po, si t i a bëjmë këtij vrasësit ,,demokratik” që i vret njerëzit e pafajshëm në Gërdec për një ,,bukë dyzetëshe” dhe në mes të bulevardit kur ata protestojnë për zullumet e mëdha që i ka shkaktuar vendit. Jeni në vendin kampion të demokracisë, z. Skifter. Mund të sillni përvojë dhe eksperiencë për çka shikoni e përjetoni atje…. Respekte bashkë atdhetare ! .
Kujtimet e Kelliçit jane reale e me pak mangesira. Kam qene ne Br e Librazhdit ne ato vite dhe ato dite ndodhesha per ski ne Fush Studen. Lartesite e maleve ku kaloi Br e I jane relativisht poshte 1500 m., dmth me ulet se mali i Dajtit. Vet Fush Studna ndodhet rreth 1300-1400 m mbi nivelin e detit. Malet perreth saj si mali i Gurit eshte 1754m ndersa malet perbri jane lartesite 1700m etj. Por jane vende shume te ftohta dhe me koridore ajrore qe kane rryma te fuqishme stuhish. Per fat te keq Br e I ne ate kohe ishte mbushur me oficera me prejardhje fshatare, por qe kishin krahet e ngrohte per te qendruar ne Tirane dhe te paafte per te perballuar veshtiresi te ketij niveli. Marshimi deshtoi pikerisht nga drejtimi i oficerave si Bejto Isufi etj qe me teper kishin pompozitete se sa aftesi per te drejtuar nje marshim ne kushte reale me risk te madh veshtiresije. Logjistika e varfer nuk e perballonte ate lloj misioni, pamvaresisht deklaratave qe benin politikanet dhe drejtuesit e MM. I kam parasysh rezervistet e arritur ne Fush Studen, me fytyra te nxirra rreth buzeve e me sy te zgurdulluar. U mundova me njohjen qe kisha ne ate zone qe disa prej tyre ti sistemoj ne nje nga zyrat e fermes se kuajve. Me kete grup ishte edhe nje komisar i paafte brigate Bekim Duka, qe mbante me vehte nje shkop ne dore si lopçaret dhe nuk donte tja dinte se ku i kishte efektivat e tij.Mbaj mend qe ate dite temperaturat aty kane qene rret -12^ , po kur morem vesh per viktimat, dhimbja ishte me e madhe se temp. e uleta. Mbasi sistemova nje grup te vogel te tiranasve vet u ngjita per ne malin e Zylit qe eshte rreth 1518m mbi nivel. Rruges takoja akoma grupe te veçuara e te dermuara rezervistesh, qe zvarriteshin drejt Fush Studnes. Ky marshim ishte turp per drejtuesit e stervitjes, qe nuk njihnin gjëne me kryesore si ushtarak. Terrenin. Kur isha ne Br e 12 Librazhd e kam studjuar dhe e kam shkelur gjithe itinerarin e Shtabit te pergjithshem te Ushtrise Nac-Çli dhe rrugen e Br I ku kam pasur nenen time partizane. Edhe ne keto marshime ka pasur ushtarakisht gabime trashanike, por kjo justifikohet me faktin qe hartat ushtarake mungonin, ndersa per rastin ne fjale treguan se ushtaraket nuk i njihnin hartat, sepse mendonin me teper per te shit dengla neper “gazet 69” se sa te ajo qe kishin marre persiper. Fatkeqesia e tyre ishte se ishin gjenerale pa grada dhe me nje ushtri si ajo e Napolonit kur u kthuye nga Rusia.
Vertete ka qene nje tmerr,pa aftesia e servialve dhe spiunave te ushtrise qe sollen ate gjendje mjerane.po nuk mjaftonte qe po linin koken,po te shkretet nuk shpreheshin dot, se hanin burgun.Atehere kame qene ne pune ne Zonen e Orenjes, isha mesues,dhe e mbaje mende ate katarhure,me dhjetra persona te lene ne mes te debores pa pike meshire sikur me qene bageti????Ata rezervist te sfilitur te lodhur te pa ushqyer mos o zot!.Lere ca kishin humbur rrugen dhe kane ardhur ne Gurakuq mbrapa lufte,hahahahah.Ajo ja nxori bojen Ushtrise Shqiptare,qe trumbetohej me te madhe,nuk kishte turp me te madh.Imagjinoni po te kishte dhe armikun para do ishin dhjere fare……