Eurodeputetët e “Agimit të Artë” në Parlamentin Evropian janë aktivë, sidomos kur bëhet fjalë për Shqipërinë. Nëpërmjet fuqisë, që iu jep roli i parlamentarit përpiqen të influencojnë sadopak politikat evropiane përballë Shqipërisë. Kryesisht në përpjekjet për imponim, të politikave të ndryshme kombëtare, në kuadrin e marrëdhënieve fqinjësore. Por, mbi ç’pista luajnë dhe a ka edhe eurodeputetë të tjerë grekë, të cilët veprojnë mbi të njëjtën platformë?
Nga tre eurodeputetë, që ka “Agimi i Artë” në Parlamentin Evropian, dy prej tyre Eleftherios Synadinos dhe Georgios Epitideios, kanë një ekspozim më të qartë të politikave partiake ndaj Shqipërisë.

Georgios Epitideios, u bë i njohur për publikun shqiptar nëpërmjet prononcimit të tij të fundit, në Komisionin e Jashtëm të PE-së, gjatë prezantimit të draftit të Fleckenstein mbi Shqipërinë. Shqipëria e Madhe dhe mos respektimi i të drejtave të minoritetit grek në Himarë ishin disa nga shqetësimet, që ai kërkonte të figuronin në raport:
“Në Shqipëri ka disa grupe politike që mbështeten nga qeveria, të cilët kërkojnë krijimin e Shqipërisë së madhe. Janë të organizuar mjaft mirë për këtë. Lidhen me internet. Kanë flamurin e tyre, e madje dhe hartën në të. Së fundi ishte ndeshja mes kombëtareve të Shqipërisë dhe Serbisë dhe në Beograd u mblodhën shqiptarë nga gjithandej, Kosovë, Maqedoni, Greqi, e vende të tjera. Problemi me mbështetësit e Shqipërisë së Madhe është se ata duan Epirin, veriun e Greqisë dhe tolerohen nga qeveria shqiptare, e cila nuk po respekton të drejtat e shtetasve grek në Himarë, që u detyruan të marrin pasaportë shqiptare. Mendoj se duhet ta përfshini në raport”.
Por, nëse vëzhgojmë historikun e çështjeve, që ato kanë ngritur në kohë nëpërmjet mekanizmit të shtrimit të pyetjeve ndaj Komisionit, konstatohet një insistim i vazhdueshëm, që prek kuadrin e marrëdhënieve fqinjësore me Shqipërinë.
Duhet pasur në vëmendje fakti, se nëpërmjet mekanizmit apo kriterit të fqinjësisë së mirë, një sërë vendesh janë hasur me pengesa të konsiderueshme gjatë rrugës së tyre evropiane. Rasti i bllokimit të Maqedonisë nga Greqia, për çështjen e zgjidhjes së emrit, është ende aktual.
Georgios Epitideios, ka një fokus të lartë ndaj ekspozimit të rrezikshëm të idesë që sjell Shqipëria e Madhe, si për Greqinë, po ashtu edhe për rajonin. Duke marrë si shkas, jo vetëm ndeshjen Serbi-Shqipëri, ku u shpalos flamuri i Shqipërisë etnike, por edhe ekspozimin e tij në murin e Kryeministrisë, si edhe vendosjen e tij në faqen personale të rrjetit social Facebook, të kreut të qeverisë shqiptare Rama, eurodeputeti grek kërkon sanksionimin e Shqipërisë.
Në pyetjen e tij drejtuar Komisionit Evropian (8 janar 2015), ai kërkon të dijë se, çfarë sanksionesh parashikohen nën ligjet e Unionit, kur një shtet anëtar i BE-së, apo një vend kandidat fyen dhe kryen veprime, që kërcënojnë integritetin territorial të një shteti anëtar.

Edhe eurodeputeti tjetër i “Agimit të Artë”, Eleftherios Synadinos, fokusohet me të njëjtën axhendë, mbi të njëjtin synim, duke i kërkuar Komisionit Evropian, se në ç’mënyrë do të sigurohet aplikimi i fqinjësisë së mirë, përgjatë negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Në pyetjet e tij të fundit, drejtuar KE-së (10.02.2015), Synadinos, flet mbi krimet, që po kryejnë shqiptarët ndaj fshatrave të Epirit në kufi:
“Pas dhënies së statusit kandidat Shqipërisë në qershor 2014, ka pasur një rritje shqetësuese të kriminelëve shqiptarë, që janë lejuar të pushtojnë fshatrat e Epirit në afërsi të kufirit. Ato përfitojnë nga mungesa e politikave dhe mbrojtjes adekuate të kufirit për të vënë zjarre dhe shkaktuar dëme, plaçkitur pronat dhe përhapur frikë dhe dëshpërim ndër vendasit e paktë dhe kryesisht të moshuar, që kanë ngelur. Fermerët blegtoralë shqiptarë po përvetësojnë haptazi tokat malore greke për kullota. Ky pushtim, ka detyruar deri më tani, pesë apo gjashtë fermerë lokalë në pllajë, të braktisin kullotat e tyre dhe të çojnë kopetë e tyre në fushat e Pontikates.”
Edhe çështja e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri përgjatë luftës Italo-Greke (1940-1941) është kërkuar nga eurodeputeti i Agimit të Artë, Synadinos, që të shtrohet si çështje për zgjidhje, gjatë negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.
Zgjerimi i skemës
Por, me sa duket eurodeputetët e “Agimit të Artë”, nuk janë të vetëm. Edhe eurodeputetët të tjerë grekë, kanë një përqasje apo tendencë për të sjellë problemet e brendshme kombëtare, për zgjidhje në nivel evropian.

Manolis Kefalogiannis, i “Nea Demokratia”, në pyetjen e tij drejtuar Komisionit Evropian (2.10.2014) mbi “Përpjekjet e Shqipërisë për të deformuar historinë”, specifikon se ndonëse është kryer një marrëveshje mes palëve mbi librat e historisë, ajo nuk po zbatohet. Bëhet fjalë, për librat e shkollës në Shqipëri, që janë plot me informacione dhe pretendime për troje në Greqi, që i përkasin Shqipërisë. Këto libra sipas eurodeputetit, saktësojnë se qytetet greke të Prevezës, Igumenicës, Pargës dhe Kastorias i përkasin Shqipërisë. Në këtë mënyrë, ai i kërkon Komisionit, nëse ka dijeni në çështjen në fjalë dhe kush është pozicioni i Komisionit në lidhje me negociatat e ardhshme të anëtarësimit me Shqipërinë.

Koalicioni i Radikalëve të Majtë grekë SYRIZA, ka shprehur gjithashtu pretendimet e tij. Eurodeputeti Kostas Chrysogonos, që i përket këtij koalicioni, i kërkon të njëjtën gjë Përfaqësueses së Lartë të BE-së, në lidhje me çështjen e varrezave të ushtarëve grekë: “ Nëse ajo e ka marrë parasysh, çështjen në fjalë, në kuadrin e perspektivës të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”.
Hapësirë për bllokim
Problemi është se, deri më tani, hapësira e integrimit evropian dhe politikat e zgjerimit kanë bërë të mundur që problematikat në nivele dypalëshe, mes vendeve, të sillen për zgjidhje në nivel evropian. Sigurisht, në një format politik dhe nën presionin, që vjen nga pozicionimi i favorshëm politik i shteteve anëtare.
Greqia e ka shprehur tashmë fuqinë e saj të konsoliduar përballë çështjes së emrit me Maqedoninë, duke bllokuar perspektivën e saj integruese prej vitesh. Kjo tendencë, ndonëse me doza jo shumë të larta vërehet edhe në një sërë reagimesh, që prej fillimit legjislaturës së fundit evropiane, ndaj Shqipërisë, që vijnë nga eurodeputetët e ndryshëm grekë, duke e shtrirë skemën përtej ekstremit të djathtë dhe të majtë.
Hapësira për bllokim është tërësisht funksionale.
Unioni është tejet i kritikuar në lidhje me këtë fenomen, që shkakton një bllokim të panevojshëm të politikave të zgjerimit.
Në çdo moment, pala greke, mund të shndërrohet në një nyje bllokuese ndaj integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë, si ndaj hapjes së mundshme të negociatave të anëtarësimit, por edhe përgjatë fazave të mëtejshme, që e shoqërojnë atë.
Të gjithë çështjet e mësipërme të eurodeputetëve grekë, të shtruara në formë pyetjesh ndaj Komisionit, përmblidhen në një logjikë të vetme, “imponim për zgjidhje të problemeve kombëtare në një nivel evropian” nëpërmjet presionit që mund të shkaktojë Komisioni përballë Shqipërisë në kuadrin e perspektivës së hapjes së negociatave të anëtarësimit, apo edhe në fazat e mëtejshme të tij.
Në renditjen e çështjeve të mësipërme, sigurisht që nuk duhet harruar edhe presioni i lartë në lidhje me “çështjen e zgjidhjes së kufirit detar me Greqinë”, i shprehur nga Ministri i Jashtëm i Greqisë, Venizelos, vetëm pak kohë pas marrjes së statusit: “ Shqipëria duhet të plotësojë kriteret e Kopenhagenit, për çeljen e negociatave,(…) duke përfshirë këtu edhe të drejtën ndërkombëtare të detit (…).”
Sigurisht që edhe axhenda apo programi i SYRIZA-s, parashtron se Shqipëria duhet të plotësojë kushtin e qartë për negociatat e pranimit në BE, që është konsolidimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Greqinë, duke përfshirë ndër të tjera edhe rivlerësimin për çështjen e kufijve detarë. Pra, në tërësi vërehet një tendencë për sinkron të brendshëm kombëtar, përballë marrëdhënieve me Shqipërinë. Nga ana tjetër, edhe përgjigjet e Komisionit Europian, ndaj çdo shqetësimi të ngritur nga eurodeputetët grekë, përfshijnë inkuadrimin e tyre në “ angazhim dypalësh në kuadrin e fqinjësisë së mirë, si elementë thelbësorë të procesit të integrimit evropian”. Ndonëse aspak e dëshirueshme në një nivel mendor, logjika detyrimisht të çon drejt reflektimit se kjo hapësirë do të përdoret në një moment nga diplomacia greke. Thjesht, pritet momenti i duhur./im.ta/
